Vëllai i Rexhep Selimit, Ramandani Selimi, ka reaguar publikisht ndaj mënyrës se si, sipas tij, po trajtohen veprimet simbolike kundër Dhomave të Specializuara në Hagë, ku po përmenden dhe përfaqësohen vetëm disa nga ish-krerët e UÇK-së.
Në një shkrim të publikuar së fundmi, ai ka ngritur shqetësimin për atë që e quan “diferencim të çlirimtarëve”, duke iu referuar veçanërisht ngritjes së një flamuri gjigant në Drenicë që, sipas tij, i kushtohet vetëm Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, duke lënë anash Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Ramandani Selimi thekson se ky veprim hap pyetje serioze morale dhe politike, pasi të gjithë ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë po përballen me të njëjtën aktakuzë. Sipas tij, ndarja e tyre në “më të merituar” dhe “më pak të merituar” është e padrejtë dhe dëmton vetë kauzën e luftës çlirimtare.
Në reagimin e tij, Selimi ngre edhe çështjen e përfaqësimit politik dhe ndjeshmërisë ndaj familjeve të të akuzuarve, duke përmendur faktin se djali i Jakup Krasniqit është nominuar për deputet, ndërsa mbështetja publike dhe simbolike, sipas tij, po fokusohet vetëm te dy emra.
Ai kritikon mospërputhjen mes deklaratave publike për mbështetjen e “katërshes” dhe veprimeve konkrete, duke theksuar se drejtësia për luftën çlirimtare nuk mund të mbrohet me simbolikë selektive.
“Nëse vërtet besojmë se gjykimi në Hagë është padrejtësi ndaj luftës çlirimtare, atëherë mbështetja duhet të jetë e barabartë, e sinqertë dhe pa dallime. Historia nuk i ndan ata. As ne nuk duhet t’i ndajmë”, shkroi Ramandani Selimi.

