11.2 C
New York
November 27, 2020
DardaniaNews
Featured Lajme

Ujësjellësi “Prishtina” Çkapet nga PDK, AAK e NISMA – kapet nga VV-JA

Për pesë ditë, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka pësuar ndryshime rrënjësore. Është çkapur nga njerëzit e lidhur me partitë e pushtetit të kaluar, për t’u kapur nga njerëz të Lëvizjes Vetëvendosje, partisë aktualisht në pushtet.

Të enjten, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, shkarkoi gjashtë anëtarët e bordit të Ujësjellësit “Prishtina”. Të gjithë ishin të lidhur me partitë e koalicionit të kaluar qeverisës: PDK, AAK dhe Nisma.

Tre prej anëtarëve të shkarkuar të bordit të Ujësjellësit “Prishtina” kishin lidhje me PDK-në, dy të tjerë me AAK-në dhe një tjetër me Nismën Socialdemokrate.

Kryesues i bordit të shkarkuar të Ujësjellësit “Prishtina” ishte Betim Berisha, nipi i ish-deputetes së PDK-së, Sala Berisha-Shala. Berisha, katër vjet më parë ka qenë zëdhënës i shtabit zgjedhor të PDK-së në Drenas.

Pjesë e bordit ishin edhe Amir Gashi, e kaluara e së cilit ndërlidhet me Degën e PDK-së në Prishtinë, si dhe Bajram Jashari, dhëndri i deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu.

Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, në bordin e kaluar të Ujësjellësit “Prishtina”, e “përfaqësonin” Sejdë Tolaj dhe Albatron Sahiti. Tolaj është ish-anëtar i Kryesisë së AAK-së, ndërkaq Sahiti ish-asamblist komunal i partisë së Ramush Haradinajt.
Anëtari i fundit i bordit të shkarkuar të Ujësjellësit “Prishtina”, Ilir Rexhepi, është anëtar i Nismës Socialdemokrate. Ai, pasi kishte aderuar në Nismën Socialdemokrate ishte rizgjedhur në bordin e KRU “Prishtina”.

Bordi i ri, me njerëz të lidhur me Vetëvendosjen

Megjithatë, me të çkapur bordin e kaluar të Ujësjellësit “Prishtina”, Qeveria Kurti ka kapur Ndërmarrjen Publike Rajonale me njerëz të afërt të saj.
Qeveria ka emëruar në krye të Bordit të Përkohshëm të KRU “Prishtina”, Mentor Hysenin, anëtarin e Lëvizjes Vetëvendosje.

I njëjti në zgjedhjet e fundit për deputet të Kuvendit të Kosovës ka qenë kandidat nga radhët e LVV-së, por nuk kishte arritur të siguronte një ulëse.

Pjesëtarë të tjerë të Bordit të Përkohshëm të KRU “Prishtina”, sipas vendimit të Qeverisë, janë dhe Seat Bilibani, Idriz Maliqi dhe Hajrije Morina.

Edhe Seat Bilibani është i emëruar politik në bord.

Bilibani ishte kandidat për deputet në vitin 2017, nga radhët e partisë së ministres aktuale të Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Emilija Rexhepi.

Shkarkimi i njerëzve të PDK-së nga pozitat ekzekutive

Të martën, ky bord i emëruar nga Qeveria Kurti, shkarkoi tre zyrtarët më të lartë të Ndërmarrjes Publike të Ujësjellësit “Prishtina”: u.d. të Kryeshefit Ekzekutiv, Kapllan Parduzi, Zv/kryeshefin Ekzekutiv, Kujtim Xhelili dhe Zyrtarin Kryesor Financiar, Sokol Durakun.

Të tre zyrtarët e shkarkuar të ndërmarrjes kanë lidhje me PDK-në.

Vetëm njëra prej pozitave është zëvendësuar me vendim të ri të bordit të përkohshëm të martën. Ajo e ushtruesit të detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv.

Në vend të Kapllan Parduzit, Bordi i Përkohshëm i KRU “Prishtina” ka emëruar Sokol Xhafën.

Siç raportoi sot portali Indeksonline, drejtori i ri i ndërmarrjes, Sokol Xhafa, është aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.

Xhafa që nga sot ka marrë postin e kryeshefit ekzekutiv në këtë ndërmarrje publike. /Insajderi.com

Related posts

Majko reagon pas fyerjeve të Vulinit ndaj shqiptarëve

dardanianews

Tragjedi: Dyshohet se një burrë vrau gruan e tij 34-vjeçare në Kamenicë

dardanianews

Habit sportisti i madh, tregon me emra: Nuk mund të flija nga zhurma e seksit, lëviznin edhe…

dardanianews