Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka folur për figurën e Ibrahim Rugovës, Hashim Thaçit e Adem Demaçit, raporton Gazeta Sinjali.
Në një intervistë për revistën e cila menaxhohet nga shqiptarët në Shkup ‘Shenja’, Kurti ka thënë se këto janë personalitete historike dhe duhen kujtuar me respekt.
Shenja: Keni qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Adem Demaçit. Keni qenë, po ashtu, shumë aktiv edhe në kohën e politikës të Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Keni qenë kundërshtar i rreptë i politikave të ish Presidentit dhe udhëheqësit të UÇK-së, Hashim Thaçi. I kam dy pyetje: E para, çfarë i bashkon këto tre figura dhe, e dyta, ku mendoni se ata kanë gabuar në procesin e shtetndërtimit të Kosovës?
Kurti: Në këtë kohë festimesh e përvjetorësh jubilarë, këto tre figura duhen kujtuar me respekt për kontributet e tyre të cilat kanë qenë sidoqoftë thelbësisht të ndryshme, edhe pse në të njëjtin drejtim: atë të pavarësisë së Kosovës. Pikërisht kjo është gjëja që i bashkon këto tre figura të ndryshme nga njëra-tjetra. Nuk më lejohet mua si kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës të komentoj apo të bëj kritika ndaj personaliteteve historike, në kuadër të kontributeve të tyre për Kosovën. Le të merren me këtë gjë historianët. Unë e kam për detyrë t´i respektoj e t’u jem mirënjohës që secili ka dhënë aq sa ka ditur e mundur.