Nga: Idriz Morina
Në një shtet normal dhe të konsoliduar njerëz si Goran Rakiçi, do të ishin në burg. Në asnjë mënyrë nuk do të ishin në politikë, dhe as nuk do të kishin shansin të binin thirrje për kryengritje qytetare – mosbindje.
Një njeri që del kundër institucioneve të shtetit, madje ku merrë vetëm pse ato po kërkojnë të arrestojnë figurat e krimit të organizuar, që kanë kryer sulme terroriste ndaj civilëve, si ndaj Selver Haradinajt në Mitrovicë më 2012, që kanë marrë pjesë në dëbimin e shqiptarëve nga veriu në shkurt të vitit 2000, që kanë vrarë dhjetëra shqiptarë në trazirat e marsit 2004, dhe që kanë sulmuar në vazhdimësi dhe kanë vrarë polic shqiptar si Enver Zyberi, janë krime të pafalshme, dhe njëkohësisht që nuk vjetrohen kurrë.
Thirrje ‘revolucionare’
Prandaj, përpjekjet e Listës serbe dhe të Goran Rakiçit, që nëpërmjet thirrjeve ‘revolucionare’, të kryengritjeve dhe mosdëgjimit, janë të vonuara dhe stërvjetruara, edhe pse në thelb këto janë shprehje e hapur e projekteve të kamufluara serbe për ndarje të Kosovës, të cilin disa figura të opozitës e kanë përkrahur hapur.
Por, më shumë se sa thirrje për të penguar drejtësinë, deklarata e Rakiçit, përkatësisht e Listës serbe është dëshmi, të paktën e marrjes së përgjegjësisë për të gjitha sulmet e kryera në javët e fundit ndaj Policisë së Kosovës, të cilat kanë karakter terrorist.
Rakiçi dhe Lista serbe, i morën përsipër sulmet terroriste ndaj policisë së Kosovës, me deklaratën e djeshme: “ne do të rezistojmë me të gjitha mjetet jodemokratike, që përfshin mosbindje totale civile”.
Pra, Rakiçi dhe Lista Serbe, i shpallën hapur Qeverisë së Kosovës rezistencë të armatosur, dhe me këtë dëshmuan se sulmet tjera ishin kryer me thirrje të tyre, por sekrete, ndërsa kërcënimin për institucionet e bën publik.
“Nëse Prishtina fillon me lëvizje të njëanshme, Zoti na ruajt, duke arrestuar qytetarët tanë, ne do të detyrohemi t’i rezistojmë me të gjitha mjetet demokratike dhe jodemokratike, që përfshin mosbindje totale civile për të mbrojtur të drejtat e njeriut të qytetarëve tanë”, ka thënë dje Rakiq.
Ministri për Kthim dhe Komunitete i Republikës së Kosovës, Rakiqi i shpall luftë dhe rezistencë të armatosur, përveç Qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë, ligjzbatuese.
Këto thirrje të tij dhe Listës Serbe, janë të dënueshme sipas Kodit Penal të Kosovës:
Neni 411 (Thirrja për rezistencë)
1. Kushdo që thërret të tjerët për rezistencë apo mosbindje ndaj vendimeve apo masave të ligjshme të nxjerra nga organi apo zyrtari kompetent, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet.
2. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me vështirësi të mëdha apo pamundësi të zbatimit të vendimit, masës apo veprimit zyrtar të ligjshëm, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.
Pra, Rakiçi më së paku duhet të vuajë gjashtë muaj burg, dhe mund të dënohet deri në pesë vjet. Thirrja e tij është e qartë përveç se për mosbindje edhe për pamundësim (moslejimi) të realizimit të drejtësisë, përkatësisht të zbatimit të ligjit.
Në kohën që i tërë Perëndimi është në luftë me Rusinë, për shkak se pikërisht Putini, nuk dëshiron dhe nuk lejon respektimin e rendit juridik, shtetit ligjor, përfshirë edhe ligjet ndërkombëtare, si bëri me pushtimin e Ukrainës, serbët në Kosovë me Rakiçin në krye po mundohen pikërisht t’i luftojnë këto atribute themelore të kulturës dhe qytetërimit perëndimor.
Sërish duke vazhduar me gënjeshtra, mashtrime, intriga, por me të cilat duket se Perëndimi është ngopur, nga kjo mendësi, ku autorët e krimit shiten si viktima…,
Duan parajsë fiskale!
Rakiçi dhe disa bashkëpunëtorë të Serbisë e duan parajsën fiskale në veri! Sipas kryetarit të Listës serbe, Rakiçit, për kriminelët serb nuk duhet të vlejnë ligjet, aq më pak ligjet e Kosovës.
Por, për çfarë motivesh të tjera, serbët si Rakiçi e duan, veriun jashtë rendit kushtetues dhe ligjor?!
Është e lehtë përgjigja. Si në veri, askund tjetër nuk kanë mundur të fitojnë biznesmenët që kanë bërë tregti atje. Ata kanë qëndruar larg ndjekjes për krime ordinere, larg hetimeve dhe shumë larg bartjes së pasojave nga krimet.
Veprimi i Prokurorisë Speciale për të arrestuar figura serbe të zhytura në krime të ndryshme, si biznesmenë, kryetarë të komunave, deputetë, përfaqësues politikë, që sipas Rakiçit numri i serbëve të kërkuar nga drejtësia është rreth 70 veta, përbën “persekutim të motivuar”, ndaj serbëve.
Ai thekson se kjo është një procedurë politike në të cilën Kosova paraprakisht i ka dënuar serbët e akuzuar.
“Prandaj, askush nga qytetarët tanë, biznesmenët, përfaqësuesit politikë, nuk duhet ta pranojnë këtë ftesë, as t’i përgjigjen asaj”, thotë Rakiq, duke e përforcuar thirrjen për padëgjueshmëri qytetare.
Të gjitha këto thirrje për padëgjueshmëri qytetare nuk u dëgjuan, as nga institucionet, dhe as nga opozita, e cila e kishte rastin të reagonte me dinjitet dhe të këmbëngulte me kritika dhe kërkesa.
Rakiçi edhe pse është kryetar i Listës Serbe, në fakt ai është nën urdhrat e Millan Radojçiqit, të kërkuar nga drejtësia në Kosovë për krime të ndryshme, i përfshirë edhe në vrasjen e Oliver Ivanoviçit, dhe i vënë në listë të zezë nga SHBA-të, së bashku me kreun e grupit ndërkombëtar të krimit të organizuar, Zvonko Veselinoviçin.
Radojçiqi disa herë është takuar me Ramush Haradinajn, përfshirë kohën kur ky ishte kryeministër. Po ashtu edhe Veselinoviçi kishte raporte bashkëpunimi me Hashim Thaçin.
As kur këta u shpallën në listën e zezë të SHBA-ve, dhe as tani që po kërkohen nga drejtësia në Kosovës, nuk kanë folur për këto çështje krerë të PDK-së dhe AAK-së.
Heshtja ndaj thirrjeve për kryengritje, është bashkëpunim në shkatërrimin e sistemit kushtetues dhe ligjor.