19.8 C
New York
June 20, 2026
DardaniaNews
AnalizaLajme

Një borxh i papaguar ndaj mërgatës: Vlerësimi i veprimtarëve të Fondit të 3%-shit.

Shkruan: Osman Ferizi

Të nderuara institucione të Republikës së Kosovës,
Historia e shtetndërtimit të Kosovës nuk është shkruar vetëm në frontet e luftës. Ajo është ndërtuar edhe në heshtje, me përkushtim dhe sakrificë, nga mijëra bashkatdhetarë në mërgatë që dhanë kohën, mundin dhe pasurinë e tyre për ta mbajtur gjallë idealin e lirisë dhe të pavarësisë.
Për më shumë se tri dekada, kontributi i veprimtarëve të Fondit të 3%-shit ka mbetur i pavlerësuar institucionalisht. Në Gjermani dhe në vendet e tjera ku jetonte mërgata shqiptare, u krijuan struktura të organizuara përmes komisioneve qendrore, rajonale dhe lokale, të cilat punuan me përkushtim të jashtëzakonshëm, pa pagesë dhe pa kërkuar asnjë përfitim personal.
Pas ditëve të gjata të punës në fabrika, ndërtimtari, administratë dhe ndërmarrje të ndryshme, fundjavat i kushtonim organizimit të aksioneve për mbledhjen e mjeteve financiare. Udhëtonim qindra kilometra, larg familjeve tona, për të trokitur në çdo derë të bashkatdhetarëve dhe për të forcuar besimin se kontributi i tyre ishte një investim për të ardhmen e Kosovës.
Përmes këtyre përpjekjeve u siguruan fonde që mbështetën funksionimin e institucioneve të Kosovës, arsimin, shëndetësinë, aktivitetin diplomatik, Fondin e 3%-shit, Fondin e Ahenit, Universitetin e Tetovës, familjet e të burgosurve politikë dhe shumë iniciativa të tjera me rëndësi kombëtare.

  Në mesin e këtyre veprimtarëve spikatën personalitete si ish kryetarin e Fondit të 3% për Gjermani z. Pjetër Coli, i cili udhëhoqi Fondin e 3%-shit në Gjermani që nga themelimi i tij dhe përfaqësoi me dinjitet çështjen e Kosovës në opinionin publik, debate  më përfaqësues politik gjerman, duke dëshmuar për represionin sistematik  ndaj popullit shqiptar. Ai, ashtu si shumë të tjerë, veproi me përkushtim të plotë dhe pa kërkuar asnjëherë privilegje apo shpërblime, çdo gjë nga buxheti i tij.

Po kështu, nga këto struktura dolën edhe veprimtarë që më vonë kontribuuan drejtpërdrejt në përpjekjet çlirimtare, ndër ta edhe Heroi i Kosovës, Rrustem Bruqi, duke dëshmuar lidhjen e pandashme ndërmjet rezistencës paqësore, organizimit të mërgatës dhe luftës për liri.
Sot shtrohet një pyetje që kërkon përgjigje: pse shumë prej këtyre njerëzve ende nuk kanë marrë mirënjohjen që meritojnë? Pse disa prej tyre janë ndarë nga jeta pa u falënderuar zyrtarisht nga shteti për të cilin punuan me aq përkushtim?


Ne nuk kërkojmë privilegje dhe as përfitime materiale. Kërkojmë vetëm drejtësi historike dhe njohje institucionale të kontributit të një brezi që sakrifikoi vitet më të mira të jetës për çështjen kombëtare.
Një vlerësim i tillë do të kishte rëndësi jo vetëm për vetë veprimtarët, por edhe për familjet dhe fëmijët e tyre. Ai do të ishte një dëshmi se Republika e Kosovës di të respektojë ata që e ndihmuan në kohët më të vështira dhe se sakrifica për atdheun nuk harrohet. Njëkohësisht, do të motivonte brezat e rinj të mërgatës që të ruajnë lidhjen me atdheun dhe të besojnë se kontributi qytetar dhe kombëtar vlerësohet me dinjitet.


Është e rëndësishme që procesi i nderimit të mbështetet në kritere të drejta, transparente dhe të dokumentuara, në mënyrë që të shmanget çdo perceptim i favorizimeve politike apo i trajtimit të pabarabartë. Vetëm kështu mund të ndërtohet një kujtesë historike gjithëpërfshirëse dhe e besueshme.


Prandaj, u bëjmë thirrje Presidentes së Republikës, Kuvendit, Qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse që të nisin një proces serioz për evidentimin, dokumentimin dhe nderimin e veprimtarëve të Fondit të 3%-shit dhe të gjithë atyre që kontribuuan në organizimin dhe mbështetjen e rezistencës paqësore dhe të shtetndërtimit të Kosovës.
Një shtet që nderon sakrificën e qytetarëve të tij forcon themelet e veta morale dhe historike. Një shtet që harron ata që e ndihmuan në ditët më të vështira rrezikon të varfërojë kujtesën e vet kombëtare.
Me respekt dhe përgjegjësi qytetare’.

Oso Ferizi- ish antar i Komisionit Qendror të 3% për Gjermani(1994-2000).
20 qershor 2026

Related posts

Veliu për Osmanin: Nëse vepron kundër nesh, ajo është tradhtare dhe s’ka vend më në LDK

dardanianews

E tmerrshme: 64-vjeçari ngacmon seksualisht mbesën e tij, e kërcënon me thikë dhe i thotë se e do për grua

dardanianews

Inteligjenca amerikane trondit të gjithë: Ja sa milion njerëz humbën jetën nga koronavirusi në Kinë

dardanianews