3.6 C
New York
January 20, 2021
DardaniaNews
Featured Lajme

“30 agjentë të shërbimit të BIA-as”, a po ndihet dora e shtetit të Kosovës në veri?

Bedri Elezi, Drejtor i Institutit të Kosovës për Studime Ndërkombëtare ka thënë se Serbia ka angazhuar 30 agjentë të BIA-s për destabilizimin e veriut të Kosovës, tani pas situatës me Koronavirusin në atë pjesë.

Sipas tij, Serbia po mundohet ta shfrytëzojë situatën e krijuar në veriun e Kosovës pas rasteve të shfaqura me coronavirus.

Mes tjerash Elezi ka thënë se Serbia e ka në plan ta destabilizojë veriun e vendit, dhe në zbatim të planit sipas tij, janë vënë 30 agjentë të shërbimit sekret BIA.

“Ne duhet ta marrim shumë seriozisht situatën e krijuar në përgjithësi në Kosovë po ashtu edhe në Veriun e Mitrovicës. Kemi pasur ditëve të fundit shqetësime të sigurisë në përgjithësi po sidomos në veriun e Kosovës. Mendoj se duhet trajtuar shumë seriozisht kjo çështje, institucionet tona në rastin konkret duhet të jenë më vigjilente për dallim nga herët e tjera “.

“Po, dyshohet se ka një plan të strukturave të sigurisë së Serbisë, që ta shfrytëzojnë situatën e krijuar më të cilat po ballafaqohet edhe globi me Covid-19, kështu me futjen në karantinë të veriut të shkëputet komunikimi më pjesën tjetër dhe të futet në diskutim edhe kjo pjesë në dialogun Kosovë-Serbi, për marrëveshjen finale e cila tanimë dihet dhe është publike”, ka thënë Elezi.

E nga ana tjetër, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se kriza në veri është më e theksuar, se kriza e përgjithshme në Kosovë.

Sipas tyre, këto kriza politike institucionale e morale, na rodhen nga njerëzit e politikës, të cilët nuk i kushtuan sa duhet rëndësi planeve zhvillimore e as avancimit të proceseve demokratike.

Zogaj: Duhet të tregohet me vepër se Serbia nuk do të mund ta ketë kurrë më Kosovën.

FOTO GALERI
Analisti politik Skender Zogaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Kosovën qe plot 20-vjet radhazi, pa ndërprerje, është duke e destabilizuar dhe me fajin e Kosovës, Serbia nga humbësja, po bëhet gjithnjë e më fitimtare.

Qysh po zhvillohen ngjarjet, Serbisë i mjafton destabilizimi që Kosova ia bën vetes në këtë pjesë të vendit, sepse është kështu shihet nga çmendia e opinionistëve dhe analistëve, që flasin e flasin dhe nuk kanë lidhje se për çka flasin dhe, me llomotitjet e tyre, i kontribuojnë destabilizimit të gjendjes. Edhe më të padenja janë institucionet e Kosovës që, nuk e kanë krye as edhe një punë si i ka hije, por vetëm llomotisin dhe vet tregojnë sa të padenjë janë, dhe kështu e legjitimojnë angazhimin e Serbisë, e cila vepron si në bahçe të babës. Kjo është edhe e vërteta rreth angazhimit të Serbisë për Koronavirusin, normalisht se e shfrytëzon”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.

Sipas tij, këtu nuk ka nevojë fare për fjalë, por ka nevojë për punë konkrete, pra që organet shtetërore të Kosovës të identifikojnë çdo individ që hyn dhe të merr vesh se çka vepron në Kosovë.

“Lind pyetja se ku janë institucionet e sigurisë që duhet të ndërmarrin masat konkrete, siç veprojnë me të gjitha pjesët e tjera të vendit? Pra pse nuk i ndalojnë prishësit e rendit? Nëse dikush konstaton se janë në Kosovë 30 agjentë të BIA-s, ku janë organet që heshtin. Ata duhet të identifikohen e t’u vihen prangat dhe, pas kësaj të informohet publiku!? E jo siç po veprohet, flitet e flitet e ndërsa kuajt e verbër e kullosin livadhin! Normalisht që Serbia nuk rrinë duarkryq dhe pse u dashka të rrijë? Serbia është mjaft transparente, botërisht po thotë se nuk ka heq dorë nga Kosova. Prandaj, Kosova duhet të tregoj me vepër se Serbia nuk do të mund ta ketë kurrë më Kosovën”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.

Mehazi: Qëllimi i autoriteteve, favorizimi nga ndërkombëtarët.

FOTO GALERI
E në lidhje me këtë njohësi i çështjeve politike profesor, Sulejman Mehazi, ka thënë se nëse deklarata e Drejtorit të Institutit të Kosovës për Studime Ndërkombëtare, Bedri Elezit është e vërtetë, atëherë kjo është skandaloze e shumë e rrezikshme, jo vetëm për Kosovën, por edhe për shtetet fqinje, BE-në dhe SHBA-në.

ipas tij, se sa është e vërtetë deklarata e Bedri Elezit tregojnë vetë faktet në terren, se Vuçiqi duke vërejtur krizën politike qeveritare dhe errësirën pandemike pa pyetur autoritetet e Kosovës fare, fut mjekë e infermierë e zbaton ligjet serbe me anë të orës policore. “Me këto veprime Serbia bën parapërgatitje paradialoguese favorizuese për shkëputjen e pjesës më vitale të Veriut”.

“Qëllimi i autoriteteve serbe është që para ndërmjetësuesve Lajçak dhe Grenell, Serbia të jetë e favorizuar në teren të Kosovës gjatë dialogut me autoritetet e Kosovës. Veprimet e tanishme pandemike e politike serbe në Veri të Kosovës mund të krahasohen me të Bosnjës, ku Millosheviqi para dialogut me Izetbegiviqin pushtoi 50 % të territorit të Bosnjës që për të qenë në diferencë dialoguese politike ndaj Izetbegiviqit. Qëllimi i Vuçiqit është së pari territori i Veriut e pastaj dialogu me Kosovën. Autoriteteve të Kosovës s’u ka mbetur gjë tjetër përveç që të reagojnë politikisht ashpër ndaj kësaj mynxyre të fshehtë serbe te përfaqësuesi amerikan Grenell dhe te ai evropian Lajçak. Nëse Grenell është i ashpër ndaj taksave serbe, pse mos të jetë i ashpër edhe ndaj politikës agresive serbe ndaj territorit të Kosovës”, ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

Mulliqi: Kosovës nuk i duhet ndarazi as BE –ja dhe as Amerika si ndërmjetësues në dialog

FOTO GALERI
Ndërsa, analisti politik Skender Mulliqi, ka thënë se kriza në veri, ndoshta është më e theksuar, së kriza e përgjithshme në Kosovë.

Sipas tij, këto kriza politike, institucionale e morale na rrodhën nga njerëzit e politikës, të cilët nuk i kushtuan sa duhet rëndësi planeve zhvillimore e as avancimit të proceseve demokratike.

“Në vend të përparimit zunë vend keqpërdorimet e të gjitha llojeve, kjo klasë politike dështoi në shtet ndërtim dhe mirëqenie. Veriu kurrë nuk është vu nën kontroll të plotë nga organet tona të shtetit. Dihet së atje për vite më radhë dominuan strukturat paralele kriminale serbe. Faktikisht në urën mbi lumen Ibër minoriteti serb i dirigjuar nga politika e Beogradit zyrtar e ndan Mitrovicën në dysh. Në këtë pjesë të vendit kurrë nuk pushuan kontrabandat, rrahjet shqiptareve, dhe mos kryerja e obligimeve të minoritetit serb karshi shtetit të Kosovës. U bënë shumë lëshime gjatë procesit të dialogimit më palën serbe, si kur bëhet fjalë më decentralizimin ,ashtu edhe më dhënien e disa kompetencave vendimmarrëse të Asociacionit të Komunave Serbe. U futem në dialog pa kushte që ishte gabim i madh. Dhe, natyrisht së gabimet tona në këtë proces edhe po na kushtojnë. Në situatën e tashme kur Kosova ka hy në karantinë nga koronavirusi si e gjithë bota, po orkestrohen zërat se qeveria ka lejuar Beogradin, të vendos masat e karantinës”, ka thënë analisti politik Skender Mulliqi.

Ai tutje ka shtuar se Qeveria i ka demantuar te gjitha këto, kur është fjala së kanë ardhur njerëz të shërbimeve sekrete kjo nuk është asgjë e re.

“Ata në veri janë krejt pas luftën, të cilët edhe shkaktuan shumë incidente më shpërthime të ndryshme për ta mbajtur Kosovën të destabilizuar. Por, kur është fjala të çfarëdo ndërhyrje të qeverisë në dorëheqje , do ta eskalonte situatën në pa kthim në dëm të shqiptarëve. Kjo do të shfrytëzohet nga Serbia në secilin plan para botës demokratike. Situata në veri është e qetë, dhe nuk ka ndonjë paralajmërim për tensionim të gjendjes, tash kur po behën edhe përgatitjet për rifillim të dialogut nga përfaqësuesi i posa emëruar i BE-së, Mirosllav Lajqak, i cili emërim ka ndarë spektrin politik në dysh, dhe kur dihet së BE-ja ka paralajmëruar ndihmë Kosovës më 160 milionë euro”, ka thënë analisti politik Skender Mulliqi.

Sipas tij, Kosovës nuk i duhet ndarazi as BE –ja dhe as Amerika si ndërmjetësues në dialog me Serbinë, por i duhen të dyja së bashku, siç na nevojitet edhe neve unitet dhe një platformë politike e përbashkët.

“As një emër i përveçëm nuk është Amerika si Grenel dhe as Lajqak, që përfaqëson qëndrimet e BE-së. Të kthehemi edhe pak te situata ne veri, ku , presidenti Vuçiq ka shprehur gatishmërinë të ndihmojë komunitetit serb në Kosovë, por edhe të bashkëpunojë me shqiptarët në kuadër të ndalimit të përhapjes së Covid-19”, thuhet në komunikatën e Presidencës së Serbisë. Kështu që unë nuk shoh këtu ndonjë tendencë për ndërhyrje eventuale të Serbisë ne veri. Dhe, nuk është aq e thjeshte dhe aq e lehtë një gjë e tillë, kur dihet së kufijtë e Kosovës i ruajnë forcat paqeruajtëse të KFOR-it. Rreziku për Kosovën dhe të ardhmen e saj më shumë na vjen nga mos uniteti ynë , së sa nga kërcënimet nga jashtë. Qeveria duhet të ndihmohet në këtë situatë të rënd nga pandemia, dhe në çdo situatë tjetër kur bëhet fjalë për interesin e shtetit të Kosovës. Suksesin tonë përballë Serbisë e manifestojnë politikat tona të përbashkëta dhe jo përçarjet të cilat po i shohim”, ka thënë analisti politik Skender Mulliqi.

FOTO GALERI
Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti, ka thënë se dyshimet janë shumë të forta për më tepër se Veriu ka qenë temë diskutimi edhe në mes të liderëve në Bruksel.

Sipas tij, kjo kohë mund të përdoret nga persona të caktuar në Prishtinë dhe Beograd për të krijuar incidente, dhe për të përdorur si pretekst për ndarje të vendit.

“Natyrisht se Serbia është më e interesuar në këtë aspekt e cila synon të merr Veriun, të cilën do ta përdor edhe për të marrur pjesë në pasurinë e Trepçës. Madje të gjitha këto në këtë çast janë të mundura, andaj kërkohet vigjilencë për të mos u realizuar skenarët e tilla. Duke parë këtë situatë është e nevojshme që të gjithë mekanizmat shtetëror të Kosovës të jenë të bashkuar dhe në vigjilencë të plotë. Gjithashtu duhet kërkuar edhe nga KFOR-i që të shtoj praninë e saj në Veri, si dhe në kufirin me Serbinë. Kosova nuk mund dhe nuk guxon të bëhet protagoniste e ndarjes. E dimë se ka shumë paramilitare në Veri të cilët janë të gatshme për të përfituar nga situata të tilla dhe janë të paguara shumë mirë për incidente të tilla. Prandaj si asnjëherë më parë duhet të kemi kujdes”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

Related posts

Pamje të rralla: Kryekrimineli serb – Millosheviq në duart e forcave amerikane, shihej në siklet të madh

dardanianews

Lajmi i fundit: 10 raste të reja me COVID-19, shkon në 387 numri i të infektuarve në Kosovë

dardanianews

Vitia takon Osmanin dhe Nagavcin, flasin për koordinim në menaxhimin e situatës me COVID-19

dardanianews