8.1 C
New York
April 21, 2026
DardaniaNews
FeaturedLajme

I përfundoi mandati, Osmani merr mesazh nga Donald Trump – çfarë peshe ka për politikën vendore?

Presidentja Vjosa Osmanit tashmë ka përfunduar mandatin 5-vjeçar në ulësen më të rëndësishme të shtetit.

Ndonëse nuk u përkrah nga kryeministri Albin Kurti edhe për një mandat të dytë – siç duket mbështetje po i jep presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, shkruan Gazeta Enigma.

Së fundmi, presidenti amerikan i ka dërguar një letër presidentes Vjosa Osmani, me rastin e përfundimit të mandatit në krye të vendit.

Në letër, Trump i tha Osmanit se vazhdon ta admirojë lidershipin e guximshëm dhe vendimtar në emër të popullit të Kosovës.

“Ju keni qenë gjithmonë një mike dhe partnere e besueshme e Shteteve të Bashkuara, dhe mezi pres vazhdimin e bashkëpunimit tonë në vitet në vijim”, i tha presidenti Trump Osmanit.

Ndërkohë, Osmani ka shprehur falënderimin e saj duke nënvizuar ruajtjen e lidhjeve me SHBA-të.

“Lidhjen e fortë të Kosovës me Amerikën do ta ruajmë bashkë, sot e përherë! Falënderoj Presidentin Trump për letrën e dërguar në përfundim të mandatit tim, të cilën e pranova mbrëmë, si dhe për vlerësimin që i ka bërë punës sonë! Ashtu siç thekson edhe Presidenti i SHBA-ve në këtë letër, mirëpresim vazhdimin e bashkëpunimit në vitet në vijim”, u shpreh Osmani.

Ndër të tjera, ende nuk dihet e ardhmja politike e Vjosa Osmanit, marrëdhënia e saj me ShBA-në, veçmas me Trump vlerësohet se nuk mund të ndikoj në përkrahjen ndaj Osmanit në të ardhmen.

Njohësi i çështjeve politike, Arton Muhaxheri – thotë se një mesazh i tillë nga presidenti Trump “nuk përkthehet në vota”.

“Është padyshim lajm pozitiv kur Donald Trump apo në përgjithësi Shtetet e Bashkuara rikthejnë vëmendjen ndaj Kosovës, sidomos në periudha kur raportet me partnerët ndërkombëtarë kanë qenë të tensionuara. Kjo vlen edhe në kontekstin kur Vjosa Osmani ka qenë presidente gjatë kësaj kohe. Megjithatë, nuk besoj se një mesazh i tillë do të përkthehet drejtpërdrejt në vota në një fushatë të mundshme. Përvoja nga dy-tri palë zgjedhjet e fundit ka treguar se një raport i mirë me SHBA-të apo BE-në nuk garanton mbështetje elektorale në Kosovë – madje, në disa raste ka ndodhur edhe e kundërta”, tha ai për Enigmën.

“Në këtë kuptim, përmirësimi i raporteve mes SHBA-ve dhe Kosovës është i rëndësishëm në planin shtetëror dhe diplomatik, por nuk nënkupton domosdoshmërisht rritje të mbështetjes së brendshme për ndonjë figurë politike”, theksoi Muhaxheri për Enigmën.

Kurse njohësi i çështjeve politike, Avni Arifi, ka potencuar se kjo letër drejtuar Osmanit nga presidenti amerikan është vetëm “veprim protokollar”.

Sipas tij, elektorati kosovar voton me kritere tjera.

“Nuk ishte mesazh mbështetjeje, por falënderim që u bëhet me automatizëm presidentëve të vendeve aleate të SHBA-së pas largimit nga detyra. Veprim protokollar. Nuk besoj se te elektorati i Kosovës mund të ketë ndikim të madh një përkrahje nga Trump apo njerëzit e tij. Kosovarët zakonisht votojnë me kritere tjera”, tha Arifi për Enigmën./Gazeta Enigma/

Related posts

POMPEO: KEMI DËSHMI TË MJAFTUESHME SE KORONAVIRUSI FILLOI NË LABORATORIN NË WUHAN

dardanianews

Rritje shqetësuese e rasteve të reja, Ministria publikon raportin

dardanianews

Koronavirusi, çfarë ndodh me trupin kur sëmuremi? Mjeku publikon mushkëritë e një 28-vjeçari të mbushura me infeksion

dardanianews