Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se Gjykata Speciale duhet të zbardhë fatin e vrasjeve të anëtarëve të LDK-së, pasi sipas tij, këtë ia ka borxh drejtësisë.
“Gjykata e ka një periudhë kohore gjatë të cilës ai do të trajtojë të gjitha krimet që janë bërë dhe unë besoj që në atë periudhë kohore do të duhet të shqyrtoheshin edhe vrasjet e zyrtarëve, anëtarëve të LDK-së dhe duhet të shqyrtohen të gjitha vrasjet e tjera sepse nuk mund të themi se disa vrasje janë të rëndësishme e disa të parëndësishme sepse vetë gjykata e ka rolin që në një formë të iu kthehet ose t’ia kthejmë borxhin që kemi ne ndaj viktimave që kanë rënë si objekt i sulmeve që kanë ndodhur në atë periudhë”, tha Mustafa.
E kjo deklaratë e Mustafës ka nxitur reagimin e veprimtarit të LDK-së, Saim Tahirajt, i cili thotë se kjo është edhe një deklaratë kontroverse e kreut të LDK-së.
“Një deklaratë e tillë e kryetarit Mustafa është pjesë e deklaratave të tij kontroverse, jo serioze dhe të pasinqerta! Me rastin e arrestimit të disa krerëve të Shtabit të LPK-së nga Gjykata Speciale, pati deklaruar; “Besoj fuqishëm në pafajësinë e tyre”. Gjithashtu pati bërë apel që të bashkohemi të gjithë dhe të ndihmojmë në mbrojtjen e tyre!”, thotë Tahiri.
Ai e quan kontradiktore deklaratën e Isa Mustafës.
“Tani nëse e krahasojmë këtë deklaratë me deklaratën që ka dhënë sot është shumë kontradiktore, madje do thoja edhe shumë e pasinqertë kur ja shton faktin se tani veç po futemi në një proces zgjedhor. Në njërën anë kërkojnë nga Gjykata Speciale të hetohen dhe gjykohen edhe vrasjet politike të personaliteteve politike dhe ushtarake të LDK-së, kurse në anën tjetër beson fuqishëm në pafajësinë e atyre të cilët mbajnë përgjegjësit kryesore për të gjitha vrasjet politike. Po e them këtë duke u bazuar në bazë të funksioneve kryesor drejtues që kishin në Shtabin e UÇK-së, siç e quanin ata. Në fakt ai ishte vetëm Shtabi i LPK-së sepse përfaqësonte vetëm anëtarësinë e tyre dhe asgjë më tepër!”, shprehet Tahiri për gazetën “Bota sot”.
Tahiri deklaron se deklaratat e tilla nuk janë asgjë tjetër, por vetëm për konsum politik në një moment të caktuar.
“Kryetari Mustafa duhet t’i ndërpres këto deklarata kontradiktore dhe jo të sinqerta, t’i përvjelin mëngët dhe të punojnë konkretisht në këtë drejtim. Të formojnë një ekip profesionale me avokatë dhe jurist të njohur që ka LDK-ja dhe disa jashtë saj. Të fillohet sa më parë mbledhja e fakteve në bashkëpunim me familjaret dhe akterët tjerë, të krijohen dosje për secilin person të vrarë dhe të dërgohen në prokurorin e Gjykatës Speciale. Deklaratat nuk janë asgjë tjetër vetëm për konsum politik në një moment të caktuar, pastaj i merr era. Dosjet e ndërtuara mbi bazën e fakteve dhe dorëzimi i tyre në Prokurorin e Speciales janë e vetmja rrugë që sjellë rezultate konkrete e jo më demagogji”.
Veprimtari dhe ish anëtari i FARK-ut, Saim Tahiraj thotë se prapa vrasjeve politike në Kosovë është Shtabi i LPK-së me komandantë e zonave.
E kamë thënë disa herë dhe po e përsërisë se për të gjitha rastet e vrasjeve politike, duke filluar nga ministri kol. Krasniqi e gjerë te i fundit, përgjegjës janë Shtabi i LPK-së me komandantë e zonave. Deri sa ata me mburrje e kanë vjedhur pronësinë mbi luftën dhe deklarohen në vazhdimësi se ata dhe vetëm ata janë drejtuesit e luftës dhe çlirimtarët, deri sa në bazë të këtyre “meritave” morën majat e pushtetit në Kosovë, deri sa uzurpuan dhe vodhën pasurin e Kosovës, domosdoshmërisht duhet t’i marrin edhe përgjegjësit për vrasjet politike”, nënvizon Tahiri.
Më tej, Tahiri thotë se Gjykata Speciale detyrimisht duhet të merret me të gjitha vrasjet politike.
“Mos të fshihen prapa arsyetimeve të ndryshme banale dhe si burracakë të përpiqen të i ikin përgjegjësive që vetë janë deklaruar se i kanë pasur, por të tregohen ata far burrat e fortë, komandantët e fuqishëm, çlirimtarët e vetëm, pronarët e luftës dhe të lirisë! Një herë në jetën e tyre të deklarohen si të tillë duke marrë përgjegjësit që ja kanë vënë vete-vetës. Gjykata Speciale detyrimisht duhet të merret me të gjitha vrasjet politike”, shprehet Tahiri, duke shtuar se pa zbardhjen e këtyre vrasjeve liria nuk është e plotë.
“E them këtë për disa arsye, se: Pa zbardhjen e të gjitha vrasjeve politike nuk ka liri të plotë në Kosovë, është gjysmake. Shteti i Kosovës kurrë nuk do të jetë funksionalë plotësisht. Gjykata Speciale nuk guxon ti përsërit gabimet e UNMIK-ut, EULEX-sit dhe drejtësisë kosovare. Besimi i familjarëve të të vrarëve dhe popullatës shumicë është mbështetë te kjo gjykatë. Duke u bazuar në këto elemente Gjykata Speciale ka rol Historik, rolin vendimtarë për vendosjen e drejtësisë në Kosovë, pa të cilin nuk mundë të funksionoj shteti”, thekson Tahiri.
Ai shton se dështimi i Gjykatës Speciale do të jetë në zhgënjim i madh për Kosovën.
“Nëse vërtet do jetë në nivelin e detyrës historike për të cilën është formuar, populli i Kosovës do qetësohej, liria do jetë e plotë dhe shteti do jetë funksionalë dhe i fuqishëm. Ç’do dështim i kësaj gjykate do jetë një zhgënjim i madh për popullin e Kosovës dhe do hapë rrugë tjera me aventura të rrezikshme që do e dërgoj vendin drejt një destabilizimi dhe anarkie të paparashikueshme! Zbulimi dhe dënimi i urdhërdhënësve katil dhe kriminelëve ekzekutorë nuk do jetë befasi për shumicën e popullatës në Kosovë, për faktin se tani e njëzet vite është mirë e informuar me rrjedhën e ngjarjeve të luftës dhe pas luftës”.
“Do jetë befasi për një pjesë të vogël të popullatës të cilët ishin dhe vazhdojnë të jenë të manipuluar nga propaganda LPK-ist dhe verbërisht vazhdojnë ti besojnë asaj. Ndërsa pjesa besnike e tyre do ti përdorin të gjitha mundësit dhe mjetet për pengimin e zbulimit të vërtetës. Të gjithë ata që janë përgjegjës dhe të implikuar në një formë apo tjetër, i frikohen zbardhjes së vërtetës së madhe e cila po vjen si domosdoshmëri e kohës!”, përfundon për gazetën “Bota sot”, veprimtari i LDK-së, Saim Tahiraj.