Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një komunikim për mediat dënoi ashpër skenat e ndodhura në selinë e PD, pas mësymjes së Sali Berishës dhe mbështetësve të tij, të cilat siç tha të kujtojnë vitin famëkeq ‘97.
Sipas tij, Sali Berisha i përket së shkuarës, që tashmë është bërë barrë dhe pengesë për demokratët në objektivin e tyre për të rrëzuar nga pushteti Edi Ramën.
Ky ishte një spektakël i shëmtuar i së kaluarës, i asaj të kaluarës që PD ka vendosur ta lërë pas. Shkaku i kësaj sjellje që të kujton të kaluarën është vendimi i djeshëm i këshillit kombëtar. Koha kur sallat e këshillave kombëtar ishin arenë rrahjesh ka marrë fund. Është një shenjë e ndarjes së pakthyeshme me anën e errët të Sali Berishës. Në përpjekje për karshillëk ndaj SHBA marrëzia e Sali Berishës nuk ka fund”, tha Basha.
Basha e cilësoi Berishën një ish-komunist të vjetër, një pakicë e dëshpëruar të cilën demokratët do ta lënë pas. Ai akuzoi ish-kryeministrin se po kontribuon për të mbajtur në pushtet Edi Ramën.
“Do të ecim përpara pa u ndaluar nga ish-komunistët…Sali Berisha e nisi si njëri me dy tesera partie në xhep dhe po e mbyll si një non grata. Kemi shkelur mbi standardet tona për t’i ruajtur fytyrën. PD do të çlirohet nga Sali Berisha dhe gorillat e tij. Këtë thirrje kam për Sali Berishën; hiq dorë nga të qenët tub oksigjeni për Edi Ramën”, u shpreh kryedemokrati Basha, njoftojnë mediat shqiptare.