14.1 C
New York
October 27, 2020
DardaniaNews
Featured Lajme

Figura e Ibrahim Rugovës te mbrohet me ligj

Shkruan: Dr. Murteza Osdautaj
Emri i Ibrahim Rugovës është shndërruar në një sef thesaresh për njerëzit që dëshirojnë të përfitojnë nga figura tij por edhe për njerëzit që i ngjiten emrit të tij për të vjellë helm e vrer. Është e kuptueshme që Ibrahim Rugova nuk ishte profet as engjëll dhe as i dërguar i perëndisë. Ai ishte një personalitet i shkencës shqiptare i viteve tetëdhjetë që me dijen dhe erudicionin e tij premtonte shumë në shkencat albanologjike dhe humane.
Ibrahim Rugova nuk ishte një politikan i lindur, ai bile ishte një person krejt atipik për të qenë politikan. Ai ishte një person që shkencën dhe të vërteten e kishte qëllimin dhe përmbajtjen e jetës së tij. Duke qenë i tillë, i paimponueshëm, i tërhequr, i vendosur për të vërtetën dhe për dijen shkencore dhe historike, ai do të imponohet si person i dinjitetshëm dhe i dijshëm që nga viti 1984 por edhe më vonë me deklarimet e tij shkencore dhe politike në lidhje me gjendjen e popullit shqiptar në ish Jugosllavi por edhe për statusin e Kosovës. E filloi si shkencëtar dhe si shkrimtar tërë karrierën e tij politike. U ballafaqua me shkrimtarët serbë, luftoj intelektualisht me ta dhe i mundi ata. U dallua edhe ndër komunitetin e shkencëtarëve kosovarë me qëndrimin e tij të pa kompromis në lidhje me qëndrimet e veta, në rend të parë shkencore dhe politike.
Ibrahim Rugova ishte shkencëtar, ishte intelektual, ishte, mbi të gjitha, një humanist dhe një erudit. Ai nuk ishte profet dhe as nuk është i tillë.
Por Ibrahim Rugova, kur të gjithë tjerët, në një mënyrë apo tjetrën, nuk e kishin guximin historik për t’i marrë gjërat në dorë, doli dhe u bë prijës i proceseve historike të cilat do të ishin kruciale për fatin e Kosovës. Dhe ishte fat. Ibrahim Rugova nuk kishte dilema identitare, ai nuk përfaqësonte rrymat staliniste të lindjes, nuk përfaqësonte ideologjitë islamike të orientit dhe nuk përfaqësonte mbetjet kulturore otomane që ishin ngulitur dhe janë ende të ngulitura në mendësinë tonë. Ibrahim Rugova përfaqësonte lashtësinë ilire shqiptare dhe orientimin kulturor perëndimor të këtij vendi. Ibrahim Rugova bëri atë që grupet staliniste (gjithë respektin tim për sakrificën e tyre njerëzore) nuk e kishin bërë për vite e dekada dhe s’do ta bënin kurrë për shkak të pengesave ideologjike dhe mendësisë staliniste. Ibrahim Rugova ishte i pari njeri që shqiptarët i paraqet në një dritë të re. I pari që e bëri botën e fuqishme perëndimore të shikojë tek ky popull jo si një mbetje otomane por si një komb me kulturë perëndimore. Ibrahim Rugova ishte i pari i cili, që nga Skënderbeu, e miqësoi popullin e tij me botën perëndimore dhe, përfundimisht, e bëri vendin e tij dhe popullin e tij pjesë të preokupimeve politike të botës së civilizuar.
Ibrahim Rugova arriti që ta ndërrojë profilin e këtij populli në aspektin kulturor, ideologjik dhe politik. Kosova, gjatë kohës së tij, shihej si një komb që manifestonte një kulturë jo ballkanike si në aspektin politik ashtu edhe në aspektin ideologjik dhe kulturor. Humanizmi, kultura politike dhe solidariteti i treguar nga ne në vitet 80-90 është një nga të arriturar më interesante kulturore të këtij populli dhe një nga fenomenet më interesante sociologjike dhe politike që kanë ndodhur në Evropën e atëhershme.
Ibrahim Rugova, u lavdërua, u quajt profet dhe pejgamer, u sha dhe u kualifikua tradhtar, u bë cak sulmesh dhe cak atentatesh, e dënuan me vdekje dhe gati sa nuk e vranë por, Ibrahim Rugova, sa ishte gjallë, ishte lideri i këtij vendi, ishe prijësi i këtij vendi, ishte udhëheqësi i këtij vendi dhe jo pse e kishte uzurpuar pozitën e tij të njeriut të parë por pse e kishte fituar besimin dhe dashurinë e popullit të tij. Ai vdiq dhe varrimi i tij ishte një nga varrimet më impozante të shënuara në Evropë që nga lufta e dytë botërore. Shumë kush e quajti klasikun e fundit të politikanëve të mëdhenj të Evropës.
Por Rugova nuk kishte një fat të mirë pas vdekjes së tij. Pulitka e tij dhe ideologjia e tij nuk arriti t’i mbijetojë luftërave politike dhe konkurrencës politike, qoftë edhe brenda partisë së tij. Figura e tij u bë objekt dhe instrument për të fituar vota nga besimtarët absolut në emrin dhe ideologjinë e tij por figura politike e tij u bë edhe mjet për zbrazjet negative të frustrimeve politike të palaçove të ngjyrave të ndryshme parapolitike! Ai shahet dhe demonizohet nga politkanë të lartë, nga pleq akademikë, nga privatizes dhe plaçkitës të pronave shteterore e nga hajna ordinerë, nga LPK-ista dhe ‘marksista’, nga parapolitikanë e nga mafiozë te politkës së lartë. Krejt normale po te mos bëhej kjo ne televizionet kombëtare dhe mediat prestigjioze. E krejt kjo per rritjen e shikueshmerisë televizive!
Ibrahim Rugova duhet të konsiderohet vlerë historike e këtij populli, vlerë kulturore dhe vlerë e humanizmit shqiptar. Figura e tij duhet të mbrohet me ligj dhe s’duhet lejuar çdo gjusmëanalfabeti e azilanti të viteve tetëdhjetë nëntëdhjetë t’i jepet mundësia që të hedh baltë e vrerë mbi figurën e tij. Jo që e dëmton fogurën e Rugovës, por na shkakton iritim, nervozë e stres!
Për Ibrahim Rugovën duhet të flasë historia, shkenca, kultura dhe mbamendja historike. Për emrin e tij s’bën të kapen as partiakët e tij të cilët nuk ishin pjesë e kulturës së tij politike apo nuk ishin pjesë e aktiviteteve të tij politike. Po edhe në qofshin njerëz dhe bashkëpunëtorë të tij të ngushtë, meqenëse kanë ndërruar kontekstet politike, ata duhet të konkurrojnë me vlerat dhe të bëmat e tyre personale. Ibrahim Rugova duhet të lihet i qetë në përjetësinë dhe amshueshmërinë e tij.
Ibrahim Rugova nuk bën të bëhet pjesë e debateve politike televizive ku ftohen persona të frustruar apo akademikë të dështuar dhe e skandalizojnë opinionin politik të vendit. Për Ibrahim Rugovën s’duhet të flasin palaçot politikë të asnjë ngjyre, as ata që, kur Rugova iu doli proceseve në krye, nuk treguan as guximin më të vogël intelektual për ta ndihmuar, bile s’mund të flasin ata që në kohën sa vepronte ai, për veten e tyre dhe familjet e tyre bënin jetën e azilantit kampeve të perendimit duke përfituar ndihma sociale e duke kryere punë në të zezën në vendet ku kishin shkuar. Ku vend duhet ta bëj një ligj me anë të të cilin figurat si Skënderbeu, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Ibrahim Rugova dhe Adem Jashari do të mbroheshin me ligj dhe ku do të parashiheshin dënime nëse do të shpifej apo do të denigrohej, në secilën mënyrë, cilado qoftë figurë kombëtare.
Ka ardhur koha që pronarët e televizioneve kombëtare te pushojnë se terrorizuari opinionin e gjerë me persona që s’paraqesin asnjë vlerë kombëtare dhe me paraqitjet e tyre irituese deri në gërdi.
Ibrahim Rugova e të tjerët duhet të lihen në qetësinë e tyre të amshueshme, radhën e kemi ne të gjallët.

Shpërndaje:

Related posts

Zyrtari i LDK-së mbledh rreth 30 persona për Iftar, policia i ndërhyn në shtëpi

dardanianews

“Ulja e pagave në sektorin publik varros politikisht Kurtin”

dardanianews

Osmani i reagon ashpër Thaçit: Gjarpri provoi të kafshojë nderin e familjes sime

dardanianews

Leave a Comment