Një prej studentëve që merr pjesë në protestat në Tiranë ka pranuar se mban kontakte të vazhdueshme me studentë në Serbi dhe se me ta diskutohen mënyrat e organizimit të protestave dhe format që janë përdorur atje.
Deklarata u bë në emisionin “Breaking” në Euronews, kur studenti u pyet pikërisht për modelin serb të protestave dhe për “Listën e Studentëve”, lëvizja që pas muajsh protestash ka kaluar tashmë edhe në organizim elektoral.
“Kam ndjekur dhe kam miq të mirë studentë në Serbi, me të cilët padyshim ngelemi në një kontakt të vazhdueshëm lidhur me organizimin e protestave dhe format që patjetër edhe ata kanë aplikuar”, tha ai.
Sipas tij, objektivi i menjëhershëm i protestuesve mbetet largimi i Ramës dhe jo pritja e zgjedhjeve të ardhshme.
“Fokusi kryesor në protestat e të rinjve dhe të rejave në Tiranë është dorëheqja e Edi Ramës. Ata nuk duan t’i japin më kohë Edi Ramës deri të vijnë votimet. Ata kërkojnë padyshim dorëheqje”, tha ai.
Deklarata për kontaktet me studentët serbë shton një element të ri në debatin mbi mënyrën se si po organizohet protesta në Tiranë dhe mbi modelet nga të cilat po marrin referencë pjesëmarrësit e saj.

