8.6 C
New York
November 21, 2024
DardaniaNews
EkskluziveHistoriLajme

Si ndodhi vrasja tinëzare makabre e Qerim Sadik Ferizit?

NGA: REXHEP FERIZI MË: 11 KORRIK 2024.

Qerim Sadik Ferizi
Me rastin e 25 vjetorit të zhdukjesHalit Qerim Ferizi – i mbijetuari i masakrës të Tivarit, i zhdukur në luftën e Kosovës në vitin 1999
Halit Qerim Ferizi, pinjoll i familjes së Ali Ferizit, u lind në janar të vitit 1920, në fshatin Kodrali të Deçanit, në gjirin e një familjeje të madhe dhe me zë të Rrafshit të Dukagjinit. Ende pa i mbushur gjashtë muaj, ia vrasin babanë, Qerimin. Qerim Sadik Ferizi u vra në rrethinën e Plavës të Malit të Zi, në një pritë tinëzare nga “Dora e zezë”; organizatë kjo kriminele-vrastare serbo-malazeze, që vepronte në rrethinën e Plavës, nën udhëheqjen e kryekriminelit me nofkën “Bata”. Ai la pas gruan-nuse, Ajmanen, me dy fëmijtë, vajzën dy-vjeçare Gjykën dhe djalin gjashtë muajsh, Halitin. Haliti u rrit jetim pa babë, nën përkujdesjen e nënës, e cila e ushqeu me dashurinë e pashterrshme për vendlindjen. Nëna i rrëfente për babanë e tij, eshtrat e të cilit preheshin diku larg përtej bjeshkëve, në varrezat e Plavës në Mal të Zi. Një burrë ndër më fisnikët dhe të jashtëzakonshëm të sojit të Ferizëve të Kodralisë. Vrasja e të atit qe një plagë e rëndë, e cila e therte si heshtë, në zemër dhe në mendje, ndër vite e dekada.
E gjithë jeta e Halitit ishte një dramë peshërëndë, që shtjellohej mes momenteve prekëse, anktheve dhe maktheve të shumta. Në gjendje të ngjashme dëshpëruese qëndronte e ëma, me dashurinë e madhe për të vetmin djalë që kishte. Dëshpërimin e tij mundohej ta mbushte me dashuri dhe qetësi prindërore. Me Halitin, të cilin në shenjë respekti e thirrja baba Litë, më lidhin shumë kujtime. Ishim të një gjaku. Atë e kam pasur edhe fqinjin e parë. Vetëm një gardh na ndante. Halitin e bashkëshorten e tij, Rukën, i kam llogaritur si prindërit e mi të dytë. Ruka, (që e thërrisnim dada Rukë), vinte nga një familje me zë e Sylërexhëve të Vranocit, shtëpi kjo e njohur për trimëri, mikpritje e bujari, në Lug të Baranit dhe më gjerë. Qerim Sadik Ferizi ishte atdhetar i devotshëm i çështjes kombëtare, mbështetës i lëvizjes kaçake, anëtar i organizatës “Mbrojta Kombëtare e Kosovës”, e cila ishte formuar më 7 nëntor 1918. Kjo organizatë kishte për synim çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e trojeve etnike shqiptare me Shqipërinë londineze.
Edhe pse Haliti nuk e pati fatin që ta njihte babanë e tij, ai ishte krenar për të kaluarën e lavdishme të tij. Nëse do vështrojmë tërë ecurinë e jetës së Halitit dhe mënyrën e të jetuarit, hasim nëpër histori të dhimbshme dhe prekëse. Udhët e tij të jetës tretën në kalvar vuajtjesh. Çdo kujtim i fëmijërisë, rinisë dhe burrërisë së tij, janë kujtime të thella vuajtjesh tronditëse, që ngërthejnë në vete plagë e vërragë nës hpirtin e tij. I lindur e rritur në kullën trekatëshe, e ndërtuar nga stërgjyshi i tij, Ali Ferizi, kullë kjo ndër më të njohurat e asaj kohe në Rrafshin e Dukagjinit. Në odën e burrave të asaj kulle, kryqëzoheshin bisedat e burrave të njohur të asaj kohe, këndohej kënga, rrëfehej historia e dhimbshme e popullit shqiptar. Në atë odë, Haliti u edukua, aty mësoi për traditat shqiptare, aty e kuptoi se në zemrën e madhe të këtij populli të lashtë, vendin më meritor e zënë besa, bujaria, fisnikëria, trimëria dhe atdhedashuria, virtyte këto, të cilat ju thelluan dhe ju ngjizën në shpirtin e tij, që ta donte e ta adhuronte me gjithë zemër tokën e shenjtë të atdheut.
close
volume_off
Pushtimi i Kosovës nga Mbretëria Jugosllave dhe kolonizimi i saj me ardhacakë serbë e malazezë solli errësirën në trojet shqiptare. Pinjollët e Ali Ferizit që dikur ishin familje e pasur e jetonin në harmoni dhe begati, fal punës së tyre me kultivimin e bujqësisë dhe blegtorisë, koha kthej për të keq tek ta. Pas kolonizimit të tokave të tyre, ata jetonin me vuajtjet e kohërave të liga, gjithnjë luftonin për ekzistencë, për bukë të gojës. Me halle e derte dhe plot vuajtje e bënin jetën e bujkrobit, në pronat e tyre të uzurpuara. Kjo periudhë jete zgjati mbi dy dekada, por me gjithë peshën e rëndë të vuajtjeve, pinjollët e Ali Ferizit kurrënuk u tundën as lëkunden nga trualli shekullor “se balta e atdheut ishte më e ëmbël se mjalta”. Me sakrifica të mëdha ata u bënë ballë të gjitha sfidave të shumta, të atyre kohërave të liga, duke i ruajtur me fanatizëm dhe me vendosmëri traditat shqiptare.
Haliti thellë në vete i ruante të freskëta kujtimet që kishte përjetuar që nga fëmijëria, adoleshenca dhe rinia e hershme. Këto tri periudha të jetës së tij, hedhin dritë në tri dimensione kohore; në vend që të gëzonte një jetë të lumtur dhe plotë kënaqësi, ai u përballë me dhembje, pikëllim, me ëndrra të shuara plot ankth dhe shpresë të sfilitur. Haliti i pa me sytë e tij torturat, vrasjet dhe masakrat që bënin ushtria, xhandarmëria të ndihmuar edhe nga kolonët serbo-malazezë, ndaj popullsisë shqiptare, pamje këto që kishin lënë gjurmë të pashlyera në shpirtin e tij njomzak. Në fillim të viteve ’40-a të shekullit të kaluar, filloi Lufta e Dytë Botërore. Evropa u pushtua nga ushtria nazi-fashiste. Mbretëria jugosllave u pushtua shumë shpejt nga këto forca. Populli shqiptar, shkatërrimin e Mbretërisë jugosllave e përjetuan si çlirim. Kur ndodhi kjo, Haliti ishte në moshën 21 vjeçare, ishte një djalosh që nuk ndjente frikë nga vdekja, ishte i gatshëm te vdiste për atdhe. Në vjeshtën e vitit 1941, Lufta e Dytë Botërore ishte në vorbullën e luftërave më të përgjakshme në hapësirat evropiane. Zjarri i luftërave kishte përfshirë edhe shumë troje të viseve shqiptare.
Lajme dramatike vinin nga Rugova, Plava e Gucia, Rozhaja e Pazari i Ri, se bandat çetnike serbo-malazeze, të udhëhequra nga kryeçetniku, Drazhë Mihajli, kërcënonin popullatën shqiptare të këtyre viseve, deri në shfarosje e gjenocid. Duke e parë këtë gjendje të rëndë, populli shqiptar lëshoi kushtrimin. Në Kosovë, Malësi të Gjakovës, Malësi të Mbishkodrës, u mobilizuan burrat e këtyre trojeve, me vendosmëri dhe besën e dhënë, ngjeshën armët dhe me nxitim marshuan drejt bjeshkëve të larta. Çetat shqiptare te udhëhequra nga bajraktarë dhe krerë fisesh, ishin të ndara në tri drejtime. Malësorët kishin mësyrë drejt Plavës e Gucisë, Rrafshi i Kosovës drejt Rozhajës dhe Pazarit të Ri, kurse Haliti ishte përkrah kushërinjve e bashkëvendësve të shumtë, të sistemuar në çetat e Rrafshit të Dukagjinit, të udhëhequra nga Demë Ali Pozhari. Luftuan ata bashkë me trimat e Rugovës nga Çakorri, për Lug të Limit, në Murinë, Andrjevicë e deri në Krajle. Ku u vra trimi me nam, Lan Selimi. Çetat çetnike e drazhiste shpejt u shpartalluan dhe u shporrën nga Plava e Gucia, Rugova e Rozhaja dhe Pazari i Ri. Në pranverën e vitit 1942 kishte paralajmërime për ri-grumbullimin e hordhive serbo-çetnike, por çetat shqiptare të udhëhequra nga luftëtarët trima, shpejt u rishfaqën në këto vise shqiptare, duke i shpartalluar ato si dhe duke pastruar terrenin nga korbat e zi të Drazhë Mihajlit.
Në fund-verën e vitit 1944 forcat nazi-fashiste u tërhoqën nga Kosova. Në tetorin e po atij viti Kosova vërshohet nga brigadat partizane. Ndërkaq, në dimrin e vitit 1945, Kosova ripushtohet nga brigadat partizane serbo-jugosllave. Në fillim të marsit të vitit 1945 filloi mobilizimi me dhunë i regrutëve shqiptar anekënd Kosovës. Fatin e njëjtë sikurse shumë regrutë e pati edhe Haliti, i cili i mbijetoi masakrës më të tmerrshme, asaj të Tivarit. Por ai nuk mund t’i largonte nga mendja e tij të gjitha ato drama, kur xhelatët serbo-sllav, pa kurrfarë arsyeje torturonin, vrisnin, pushkatonin regrutët e rinj, me pretekstin e vetëm se ishin shqiptarë. Kjo bëhej edhe më e rëndë, kur e kujtonte kasaphanën e Tivarit, ku mbetën të vrarë dhe të plagosur regrutë të pafajshëm, ku oborri i ndërtesës famëkeqe ishte skuqur dhe larë me gjakun e njomë të djelmoshave shqiptarë.
Në një gjendje të rëndë shpirtërore, Haliti bashkë me regrutët e tjerë, që i mbijetuan masakrës së Tivarit, nisen drejt frontit të Adriatikut. Kjo ishte odisejada tjetër, që regrutët shqiptarë duhej kaluar në këmbë, shumë qindra kilometra rrugë, që nga Tivari drejt Dubrovnikut për të vazhduar drejt Trogirit, Splitit, Shibenikut, Rijekës e deri në Trieshtë. Meqenëse lufta, tashmë, kishte përfunduar dhe plani serbo-sllav për shpërbërjen e qëndresës shqiptare ishte realizuar, regrutët shqiptarë do të lirohen që të kthehen në vendlindje. Kthimi i Halitit në Kodrali ishte një gëzim i papërshkruar, për familjen dhe farefisin. Edhe pse të gjithë e kishin menduar të vdekur, ai u kthye, por në gjendje të rëndë shëndetësore. Pas një periudhe dy-vjeçare, Haliti martohet me Rukën dhe krijon familje, me lindjen e fëmijës së parë Qerimit, pastaj Rifatit, Zyhrasë dhe Ferizit.
Të gjithë bashkë, jetuan të lumtur deri kur shpërtheu lufta e fundit në Kosovë. Nata e 12 prillit 1999 ishte nata e fundit në Kodrali për Halitin dhe kushërinjtë e tij: Ramadanin dhe vëllezërit Shaqë e Njazi, Ismetin, Bylbylin, Skenderin, Bashkimin dhe Isa Hasajn. I tërë fshati boshatiset, përveç dy plakave fatzeza: Cymë Ferizi dhe Ajshe Hasaj, që policia serbe i kërcënoi të qëndrojnë ne shtëpitë e tyre. Të nesërmen ishte 13 prilli, dita më e kobshme për fshatin Kodrali, ku i tëri bie në një heshtje mortore, gjersa në shtëpinë e Halitit stacionohen falanga serbo-çetnike. Të gjithë të zhdukurit ekzekutohen në rrethana dhe vende të ndryshme, përveç Halitit, i cili nuk u gjet, sot e kësaj dite. Ndonëse u kërkua në çdo vend, ku dyshohej për varreza masive apo vende të dyshimta të vrasjeve, që i kishin bërë forcat policore dhe paramilitare serbe, në shumë vende të Rrafshit të Dukagjinit dhe më gjerë. Mjerisht, deri më sot nuk dihet asgjë për fatin e tij, ashtu siç nuk dihet asgjë për fatin e shumë bashkëvendësve të tij deçanas, si dhe më shumë se 1600 personave të tjerë shqiptarë të Kosovës. Zhdukja e Halit Ferizit pa asnjë gjurmë është një humbje e madhe për familjen dhe farefisin, sepse ai ishte një dëshmitar i gjallë i shumë ngjarjeve historike, nëpër të cilat kaloi populli ynë, gjatë shumë dekadave, në luftën e tij për liri dhe pavarësi.
Retrospektivë: Si ndodhi vrasja tinëzare makabre e Qerim Sadik Ferizit?
Të rrëfesh dramën tragjike të Qerim Sadik Ferizit dhe të birit të tij, Halitit, ngjarjet të çojnë në stuhitë e njëpasnjëshme të barbarisë serbo-malazeze, ngjarje këto që kane shfarosjen totale të brezave shqiptarë. ​Në familjen e madhe të Ali Ferizëve të Kodralisë së Pozharit, secili burrë brenda në kullë kishte detyrën, që duhet ta kryente me përkushtim. Çështjen kombëtare e kishin të gjithë dashuri dhe traditë. Nga fisnikëria kjo familje nuk u nda kurrë. Qerimi qysh në vegjëli e adhuronte jetën baritore. Në moshën e pjekurisë, kryeplaku, i zoti i shtëpisë ia dha detyrën e çobanit. Qerimi verat i kalonte me bagëti në Bjeshkën e Jelenkut të Plavës. Dhe pikërisht aty në Jelenk dhe bjeshkët përreth, Qerimi ra në kontakt me çetat kaçake për çlirimin e tokave shqiptare, të pushtuara padrejtësisht nga Mbretëria Serbo-jugosllave. Kaçakët u bënë frymëzim lirie për Qerimin. Ai iu bashkua çetave kaçake, nën kauzën e lirisë duke e ndarë me ta dhembjen e pa fund për atdheun e pushtuar nga Serbia Monarkiste. ​Qerim Sadik Ferizi u lidh ngushtë me kaçakët, jepte informata për lëvizjet e ushtrisë e xhandarmerisë serbo-malazeze.
Veç këtyre veprimeve, i ndihmonte edhe me ushqim dhe veshmbathje. ​Plava me rrethinë në atëkohë ishte plot rreziqe për shqiptarët. Pre e këtyre rreziqeve ishte edhe Qerim Sadik Ferizi. Ai ishte në shënjestër të hafijeve të shumtë që vepronin në Plave e përrreth saj. Qerimi u vra në një shteg mali, në një pritë tinëzare në Lak të Babinës, diku në fund të qershorit të vitit 1920. Ajo çka ndodhi në ditën e vrasjes së tij, për shumë kohë ka qenë e mbuluar me mistere të pa fund, për vite e dekada, deri në vjeshtën e vitit 1969. Pikërisht, në fund të tetorit të atij viti, mësuam në detaje për vrasjen e Qerimit, nga një burrë nga Plava, që kishte ardhur për të rrëfyer për vrasjen makabër të Qerim Sadik Ferizit. Burri nga Plava, emrin e kishte Rrustem, ishte një burrë i gjatë me plis të bardhë, tirqi me gajtana, me një pamje të një malësori tipik, në një moshë të mesme.
Ai rrëfeu fije për pe për ngjarjen makabre të vrasjes së Qerimit. Ishte buzëmbrëmje të asaj nate vjeshte. Në oden e Halitit, ishin prezent kushërinjtë e një gjaku. Në ballë të odës përballë nesh, fillon rrëfimi për ngjarjen tragjike të Qerim Sadik Ferizit. Burri nga Plava, fliste dhe të gjithë e dëgjonin me kureshtje. Sipas fjalëve të tij, ishte mesditë me diell ku ai bashkë me disa çobanë, ndodheshin në një shpat mali, kur dëgjuan disa krisma pushke. Ata nxituan në drejtim të krismave. Rrustemi kishte vrapuar me shpejtësi dhe kishte dalë në një shteg mali, ku kishte hasur në Qerimin e plagosur rëndë. Aty ai e kishte pyetur Qerimin se kush e kishte qëlluar? Ai ishte përgjigjur “ni cërnagor”. Rrustemi ia jep besën Qerimit, që do ta vriste dorasin. Aty kanë ardhur edhe dy plavjanë të tjerë. Në atë moment, Rrustemi e kishte shtrire Qërimin në gjoksin e tij, ku edhe kishte vdekur nga plagët e marrura. ​
Rrustemi, bashkë me plavjanët, e varrosin Qerimin në varrezat e Plavës. Rrustemi për një kohë kishte hulumtuar dhe e kishte diktuar se kush e kishte vrarë Qerimin. Të cilin e kishte përcjellë për një kohë të gjatë dhe në pranverën e vitit 1933, e vret “cubin e flliqtë”. Pasi e kishte mbajtur vuajtjen përbrenda shpirtit të vet, si një burrë fisnik, me të kryer amanetin, ishte çliruar. Për një kohë të gjatë e kishin përcjellë xhandarmëria dhe pushteti i asaj kohe. Për disa vite kishte dalë në male e shpella dhe në Shqipëri. Në vjeshtën e vitit 1947, ai kapet, maltretohet dhe arrestohet nga organet e sigurimit serbo-malazez.
Për këtë vrasje u dënua me 20 vjet burg, të cilat i mbajti në Nish. Dhe pas rënies së Rankoviçit, amnistohet për 2 vite. Pas 18 viteve burg, lirohet dhe kthehet në vendlindje. Edhe pse në moshë mbi 60 vjeçare, ai martohet dhe i lindin dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. ​Atë natë vjeshte, pas rrëfimit të Rrustemit, të gjithë të pranishmit në odën e Halitit, u tronditëm për fatin, fatkeqësitë dhe vuajtjet e njëpasnjëshme të tij dhe njëherit u befasuam me trimërinë dhe sakrificën e tij. Andaj, Rrustemi dhe pasardhësit e tij mbesin miq të ngushtë, të dashur dhe të paharruar për mbarë familjen Ferizi. ​Kjo ngjarje ngjason me legjendat dhe baladat shqiptare, ku në thelb ka besën, fjalën e dhënë.

Related posts

Peticioni për heqjen e vizave për Kosovën, zyrtarja e BE-së tregon se sa nënshkrime janë mbledhur

dardanianews

Njihuni me motrën bukuroshe të Vjosa Osmanit

dardanianews

Osmani: Masa e përkohshme parandaloi një dëm të pariparueshëm në funksionimin e institucioneve

dardanianews