11.2 C
New York
November 27, 2020
DardaniaNews
Featured Lajme

Ish-bashkëluftëtari i Sali Çekajt i ashpër me Thaçin e Veselin: Ju ‘trimat’ e dikurshëm, mos dukeni rrenca dhe keqbërës, por ballafaqohuni me drejtësinë

Zyra e Prokurorit të Specializuar ditë më parë ka njoftuar se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli janë dy të akuzuarit e parë që pritet të paraqiten në Gjykatën Speciale në Hagë.

Lidhur me këto aktakuza të fundit nga Specialja për gazetën “Bota sot”, ka folur veprimtari i cështjes kombëtare.

Saim Tahiraj, veprimtari i hershëm i LDK-së në diasporë, e ish-bashkëluftëtari i heroit, Sali Çekaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se deklaratat se kinse po akuzohet UÇK-ja dhe institucionet e Kosovës, e në rastin konkret pikërisht presidenti, sipas Tahirajt, këto akuza ndaj Gjykatës Speciale fare nuk qëndrojnë, por kanë qëllim të mjegullojnë opinionin, pasi ai mendon se Specialja po heton dhe do t’i gjykojë individët, veprat konkrete të tyre, pretendimet qofshin ato të supozuara dhe jo Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Image

Saim Tahiraj

FOTO GALERI

“Pasi që prokurori pranë Gjykatës Speciale bëri publike aktakuzën ndaj Thaçit dhe Veselit, menjëherë u alarmua e tërë situata politike në Kosovë, ndonëse e brishtë ishte. Pati reagime të shumta nga drejtues të partive politike, shoqatave, analistëve dhe individëve të ndryshëm. Vërshuan deklarata të shumta pothuajse bënin garë se kush më shumë po tregohej më patriot, duke shkarë në servilizëm të hapur edhe duke sulmuar e hedhur baltë mbi Gjykatën Speciale. Të gjithë këta patriot laramanë harruan se kjo gjykatë është themeluar nga Parlamenti i Kosovës dhe se funksionon me ligje të Kosovës. Athua pse kjo befasi dhe këto reagime kaq të ashpra kur të gjithë e kanë ditur se kjo do të ndodhë, madje edhe është përfolur për përsonat keqbërës dhe ka qenë e ditur. Në të gjitha këto, sidomos në reagimet e fundit euforike, thuhet se po akuzohet UÇK-ja dhe institucionet e Kosovës, e në rastin konkret pikërisht Presidenti. Këto akuza ndaj Gjykatës Special fare nuk qëndrojnë, por kanë qëllim të mjegullojnë opinionin sepse ajo po heton dhe do t’i gjykojë individët, veprat konkrete të tyre, pretendimet qofshin ato të supozuara dhe jo UÇK-në”, ka thënë Tahiraj.

Tutje, ai i bën thirrje Thaçit dhe Veselit që të ballafaqohen me drejtësinë dhe të mos fshihen pas UÇK-së.

Ndërsa, potencon se presidenti Thaçi duhet sa më parë që ta lirojë postin e tij të presidentit, në mënyrë që të zëvendësohet me një person kredibil.

“Të gjitha veprimet kriminale të pretenduara ose të vërtetuara nga gjykata, janë veprime individuale dhe kurrsesi nuk guxojnë dhe as që i adresohen UÇK-së, kjo edhe u përsërit disa herë nga eksponent kryesorë të këtij procesi. Ju ‘trimat’ e dikurshëm ballafaqohuni me drejtësinë dhe dëshmone pafajësinë apo fajësinë̈ tuaj dhe mos u fshihni pas UÇK-së që të mos dukeni rrenca dhe keqbërës. Shumë prej reagimeve dhe pseudo analistëve po thuhet se po dëmtohet shteti i Kosovës sepse akuzohet institucioni. Këta do të duhej të shkonin kaherë te shtëpia sepse kësisoj edhe pas 100 vjetëve do ta kemi të njëjtën situatë vendnumërimi dhe janë të papërmirësueshëm. Nuk po dënohet Kosova as shqiptarët që luftuan për lirinë e vet, por po akuzohet individi me emër dhe mbiemër që s’kanë asnjë pikë kredibilitet në popull dhe janë të ngulfatur me dyshime. Ky president duhet që sa më parë të japë dorëheqje dhe ta liron pozitën që ka, në mënyrë që ta zëvendësojë një person tjetër kredibil dhe që pastaj t’i adresohet se vërtetë nuk e përzinë lëmsh lirinë e Kosovës me fajin apo pafajësinë e tij. Pra, shumë e thjeshtë po akuzohet individi e jo Presidenti”, ka shtuar Tahiraj.

Në fund, Tahiraj shprehet se beson se nga Gjykata Speciale do të zbulohet përfundimisht e vërteta rreth vrasjeve të zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

“Në pyetjen tuaj se a prisni që të zbulohen vrasjet politike të figurave të LDK-së. Shpresoj shumë se po. Jo rastësisht që 20 vjet kjo kërkohet e kurrë as nuk harrohet e as nuk vjetrohet. Këtë e bazoj në faktin se edhe nëse e lexoni akuzën e bërë publike, të parët janë̈ shqiptarët që janë bërë krime ndaj tyre, pastaj vijnë̈ të tjerët. Unë besoj se do të zbardhen sidomos vrasjet politike nga kjo gjykatë, andaj të gjithë duhet të jemi të qetë dhe ta lejojmë̈ që ky proces të zhvillohet pa presione, pa shantazhe dhe provokime të tjera të ndryshme. Se sa shumë nevojë ka Kosova për një gjykatë të tillë e vërtetoi edhe përfundimi i gjykimit të rastit Pronto së fundi dhe se çfarë dënimi qesharak morën të akuzuarit keqbërës. Në Kosovë nuk ka sistem të mirëfilltë juridik, andaj, e kemi këtë gjykatë që të na mësojë se si duhet ndarë drejtësia dhe të jetë një mësim njëherë e mirë që krimi dhe kriminelët të mos rëndojnë mbi njerëzit e pafajshëm dhe familjarët e tyre dhe askush të mos mendojë se mund t’iu ndihmojë atyre siç ishte edhe rasti i fundit shokat”, ka thënë krejt në fund, Saim Tahiraj, veprimtari i hershëm i LDK-së në diasporë, e ish-bashkëluftëtari i heroit, Sali Çekaj.

 

Related posts

Quint’i s’ka konsensus, Gjermania e Franca i nisin demarsh LDK’së që ta tërheq mocionin

dardanianews

Nuk ndalet Albin Kurti: E shkarkon drejtorin e Aviacionit Civil

dardanianews

Osmani i godet LDK-në e Hotin: Përdhosët vullnetin e qytetarëve, i jeni kundërvënë popullit

dardanianews