2.2 C
New York
March 8, 2021
DardaniaNews
Featured Lajme

Kosova e Shqipëria më të dobëtat në Ballkan për luftimin e korrupsionit

Kosova për një vit nuk ka shënuar asnjë progres në luftën kundër korrupsionit. Sipas “Transparency International”, Kosova renditet në vendin e 104 së bashku me Shqipërinë. Shtetet e tjera të Ballkanit janë renditur më mirë. Njohësit vlerësojnë se kjo gjendje ka ardhur si pasojë e politizimit të sistemit të drejtësisë

Gazeta Express

Kosova ka dështuar në luftën kundër korrupsionit. Rezultatet e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2020 kanë konfirmuar vazhdimin e stagnimit të vendit në luftën kundër këtij fenomeni. Për të dytin vit radhazi, Kosova ka shënuar vetëm 36 pikë në këtë aspekt duke u renditur në pozitën e 104-të së bashku me Shqipërinë, Algjerinë, Bregun e Fildishtë, El Salvador, Vietnamin dhe Tajlandën, shkruan Gazeta Express.

Mesatarja që ka arritur Kosova edhe për këtë vit, sipas “Transparency International”, është larg asaj globales e që është 43 pikë. Në ndërkohë mesatarja e Evropë është 66 pikë.

Lidhur me këtë çështje janë deklaruar edhe njohësit e këtij sektori në Kosovë. Sipas Ehat Miftarajt nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), problemi kryesor qëndron në politizimin e sistemit të drejtësisë dhe në mungesën e vullnetit politik për ta përmirësuar sundimin e ligjit.

“Problemi kryesor qëndron në politizimin e sistemit të drejtësisë, mungesën e vullnetit politik për të përmirësuar sundimin e ligjit dhe nevojën e politikës dhe grupeve të interesit për të vazhduar me këtë qasje ku qëllimi final është vazhdimi i kulturës së pandëshkueshmerisë dhe përmes mos veprimit të institucioneve të ndjekjes dhe gjykimeve sa për të dhënë të amnistohen zyrtarët e korruptuar”, ka thënë ai për Express.

Sipas tij ky problem në Kosovë është sistematik dhe se ligji zbatohet vetëm në baza selektive.

“Problemi i mos luftimit të korrupsionit në Kosovë është sistematik.  Ligji në Kosovë zbatohet në baza selektive ku degradimi dhe mungesa totale e integritetit të institucioneve dhe bartësve të sistemit gjyqësor dhe prokurorial ka humb besimin se mund të ndryshoj kjo qasje. Prokurorët dhe gjykatësit në Kosovë paguhen më standarde të shteteve të zhvilluara të BE-së.  Përderisa të njëjtit paguhen nga taksat e qytetarëve, ky shërbim nuk kthehet në dobi të qytetarëve por si mjet për të rehabilituar dhe amnistuar aferat korruptive  , duke e shndërruar sistemin e drejtësisë si dikaster të partive politike dhe qeverive pa dallim”, ka deklaruar ai.

Në ndërkohë nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), theksojnë se këto rezultatet tregojnë që Kosova ka nevojë urgjente të përqendrohet në tre fusha në mënyrë që të bëjë përparim.

Sipas tyre Kosova ka nevojë për ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të drejtësisë, luftën kundër korrupsion si dhe në fushën e prokurimit publik.

Pavarësia e sistemit të drejtësisë. -Ndërhyrja e vazhdueshme politike në punën e gjyqësorit kanë minuar punën e pavarur dhe profesionale të sistemit gjyqësor në Kosovë. Lufta kundër korrupsionit – Përkundër ndryshimeve të fundit në legjislacion, krijimi i grupeve të punës dhe mekanizmat kundër nivelit të lartë të korrupsionit, lufta kundër korrupsionit vazhdon të mbetet një nga sfidat kryesore të shoqërisë dhe institucioneve shtetërore të Kosovës.  Në fushën e prokurimit publik, kërkohet të rritet transparenca në të gjitha fazat e procedurës së prokurimit, por me theks të veçantë kërkohet menaxhim dhe mbikëqyrje për kontratat publike”, thuhet në reagimin e KDI’së.

Në ndërkohë Shqipëria, ndonëse ndan numrin e njëjtë të pikëve dhe renditjes me Kosovën, ajo ka shënuar përparim në këtë drejtim, duke u ngritur për dy pozita më lartë sesa vitin e kaluar.

Ndërsa sa u përket vendeve tjera të rajonit, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje-Hercegovina ndajnë pozitën 111, Serbia vendin e 94-t, Mali i Zi 67, dhe Kroacia 63.

Edhe këtë vit, në mesin e shteteve me performancat më të mira në luftim të korrupsionit renditen, Danimarka dhe Zelanda e Re, të përcjella nga Finlanda, Singapori dhe Zvicra.

Të fundit në këtë listë këtë vit gjenden: Sudani Jugor, Somalia, Siria, Jemeni dhe Venezuela. /Gazeta Express/

Related posts

Sa para i ka në konto Endrit Thaçi djali i presidentit

dardanianews

LAJMI I FUNDIT: Nga brenda mbledhjes së GP të LDK-së: Deputetët që po e kundërshtojnë mocionin (Emrat)

dardanianews

Kjo është renditja e partive politike në fletëvotimin për zgjedhjet e 14 shkurtit

dardanianews