Negociatorët e Shteteve të Bashkuara dhe të Iranit kanë arritur një marrëveshje paraprake për një memorandum mirëkuptimi që do të zgjasë për 60 ditë, me qëllim të vazhdimit të armëpushimit dhe hapjes së një procesi të ri negociatash për programin bërthamor iranian, raporton mediumi amerikan Axios.Sipas raportimit, marrëveshja është arritur në parim të martën dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm diplomatik mes dy vendeve, marrëdhëniet e të cilave kanë qenë të tensionuara prej vitesh për shkak të çështjeve të sigurisë, sanksioneve dhe programit bërthamor të Iranit.
Axios citon dy zyrtarë amerikanë dhe një burim rajonal, të cilët konfirmojnë se diskutimet kanë avancuar më shumë se në fazat e mëparshme të dialogut, shkruan skynews.
Sipas Axios, marrëveshja përfshin pikat e mëposhtme:Ngushtica e Hormuzit: Kalimi i anijeve në këtë rrugë detare kyçe do të jetë “i pakufizuar”, ndërsa Irani nuk do të vendosë tarifa dhe nuk do të pengojë apo ngacmojë anijet. Po ashtu, Irani do të largojë të gjitha minat nga kjo rrugë detare brenda 30 ditëve.Bllokada detare e SHBA-së: Shtetet e Bashkuara do të heqin bllokadën ndaj porteve iraniane në përpjesëtim me rikthimin e transportit tregtar detar, sipas një zyrtari amerikan.
Programi bërthamor: Irani do të angazhohet të mos ndjekë zhvillimin e një arme bërthamore. Të dy palët do të negociojnë mënyrën e menaxhimit dhe asgjësimit të uraniumit të pasuruar në nivel të lartë, si dhe mënyrën e trajtimit të programit bërthamor në përgjithësi.
Sanksionet: SHBA angazhohet të diskutojë lehtësimin e sanksioneve dhe lirimin e aseteve iraniane të ngrira. Po ashtu, të dy palët do të diskutojnë mënyrën se si Irani mund të fillojë të marrë mallra dhe ndihmë humanitare. /Telegrafi/

