Shkruan: Idriz Morina
Partizani ri Albin Kurti, imitues i Hashim Thaçit me kompromise për serbët, dhe kërcënon institucionin e Prokurorisë – veçse më frikacak!
Albin Kurti po sillet si Hashim Thaçi, në shumë projekte, një vazhdues i tyre, madje duke e tejkaluar atë në projektet nacionale, për të keq.
Hashim Thaçi ishte figura kryesore në bisedimet për Pakon Ahtisari, duke e reduktuar Pavarësinë e Kosovës në lindje të saj, dhe duke e futur në qorrsokak.
Ai e pranoi atje decentralizimin dhe trashëgiminë fetare ortodokse në Kosovë, t’ju njihej serbëve.
Asokohe kjo u bë kryesisht në emër të kompromisit për krijimin e shtetit të Kosovës, e gëlltitur disi, duke parë kompromiset e ardhshme…!
Por, disa vite më vonë, u hapi rrugën kompromiseve të reja të mëdha, duke krijuar gabimin e tij të radhës, në pozitën e kryeministrit. E pranoi, pa e saktësuar apo limituar Projektrezolutën e BE-së, e sponzorizuar nga anglezët, për bisedime me Serbinë për serbët e Kosovës, me përkufizimin “për çështje jetike për serbët”.
Kjo paradigmë e gabuar, siç e pata analizuar dhe argumentuar po në ditën e pranimit të saj, (e cila në mesnatë të asaj dite, sipas kohës sonë), u kthye në Rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, me po atë tekst, pa asnjë ndryshim, prodhoi bisedime degjeneruese për shtetin e Kosovës në Bruksel. Në vitin 2013 nënshkroi Marrëveshje Hashim Thaçi, dhe e ratifikoi Kuvendi i Kosovës, e cila marrëveshje mori përsipër zgjerimin e kompetencave për komunat me shumicë serbe, drejt një autonomie.
Isa Mustafa e nënshkroi më 2015 një marrëveshje, duke i çuar më përtej këto synime, por për fat, pas shumë protestave masive, Gjykata Kushtetuese nxori vendim, që e reduktoi dhe e përmirësoi marrëveshjen në 23 nene.
Por, Albin Kurti, duke e përmbysur çdo zotim të tij publik, për më shumë se një dekadë, madje me protesta të përgjakshme si ato kundër Pakos Ahtisari (dy të vdekur dhe dhjetëra të plagosur) përfshirë edhe protestat e dhunshme kundër Asociacionit, pranoi një marrëveshje zotimi, që BE-ja po e konsideron si akt të saj, dhe obligativ për palët, dhe të cilën pa ekuivoke u zotua ta realizojë sërish Albin Kurti, pas fitores së Donald Trampit në garën presidenciale në SHBA.
Të drejtat e premtuara drejt një autonomie për serbët, u kornizuan me Marrëveshjen e Ohër-Bruksel.
Pra, në aspektin e vendimmarrjes për fatin e shtetit të Kosovës, është imitues i Hashim Thaçit.
Raporti me drejtësinë – Arbitrariteti dhe mosnjohja e autoritetit të drejtësisë
Që nga marrja e pushtetit ai ka treguar haptazi abuzim me sistemin e drejtësisë. Duke i marrë të mirëqena kritikat e tij për sistemin e drejtësisë, janë të papranueshme ligjërisht, qëndrimet në raport me arrestimet e njerëzve të besueshëm të tij dhe të hetimit të ministrave të tij.
Është fakt notor se sistemi hetues, meqë ai buron nga policia, dhe kjo ndikohet drejtpërdrejt nga Ministria e Brendshme, i nënshtrohet me automatizëm thuaja në tërësi pushtetit qeverisës. Kjo ndodhë edhe kryesisht për shkak të karakterit të nënshtrimit ndaj urdhrit dhe gradës (në ushtri veçmas, por edhe në polici), e vërtetuar shkencërisht dhe njihet si obediencë. Kjo ndodhë edhe me qytetarët, që janë të prirur të bëhen me pushtetin, pra një pjesë t’i nënshtrohet apriori, pavarësisht se kush është në pushtet.
Pra, duke e pasur pushtetin e kontrollit policor, arrestimin e udhëheqësit të KEK-ut për dyshime të bazuara për korrupsion, e konsideronte të padrejtë, dhe vetëm sa nuk bënte thirrje për protestë. Këtë e ka përsëritur sërish në prag të vitit të ri, madje duke e konsideruar shkelje procedurale.
Me këtë deklarim ai apriori e ka bërë vetën bashkëfajtorë të të akuzuarit Krasniqi.
“… ky sulm që është bërë ndaj drejtorit (Nagip Krasniqit) është bërë për shkak të suksesit të tij, jo për shkak të dështimit të tij, dhe tash rasti është komplet procedural, jo i ke nënshkrua kontratat ose dokumentet e caktuara me kohë ose jo. Çështje procedurale”, ka thënë Kurti për RTK-në.
Pra, ai mendon si një partizan tipik, të cilët i shpallnin gjykimet pa procedura, dhe pastaj i mbushnin dokumentet dhe seancat pas vdekjes. Madje edhe Kuvendi i Shqipërisë, miratonte ekzekutimet në seanca, pasi ata tashmë ishin ekzekutuar, dhe diktatori Hoxha, thoshte, “s’ka gj, e dimë ne”!
Por, shkelja e ligjit nga zyrtarët shtetëror, gjithmonë e nënkupton shkeljen e procedurave ligjore, të Kushtetutës ose të akteve nënligjore, si udhëzimeve administrative e rregulloreve,
Shkelja e Kushtetutës, ligjeve dhe akteve tjera e nënkupton po ashtu, veprën penale.
Me këtë deklarim Kurti ka dëshmuar se ka formim komunist, më saktë është një neokomunist, që sikurse paraardhësit e tyre, forma nuk kishte rëndësi, ani pse shkolla formaliste ruse, në vitet ‘30-të të shekullit të kaluar, kishin argumentuar se forma e përcakton përmbajtjen (në letërsi, dhe jo përmbajtja formën), dhe në demokracinë perëndimore, procedura ka tipare të një lloj “shenjtërimi”, se ligji duhet zbatuar germë për germë, dhe në asnjë mënyrë, që të kapërcehet ligji, në kundërshtim me të. Kapërcimet e tilla e nënkuptojnë shkeljen e procedurave ligjore, dhe më tej konsumimin e veprës penale.
Në komunizëm, dhe në diktatura përgjithësisht njeriu mund të pushkatohej dhe pastaj i bëhej gjykimi.
Refuzimi për ta njohur autoritetin e institucionit të Prokurorisë nëse se ka nën kontrollë, refuzim i demokracisë
Po ashtu është treguar i pamëshirshëm në shkeljen e të drejtave të gazetarëve, edhe të atyre që ai i ka konsideruar kundërshtarë, para se të vinte në pushtet.
Rasti i fundit, që Kurti të refuzojë t’ju përgjigjet si dëshmitarë madje, dy prokurorëve të Prokurorisë speciale, ngjet tmerrësisht me Thaçin.
Përveç se nuk ia njeh autoritetin institucionit të drejtësisë, ai sikurse Thaçi, po vepron në mbrojtje të të dyshuarve.
Derisa Thaçi, u vërtetua nga Prokuroria se katër veta kanë kryer veprime sipas planit të Thaçit, dhe se ai këtë e bëri për ta mbrojtur veten, por në kundërshtim me pikëpamjen e shprehur se ai është i pafajshëm për akuzat më të rënda, Albini, po i bën të duken edhe më fajtorë ministrat e tij të dyshuar për korrupsion, dhe apriori po e bën vetën bashkëpërgjegjës, për krimet që ata kanë mundur t’i kryejnë.
Albin Kurti, nëse presionin nuk po e ushtron në mënyrë të fshehtë si Thaçi, ai këtë po e bën duke ushtruar presion publik – pra qëllimi dhe motivi është i njëjtë, duke e gënjyer opinionin dhe duke e shtyrë drejt presionit në mbrojtje të ministrave të tij, miqve të tij, por edhe të vetvetes.
Refuzimi për t’u përgjigjur para prokurorisë speciale, në mënyrë të vazhdueshme, dhe pastaj, që ajo ta intervistojë në zyre, siç ka bërë Thaçi, është një prej rasteve të imitimit dhe kopjimit flagrant të sjelljes negative, përfshirë Ramushin, nga Kurti. E thënë madje në mënyrë eksplicite nga ai, se Prokuroria kështu ka vepruar me kryeministër tjetër!
Dhe më tej akoma, ai e ka kërcënuar institucionin e Prokurorisë, duke shkelur rëndë ligjet dhe Kushtetutën!
“Ua kanë mësy krejt ministrave tonë. Ata prokurorët kanë ardhur në Kryeministri dhe më herët, unë guxoj t’iu them s’po vijë, ta shohim tash a guxojnë ata të vijnë”, ka thënë Kurti, ndërsa Prokuroria Speciale e ka konfirmuar se ia ka dërguar dy ftesa Kryeministrit për intervistim si dëshmitar.
Pra, ai do trajtim dhe sjellje të njëjtë, sikurse dy figurat që vet ai dhe partia e tij, i kanë demonizuar më së shumti! Por, derisa ata dy mund ta kenë sfiduar drejtësinë për t’u pyetur si të dyshimtë, ky po shkon më tej, po e sfidon drejtësinë, për t’u pyetur si dëshmitarë!
Thaçi merrte nën mbrojtje ose i sistemonte në institucione serbët e dyshuar, Albini merr për këshilltarë dhe i vendosë në institucione shqiptarët që ishin lojal të regjimit të Millosheviçit.
Thaçi gjithmonë pas luftës dhe në fushatë si dhe nëpërmjet zërit të njerëzve në media, dhe në opinion për patriot të madh, dhe Rugovën mundohej ta portretizonte si tradhtar, Albini këtë po e bën me opozitën, sidomos me LDK-në, e cila e ka ndëshkuar Isa Mustafën për politikat e gabuara, sikurse edhe votuesi në zgjedhjet e fundit nacionale….
Rritja e presionit dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve kundërshtarë dhe madje edhe ndaj politikanëve
Kurti, asnjëherë nuk është distancuar dhe nuk ka bërë thirrje që mbështetës të tij apo edhe të përfshirët e subjektit të tij, në dhunën verbale, dhe kërcënime, që ato të ndalohen dhe t’i kthehen arsyes. Shumëkujt mund t’i kujtohet kur militant të Vetëvendosjes u nisën drejt shtëpisë së Isa Mustafës në vendlindjen e tij në Prapashticë, në shenjë revolte, por edhe si kërcënim i hapur fizik dhe pronësor, për kryeministrin e kohës, pasi ai kishte nënshkruar marrëveshjen e 2015-ës për më shumë të drejta për serbët, që më vonë u korrigjua nga Gjykata Kushtetuese.
Albin Kurti, kurrë nuk u distancua nga ajo përpjekje e dhunshme e grupit të dhunshëm, që u ndalua nga policia, të realizonte objektivat.
Është interesante se edhe në këtë pikë ngjet me Thaçin, i cili edhe pas vrasjes së gazetarëve, nuk bënte thirrje për ndaljen e dhunës, ndërsa Rugova e bënte këtë thirrje hapur, që të merrte fund dhuna dhe të hetohej ajo. Por, Kurti asnjëherë nuk bën thirrje për hetime, dhe sikur këtë institucion, mbase nga trauma e luftës, e sheh ende si të Serbisë, por nuk bën asgjë për t’i dëbuar elementet e atillë nga të gjitha institucionet, Qeveri, Kuvend, komuna, polici, AKI etj.
Pse nuk e bën këtë?
Kurti, për ata lexues që nuk e dinë, edhe gjatë luftës në Kosovë kur ndodhnin vrasjet politike, ai jo që bënte ndonjë gjë për t’i ndalur ato, kur është pyetur direkt nga gazetari, ka refuzua t’i dënojë, ka refuzuar madje të deklarohet! Duke shprehur në heshtje pajtimin me to!
Pra, edhe atëherë, ai ishte imitues i Thaçit apo që ndante thuaja shumëçka nga mendësia e tij!