8.6 C
New York
November 21, 2024
DardaniaNews
FeaturedLajmi i funditShqipëri

Zgjedhjet për kryetarin e ri të PD, votojnë 17.2% e anëtarësisë – informacionet e fundit mbi procesin

 

(E plotësuar 13:36) -Voton Bujar Nishani​

Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së Bujar Nishani ka votuar për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD që do të drejtojë partinë për 4 vitet e ardhshme.

Kujtojmë se Nishani ka qenë një prej kritikëve të Bashës.

Ndërsa ka mbështetur në këtë garë kandidatën Edit Harxhi.

Kandidati për kryetar të PD nuk e gjen emrin në listë

Zgjedhjet që po mbahet për kryetar të Partisë Demokratike, po regjistrojnë një skandalesh.

Po i sjellim me radhë, duke nisur nga Qarku i Gjirokastrës.

Atje mësohet se kandidati për kryetar të PD në zgjedhjet e fundit në Gjirokastër, Gjergji Dudi nuk e ka emrin në listë

Voton Agron Shehaj

Agron Shehaj është kandidati i fundit që ka votuar në selinë blu për kreun e Partisë Demokratike. Ai u shpreh se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme, por rëndësi të madhe ka edhe procesi i votimit.

Gjithashtu Shehaj shtoi se e sotmja do të vendosë fatin e zgjedhjeve të ardhshme.

“Falenderoj të gjithë mbështetësit, vëzhguesit e mi, dhe votuesit në të gjithë Shqipërinë, sot vendoset fati i zgjedhjeve të ardhshme. Është e rëndësishme se kush do të fitojë nga kandidatët, por është akoma më e rëndësishme procesi”, u shpreh Shehaj.

***

Ish kryeministri Sali Berisha ka dhënë votën e tij për kryetarin e ri brenda Partisë Demokratike. I pyetur nëse kjo garë do ta nxjerrë të ndarë apo të bashkuar PD-në, zoti Berisha tha se partia do të dalë e bashkuar nga zgjedhjet.

Përsa i përket deklaratës së tij për një rikthim të mundshëm në PD, Berisha tha se i qëndron konsistent deklaratave të dhëna.

“Të marrin pjesë sa më shumë në këtë proces votimi. Mesazhi i ditës së sotme është pjesëmarrja në votim. Unë besoj se pasi kam shprehur qëndrimin tim, kjo nuk do ta nxjerrë të ndarë por përkundrazi do ta nxjerrë të bashkuar. Kandidatët kanë shprehur pikëpamjet e tyre dhe janë zotuar që do të vazhdojnë pavarësisht nga rezultati përpjekjet e tyre për PD-në dhe vendin. Ti jo që do të nxjerrësh sekretet, po do sekretet e sekreteve. Unë jam konsistent në deklaratat e mia”, tha Berisha.

Partia Demokratike po zhvillon sot zgjedhjet për kreun e ri, të cilat kanë nisur në orën 08:00 të mëngjesit dhe pritet të mbyllen në 19:00, për të vijuar me numërimin e votave më 19:30, ku brenda orës 08:00 të ditës së nesërme pritet edhe rezultati.

Kreu i Komisionit të Zgjedhjeve në PD, Jemin Gjana, publikoi të dhënat e votimit deri më tani, ku tha se iu janë drejtuar kutive të votimit 12 948 anëtarë, ose 17.2% e anëtarësisë.

“12 948 anëtarë që kanë votuar, që do të thotë një shifër që shkon te 17.2%. Përgjithësisht procesi ka ecur normalisht. Nuk ka pasur vonesa në fillimin e procesit. Në dy-tre raste që ka pasur ndonjë ndërprerje për efekt të qartësimit të situatave të votimit për anëtarë me kartë janë marrë vendimet përkatëse në komision dhe procesi ka vazhduar”, tha Gjana.

Në garë për të drejtuar partinë e dytë më të madhe në vend janë kreu aktual i PD, Lulzim Basha, dhe tre demokratë të tjerë Fatbardh Kadilli, Edith Harxhi dhe Agron Shehaj.

Anëtarësia e PD në të gjithë vendin po voton mes katër kandidatëve për të zgjedhur kreun e ri të partisë, që do t’i udhëheqë për katër vitet e ardhshme.

Janë në total 75 mijë anëtarët e PD, që pritet t’i drejtohen 76 qendrave të votimit të ngritura në të gjithë vendin, përmes të cilave ata do të ushtrojnë të drejtën e votës për të zgjedhur kryetarin.

Sipas udhëzimit, ata duhet të zgjedhin vetëm 1 prej kandidatëve, pasi vota e tyre do të jetë nul nëse votojnë për më shumë se një prej katër emrave në garë. Në fletën e votimit, Fatbardh Kadilli është i renditur i pari, e pas tij Edith Harxhi, Agron Shehaj e Lulzim Basha.

***

Kandidatja në garë për drejtimin e PD-së Edith Harxhi, është shprehur se dita e sotme është një ditë e rëndësishme, dhe se fitorja do të jetë për ringritjen e PD-së.

Harxhi ka votuar në njësinë numër 5 dhe sipas saj procesi ka pasur parregullsi të mëdha pasi gjysma e anëtarëve të PD-së nuk i gjejnë emrat në lista.

Gjithashtu ajo i bëri thirrje demokratëve që të vendosin ditën e sotme me votë.

“PD është një aset, është një pasuri kombëtare, sot është dita e demokratëve, uroj shumë që të ketë një pjesëmarrje masive, pasi ne sot votojmë reformimin e PD-së. Absolutisht që mendoj se në radhë të parë do të fitojnë demokratët, jam e sigurt që vota e tyre do të jetë për ndryshimin.

Dita jonë fillon sot, unë filloj sot betejën time për të ringritur PD. Unë e kam shprehur kohë do të jem aktive në PD dhe beteja ime fillon sot, edhe po të mos fitojë, unë do të vazhdojë të luftojë por jam e sigurt që do të fitojë”, ka thënë Harxhi.

***

Zgjedhjet në PD, voton kandidati Fatbardh Kadilli

Kandidati për kryetar të PD-së Fatbardh Kadilli, ka votuar ditën e sotme për kryetarin e ri të PD-së, në selinë blu.

Kadilli i bëri thirrje demokratëve që të marrin pjesë në zgjedhje, ndërsa u shpreh se procesi i vërtetë është frymë me të cilin do të dalin demokratët.

***

Ekipi i kandidatit për kryetar të Partisë Demokratike Agron Shehaj bën të ditur se vëzhguesja e tyre në njësinë Nr. 5 është përjashtuar nga komisioni pa të drejtë.

Sipas grupit të Shehajt Enkeleda Cela është përjashtuar dhe momentalisht në këtë qendër nuk kanë asnjë vëzhgues.

Arsyet e përjashtimit nuk dihen ende

Voton Basha

Kreu në detyrë i Partisë Demokratike pas votimit doli në një deklaratë për mediat. Ai falenderoi mediat, anëtarët dhe të gjithë ata që po punojnë për këtë proces.

Sa i takon procesit, Basha tha se ai është unik dhe shtoi se qëllimi kryesor në rast se ai rizgjidhet për herë të tretë si kryetar do të jetë rrëzimi i regjimit Rama-Doshi.

“Dua të falenderoj mediat për mbulimin të këtij procesi unik, dua të falenderoj të gjithë demokratët dhe ata që po punojnë për këtë proces.

Këto janë vlerat tona, vlerat e demokracisë, vlerat e konkurencës dhe debatit. Me këto vlera e kemi nisur dhe këto vlera do të çojë rrëzimin Rama-Doshi”, u shpreh Basha.

***

Kryedemokrati Lulzim Basha i është drejtuar paraditen e sotme selisë së Partisë Demokratike, ku do të votohet për kryetarin e ri.

Vetë Basha shfaqet duke qëndruar në radhë, ndërsa shoqërohet nga Dhurata Çupi dhe Jorida Tabaku.

Në selinë e PD-së pritet të votojnë dhe Agron Shehaj dhe Fatbardh Kadilli, ndërsa kandidatja tjetër Edith Harxhi do të votojë në njësinë 5.

Image

Lulzim Basha

FOTO GALERI

Gjirokastër, ja sa anëtarë janë thirrur për të votuar

Procesi i votimit për Kreun e Partisë Demokratike ka nisur edhe në qarkun e Gjirokastrës.

1260 anëtarë do ti drejtohen qëndrave të votimit të zgjedhin kreun e ri të kësaj partie.

Kreu i PD në këtë qark Dasho Aliko është shprehur se procesi zgjedhor ka ecur normalisht dhe sipas parashikimeve të tij, pjesëmarrja do të jetë diku tek 60% pasi shumë prej anëtarëve rezultojnë të jenë në emigracion.

Flet Korreshi: Pjesëmarrje e mirë, kandidatët kanë vëzhguesit e tyre

Vijon prej orës 8 të mëngjesit procesi i votmit edhe në Lushnje. Janë 2694 anëtarë që do të votojnë sot për drejtuesin e ri të PD.

Kryetari i PD Lushnje, Sajmir Korreshi tha se procesi vijon normalisht dhe se 4  kandidatet kanë përfaqësuesit e tyre si vëzhgues në qendrat e votimit.

“Procesi ka filluar normal në orën 08:00.

Ka pjesëmarrje të mirë në votim dhe të katër kandidatë në garë kanë përfaqësuesit e tyre si vëzhgues në qendrat e votimit”, tha Korreshi.

Edhe Vlora po voton

Në Vlorë janë 1435 me të drejtë vote të cilët do t’i drejtohen qendrës së votimit të ngritur pranë selisë së PD në Vlorë, për të zgjedhur mes Lulzim Bashës, Agron Shehajn, Edit Harxhit dhe Fatbardh Kadillit,

Votimi është hapur në 08:00 dhe vijon normalisht.

***

Demokratët votojnë sot për kryetarin e ri, ku në garë përballë Lulzim Bashës janë Agron Shehaj, Edith Harxhi dhe Fatbardh Kadilli.

Votimi ka nisur prej orës 8 të mëngjesit, ndërsa janë 75 mijë anëtarë që do i drejtohen 76 qendrave të votimit.

Mësohet se tre kandidatët, Basha, Kadilli dhe Shehaj do të votojnë në selinë e PD-së, ndërkohë që Harxhi do të votojë në njësinë 5.

Në seli do të votojnë dhe anëtarët e kryesisë dhe deputetët e zgjedhur të kësaj force politike.

Votimi për kreun e ri të PD-së pritet që të mbyllet në orën 19:00, ndërsa të parët që kanë qenë sot në selinë blu ka qenë sekretari Gazment Bardhi dhe nënkryetari Edmond Spaho.

Votimi në Fier ka nisur pa probleme

Në Qarkun e  Fierit, votimet për kryetarë të PD-së kanë nisur pa probleme në orën 08:00.

Janë 2500 anëtarë me të drejtë vote, që janë thirrur për të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri të PD.

Për shkak të numrit të lartë të anëtarësisë në qarkun e Fierit  janë dy komisione të administrimit të Zgjedhjeve.

***

Është hapur zyrtarisht procesi i votimit për kryetarin e ri në Partinë Demokratike.

75 mijë anëtarë të PD do të drejtohen për të votuar në  76 qendra votimi, të ngritura në të gjithë vendin.

Kandidatët në garë për kreun e PD janë: Edit Harxhi, Fatbardh Kadilli, Lulzim Basha dhe Agron Shehaj.

Votimi ka nisur në orën 8:00 dhe do të përfundojë në oën 19:00.

***

Partia Demokratike mban sot zgjedhjet për kreun e ri. Në garë për të drejtuar partinë e dytë më të madhe në vend janë kreu aktual i PD, Lulzim Basha, dhe Fatbardh Kadilli, Edith Harxhi dhe Agron Shehaj.

Anëtarësia e PD në të gjithë vendin do të votojë sot mes tyre për të zgjedhur drejtuesin e ri që do të udhëheqë partinë për katër vitet e ardhshme.

Sa i përket fletës së votimit, i pari në listën e kandidatëve është renditur Fatbardh Kadilli.

Pas tij e dyta është Edith Harxhi, ndjekur nga Agron Shehaj dhe në fund kryetari në detyrë Lulzim Basha.

PD prej 8 vitesh drejtohet nga Lulzim Basha që prej largimit të Sali Berishës pas humbjes së vitit 2013 përballë socialistëve. Këtë vit, demokratët shkojnë në zgjedhje për kreun e ri pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit

 

Related posts

Zyrtari i lartë shtetëror del pozitiv me covid-19: Jam vetizoluar

dardanianews

‘Moska ka humbur 70% të raketave që kur filloi pushtimin e Ukrainës’

dardanianews

Hetem Ramadani me këshilla se si të mbrohemi nga coronavirusi

dardanianews