Emri i Behajdin Allaqit është rikthyer sot në vëmendjen e publikut, teksa në Dhomat e Specializuara në Hagë po zhvillohet seanca për shqiptimin e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Por kush ishte Behajdin Allaqi dhe pse rasti i tij vazhdon të jetë një prej episodeve të pazbardhura të vitit 1998?Behajdin Myrteza Allaqi lindi më 7 prill 1963 në Prizren. Ai studioi filozofi dhe, pas përfundimit të studimeve në vitin 1986, punoi si profesor i lëndëve sociologjike në gjimnazin e Prizrenit.
Allaqi kishte qenë aktiv politikisht shumë përpara fillimit të luftës. Sipas biografive të publikuara për të, ai kishte marrë pjesë në demonstratat e vitit 1981 dhe më vonë ishte përfshirë në strukturat e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës. Në një fazë kishte mbajtur edhe detyrën e sekretarit politik të organizatës.
Angazhimi në UÇK
Me krijimin e celulave të para të UÇK-së në rajonin e Prizrenit, Allaqi u angazhua në organizimin dhe zgjerimin e strukturave të saj. Burimet biografike shkruajnë se ai mori pjesë në organizimin e aktiviteteve në zonën e Përdrinisë dhe në planifikimin e rrjetit për bartjen e armatimit përmes Pashtrikut.
Pikërisht këtu nis pjesa më e paqartë e historisë së tij.
11 qershori 1998 – dita kur humbën gjurmët
Sipas burimeve të publikuara ndër vite, më 11 qershor 1998, Allaqi u nis nga Shtabi lokal i UÇK-së në Drenoc drejt selisë së Shtabit të Përgjithshëm, që në atë periudhë ndodhej në Likoc.
Nga ajo ditë familja nuk mori më informacion të sigurt për fatin e tij. Nuk është përcaktuar publikisht as vendi ku humbi jetën dhe as vendndodhja e mbetjeve të tij.
Edhe lista preliminare zyrtare e Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë e regjistron Behajdin Allaqin, të lindur më 7 prill 1963, si person të zhdukur me dhunë më 11 qershor 1998.
Pretendime të ndryshme për zhdukjen e tij
Gjatë viteve janë publikuar pretendime të ndryshme për rrethanat në të cilat Allaqi u zhduk dhe për personat që mund ta kenë parë për herë të fundit. Disa shkrime kanë ngritur pretendime për ndalim apo dorëzim të tij te pjesëtarë të UÇK-së, por këto versione janë kundërshtuar nga persona të përmendur në to dhe nuk duhet të paraqiten si fakte të vërtetuara.
Pikërisht dallimi mes fakteve të dokumentuara dhe pretendimeve të kontestuara është i rëndësishëm tani që emri i Allaqit po përmendet në kontekstin e procesit gjyqësor në Hagë.
Ajo që mund të thuhet me siguri nga të dhënat zyrtare është se Behajdin Allaqi ishte 35 vjeç kur u zhduk më 11 qershor 1998 dhe rasti i tij vazhdon të figurojë si zhdukje me dhunë.
Ai la pas bashkëshorten Nazmije, vajzën Qëndresa dhe djemtë Qëndrim e Çlirim.

