Pas 3 vitesh në arrati, është arrestuar në Belgjikë Leonard Duka, i dyshuar si koka e një grupi kriminal që urdhëroi dhe ekzekutoi planin për të vrarë ish-efektivin e policisë Santiago Malko.
Duka ka qenë ortak me Ervis Martinajn në lojërat e fatit, por më pas u shndërruan në armiq të përbetuar.
Martinaj thuhet se i mori babanë peng vëllezërve Duka, duke ua dhunuar dhe treguar live.
Nga ana tjetër, Leonard dhe Erlis Duka akuzohen se vranë krahun e djathtë të Martinajt, Santiago Malkon.
Në 8 prill 2019, policia ushtroi kontroll në kompleksin “Halili” në Tiranë, ku gjeti një pistoletë tip “Glock”, 68 plumba luftarakë dhe një sasi e vogël hashashi, duke arrestuar personat: Leonard Duka, Oltjan Loga, Elvis Gaçaj dhe Dritan Agaj.
Policia gjeti në banesë edhe Trejsi Sejdinin.
Sejdini ka shpjeguar veprimet e saj gjatë asaj dite dhe faktin që ka folur në telefon me Leonard Dukën, të cilin e njihte prej dy vitesh, pasi ishte i fejuari i saj.
Kur ka shkuar në banesën e tij ka parë se aty ishin tre persona bashkë me Leonardin. Derën ia ka hapur Leonardi, ndërsa personat e tjerë ishin në kuzhinë duke biseduar.
Sapo ka hyrë në banesë ka shkuar për të fjetur në dhomë me Leonardin, pasi ishte e lodhur.
Në mëngjes, rreth orës 08:00 ka qenë në gjumë, nuk e ka ndjerë Leonardin, kur është ngritur, por ai i ka thënë të ngrihej se kishte ardhur policia për kontroll.
Por teksa policia ka shkuar brenda në apartament, njëri nga katër personat mendohet se ka hedhur pistoletën tip “Glock” nga ballkoni në çatinë e shtëpisë së një banori që rezultoi të mos kishte lidhje me ngjarjen.
Duka doli shumë shpejt nga qelia dhe vijoi aktivitetin kriminal.