Hetimi i nisur nga Policia e Kosovës lidhur me një rast në prill të këtij viti ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme, konkretisht planifikim të një vrasje, prezantim të rremë si person zyrtar dhe mashtrim, raporton Gazeta Sinjali.
I dyshuari është një shtetas i Serbisë, i cili është përfundoi në prangat e Policisë pas një aksioni të zhvilluar të enjten në Fushë Kosovë.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari që u prangos është Remzija Bejic, rreth 53-vjeçar, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Sipas burimeve të Sinjalit, i dyshuari që nga muaji prill dhe në vazhdimësi është prezantuar te disa qytetarë si zyrtar i lartë i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm.
Bazuar në dosjen për këtë rast, Bejic dyshohet se edhe ka planifikuar vrasjen e një gruaje, shtetase të Kosovës, me pretendimin se e njëjtë gjoja po punon kundër interesave të vendit dhe duhet të vritet.
Përveç këtyre dy veprave penale, ai ngarkohet edhe me veprën ‘Mashtrimi’ që dyshohet se e ka kryer duke bërë shitblerje të pronave në Mal të Zi, me veprime të jashtëligjshme.
Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore nga ana e Policisë dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit, e po ashtu edhe me AKI-në, është identifikuar i dyshuari dhe i njëjti është kapur gjatë ditës së djeshme.
Në operacionin për arrestimin e tij, është kryer edhe bastisje në banesën e të dyshuarit, ku Policia e Kosovës ka arritur të gjejë dhe të sekuestrojë prova të ndryshme materiale, që përfshijnë edhe dokumente.
Ndaj tij, Prokurori ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve hetimore brenda afatit ligjor.