1.7 C
New York
December 3, 2020
DardaniaNews
Featured Lajme

Trondit Bugajski: Mbështetja e SHBA për ndryshimin e kufijve mund të kthehet në dhuratë për presidentin putin

Presidentin Hashim Thaçi, i cili ka diskutuar në mënyrë të fshehtë ndarjen e Kosovës me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçi
Nëse shkëmbimi i territoreve konsiderohet nga disa zyrtarë si diçka kaq e rëndësishme, atëherë lind pyetja se pse kjo është diskutuar vetëm në fshehtësi dhe mohohet rregullisht. Nëse Uashingtoni mbështet ndryshimet territoriale, atëherë do të duhet të jetë e qartë se si kjo do të ndërrmerret saktësisht dhe me legjitimitet të plotë demokratik.
Ndërsa pandemia e koronavirusit shqetëson Uashingtonin, administrata e Trump pa dashje po inkurajon një konflikt të ri në Ballkan. Në një përpjekje të nxituar për të ndërtuar një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës, Shtëpia e Bardhë mund të dobësojë mjaft arritje të Perëndimit dhe të nxisë rivalitete të reja rajonale.

Kosova është në mes të një krize politike, pasi Qeveria me koalicioni ra për shkak të mosmarrëveshjeve mbi kundërpërgjigjet ndaj pandemisë. Por, beteja e vërtetë ka vënë në vështirësi Presidentin Hashim Thaçi, i cili ka diskutuar në mënyrë të fshehtë ndarjen e Kosovës me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, duke iu kundërvënë kryeministrit Albin Kurti, i cili kundërshton çdo ndryshim kufiri. Uashingtoni ka mbajtur qartësisht anën e Thaçit me shpresën e dëshpëruar se kështu mund të zgjidhet më shpejt mosmarrëveshja Serbi-Kosovë.

Problemi thelbësor është refuzimi i Beogradit për ta njohur Kosovën si një shtet të pavarur. Ky bllokim pengon ambiciet e Serbisë për të hyrë në BE dhe ngrin anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Në vend që të bien dakord për hapat drejt njohjes dypalëshe, Thaçi dhe Vuçiq duket se besojnë se një shkëmbim territoresh do të jetë një shkop magjik në normalizimin e marrëdhënieve.

Rënia e qeverisë së Kurtit i jep Thaçit mundësinë që të anashkalojë qeverinë dhe parlamentin në marrëveshjet me Beogradin. Thashethemet e përhapura në Prishtinë për shkëmbim territoresh të mbështetur nga SHBA madje detyruan Departamentin e Shtetit të lëshojë një deklaratë që mohon ekzistencën e ndonjë plani sekret. Por formulimi i deklaratës ndikoi pak në qetësimin e frikës në rritje se Thaçi dhe Vuçiç po negociojnë me bekimin e Uashingtonit.

Nëse shkëmbimi i territoreve konsiderohet nga disa zyrtarë si diçka kaq e rëndësishme, atëherë lind pyetja se pse kjo është diskutuar vetëm në fshehtësi dhe mohohet rregullisht. Nëse Uashingtoni mbështet ndryshimet territoriale, atëherë do të duhet të jetë e qartë se si kjo do të ndërrmerret saktësisht dhe me legjitimitet të plotë demokratik. Një shkëmbim i besueshëm territoresh do të kërkonte disa parakushte: njohjen nga njëra-tjetra të Serbisë dhe Kosovës si shtete të pavarura; miratimin e popullit përmes votimit parlamentar apo një referendumi popullor; ndryshimet e nevojshme kushtetuese; dhe ndihmë gjatë zhvendosjes vullnetare të qytetarëve të prekur nga shkëmbimet territoriale.

Pa një paketë të tillë gjithëpërfshirëse, do të shfaqen tre kërcënime afatshkurtra: vendase, rajonale dhe ndërkombëtare. Ndryshimi i kufijve do të krijojë edhe më shumë konflikte si në Serbi ashtu edhe në Kosovë. Pa miratim parlamentar dhe popullor, marrëveshjet e bëra pas dyerve të mbyllura do të rrisin sensin e protestës. Në Kosovë, kjo do të intensifikojë betejat politike, veçanërisht nëse vendi nuk përfiton anëtarësim në OKB. Ndërsa në Serbi, nëse marrëveshja nuk kulmohet me anëtarësim në BE, humbja e ndonjë territori shtesë mund të ndezë nacionalizmin. Trazira të kësaj natyre ka gjasa që të bëhen edhe më të dhunshme gjatë kohërave të krizës ekonomike, frikës dhe pasigurisë për shkak të pandemisë.

Në nivel rajonal, ndryshimet kufitare të miratuara nga SHBA do të inkurajojnë separatistët dhe irredentistët t’i interpretojnë ata si legjitimim i homogjenizimit kombëtar. Me abuzimin e qartë të parimit të multi-etnitetit, kërkesat për mono-etnicitet mund të përshkallëzohen dhe potencialisht të përfshijnë disa vende. Institucionet perëndimore dhe forcat e NATO-s mund të gjenden të papërgatitur rëndshëm për valën e destabilitetit që mund të përfshijë rajonin. Thirrja që disa qindra trupa amerikane të tërhiqen nga misioni jetik i NATO-s në Kosovë do t’i hedhin zjarrit benzinë.

Rishikimet e territorit në Kosovë mund të rrisin mbështetjen ndaj bashkimit me Shqipërinë. Një lëvizje e tillë mund të përhapet në Maqedoninë e Veriut, ku të paktën një e katërta e popullsisë është shqiptare. Kërcënimet ndaj integritetit territorial të Maqedonisë së Veriut potencialisht mund ta vënë si Bullgarinë ashtu edhe Shqipërinë përballë një konflikti në zgjerim. Tërësia serbe në Bosnje-Hercegovinë do të kërkojë aplikimin e precedentit të Kosovës në ndarje nga Bosnja, çfarë do të jetë rasti gjithashtu me popullatën kroate në Hercegovinën perëndimore dhe popullsinë boshnjake në rajonin e Sanxhakut në Serbi.

Në rang ndërkombëtar, perspektiva e shkëmbimeve të territoreve i shton një dimension të ri planeve përçarëse të Moskës në Ballkanin Perëndimor dhe përbën një precedent që mund të përdoret tjetërkund. Moska është e vetëdijshme që nacionalistë të ndryshëm në Ballkan do t’i vihen pas mundësisë së marrjes së territoreve dhe mund të inkurajohen të ndjekin edhe më fort pretendimet e tyre më ambicioze irredentiste. Zyrtarët ruse, në të njëjtën kohë, mund të ofrojnë marrëveshje rajonale dhe të përfshijnë veten si ndërmjetës.

Mbështetja e Kremlinit për shkëmbim territoresh në Ballkan gjithashtu vendos precedentë të vlefshëm, veçanërisht për ndarjen nga ana e tij të Ukrainës, Gjeorgjisë, Moldavisë dhe shteteve të tjera në shënjestër. Ndryshimet e detyruara të kufirit nga Moska mund të përshkruhen si lëvizje legjitime që reflektojnë mbështetjen e Perëndimit për homogjenizimin etnik në Ballkan. Kjo mund të ulë thirrjet për sanksione ekonomike ndaj Rusisë si kundërpërgjigje për grryerjen e territoreve të fqinjëve të saj. Në vend që të zhvelftësojë trazimin dhe destabilizimin e Ballkanit nga Moska, mbështetja e SHBA për ndryshimin e kufijve mund të rezultojë të kthehet në një dhuratë për Presidentin Putin.

Shpërndaje:

Related posts

Përplasje në mbledhjen e Qeverisë: Ministrat e AAK’së dhe Nismës kundër kryeministrit

dardanianews

Eskalon Andi Bushati: Halil Matoshi është belban që punon për një bodigard

dardanianews

Befasi: Ja kush është favorit për të fituar Topin e Artë këtë vit

dardanianews