Hetuesit e EULEX’it kanë bastisur sot zyrat e Organizatës së Veteranëve të UÇK’së, nga ku kanë marrë dosje të cilat aty u dërguan nga dikush i panjohur gjatë së hënës
Express ka siguruar pamje të kamerave të sigurisë, gjatë kohës kur hetuesit kanë hyrë në selinë e OVL-UÇK’së.
Ndërkohë, sekretari i OVL-UÇK’së, Faton Klinaku, ka konfirmuar për Express praninë e hetuesve të Speciales.
“Po kanë ardhë hetues të Gjykatës Speciale. E kanë kërku një kopje të atyre dosjeve që na kanë ardhë dje, një kopje që kemi pasur të ia japim Prokurorisë tonë, ua dhamë atyre”, ka thënë Klinaku.
Një pako me 4 mijë dosje të Gjykatës Speciale ka arritur të hënën në zyrat e OVL’së së UÇK’së në Prishtinë.
Deri më tani, nuk dihet kush e solli, megjithatë, brenda pakos kishte një letër në të cilën shkruante se gjatë ditëve në vijim do të arrijnë edhe 7 mijë dosje të tilla.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK’së, Husni Gucati, ka thënë të hënën për Express se në këto dosje ka edhe emra të dëshmitarëve.
“Dosjen e ka sjellë dikush sot në orën 09:15. Ka qenë me syze, me maskë dhe kapelë. Vetëm e ka lënë pakon dhe ka ikë. Në fillim jemi frikësuar se çka mund të ketë, pasi e kemi hapur me kujdes e kemi parë që ka material të Gjykatës Speciale”, ka thënë Gucati./Express/
https://www.televizioni.tv/embed/HyLHSj6LKkwP5Ua