8.6 C
New York
November 21, 2024
DardaniaNews
FeaturedLajme nga Bota

A mund ta ndihmojë Azerbajxhani pavarësinë e Evropës nga gazi rus?

Rusia mund të jetë duke përdorur raketa dhe bomba në luftën e saj në Ukrainë, mirëpo ajo ka edhe një armë tjetër, më pak vdekjeprurëse, por prapëseprapë kërcënuese: energjinë.

Zemërimi ndërkombëtar sa shkon e rritet për sulmin e paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, andaj Moskës secilën herë e më shumë po i shtohen sanksionet.

Meqë ky shtet e furnizon Bashkimin Evropian me 40 për qind të gazit që i duhet, Rusia ka marrë masat e veta.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë të ditur se vendet “jomiqësore” do të duhet ta paguajnë gazin në rubla.

Kompania shtetërore e energjisë, Gazprom, ka bërë të ditur më 26 prill se ka pezulluar furnizimet me gaz në Poloni dhe Bullgari, dhe nuk do të bëjë dërgesa derisa pagesat të bëhen në valutën ruse, vendim që ka nxitur akuza për “shantazh” në BE.

Një kontrollues i gazit i vendosur mbi një tubacion. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Kush kujt do t’ia ndalë i pari gazin?

Varshava, e cila importon rreth 45 për qind të gazit natyror nga Rusia, ka thënë se do ta “menaxhojë” situatën pa gazin rus.

Mirëpo Sofja, e cila importon rreth 73 për qind të gazit të saj nga Rusia, e ka pranuar se do të ketë probleme.

Në një intervistë për të përditshmen franceze, Le Monde, më 28 prill, kryeministri bullgar, Kirill Petkov, ka treguar se ku shpreson të marrë gaz vendi i tij: nga Azerbajxhani.

“Shumë konkretisht, ne shpresojmë të marrim gaz nga Azerbajxhani sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Petkov.

Zyrtarisht Bakuja nuk e ka komentuar deklaratën e Petkovit.

Aktualisht, Azerbajxhani furnizon Bullgarinë me 300 milionë metra kub gaz, por kjo nuk konsiderohet sasi e madhe.

Për gati dy dekada, Azerbajxhani ka tentuar të bëhet eksportues i rëndësishëm i gazit në Evropë.

Më 2020 është zyrtarizuar gazsjellësi i Trans-Adriatikut (TAP), i cili bart gazin azerbajxhanas përmes Greqisë dhe Shqipërisë dhe përmes Detit Adriatik në Itali.

Ky gazsjellës është pjesa e fundit e Korridorit Jugor të Gazit, i cili nxjerr gazin nga Azerbajxhani.

Korridori Jugor i Gazit është ndërtuar për t’i bërë më diverse furnizimet me gaz natyror në Evropë dhe për të zvogëluar numrin e shteteve të BE-së që varen nga një furnizues.

Më 2021, BE-ja ka importuar 155 miliardë metra kub të gazit natyror nga Rusia, e cila është eksportuesja më e madhe e kësaj lënde.

Importuesit më të mëdhenj të gazit rus

Dhjetë shtetet që kanë importuar më së shumti gaz rus më 2020 sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energji:

Gjermania: 42.6 miliardë metër kubikë

Italia: 29.2 miliardë metër kubikë

Bjellorusia: 18.8 miliardë metër kubikë

Turqia: 16.2 miliardë metër kubikë

Holanda: 15.7 miliardë metër kubikë

Hungaria: 11.6 miliardë metër kubikë

Kazakistani: 10.2 miliardë metër kubikë

Polonia: 9.6 miliardë metër kubikë

Kina: 9.2 miliardë metër kubikë

Japonia: 8.8 miliardë metër kubikë

Shumica e rezervave të gazit natyror të Azerbajxhanit, të cilat besohet se shkojnë në 60 trilionë metra kub, gjenden në rajonin Shah Deniz.

Ndonëse gazi nga Azerbajxhani mund t’i ndihmojë BE-së që t’i shmanget gazit rus, sasia nuk është e mjaftueshme për të hequr dorë krejtësisht nga ai.

“Gazsjellësi TAP, i cili bart gazin e Azerbajxhanit në Evropë, dhe përpjekje tjera të bllokut evropian për të ulur varësinë nga importet e gazit rus, kanë pasur qëllim vetëm të bëjnë importet më diverse dhe jo që të eliminojmë plotësisht furnizimet ruse”, ka thënë, Alissa de Carbonnel, zëvendësdrejtore për Evropën dhe Azinë Qendrore në Grupin Ndërkombëtar për Kriza.

“Ideja është që burimet alternative të energjisë – pavarësisht sa të vogla janë – mundësojnë që Gazpromi të kuptojë se nuk mund të shfrytëzojë monopolin në treg”, ka thënë de Carbonnel për Radion Evropa e Lirë.

Punëtoret gjatë punimeve për ndërtimin e një tubacioni gazi në Maqedoninë e Veriut më 2015.

LEXONI EDHE KËTË:

Shkupi nuk pret pasoja nga ndalja e gazit rus

Për të siguruar më shumë gaz nga Azerbajxhani, Bullgaria është duke shpresuar në përfundimin e një rrjeti që lidh gazsjellësit e Greqisë dhe Bullgarisë.

Kur projekti të finalizohet – gjë që pritet të ndodhë më vonë gjatë këtij viti – Azerbajxhani do të dërgojë 1 miliard metra kub gaz në Bullgari, për herë të parë në sasi të tillë.

“Parashikimi më optimist është që punimet do të përfundojnë në korrik të këtij viti. Më pas duhet të kryhen teste dhe procedura tjera. Për t’i ndihmuar Bullgarisë që t’i përmbushë nevojat urgjente, gazi i Azerbajxhanit mund të dërgohet në momentin që kryhen testet dhe të përfundojnë procedura tjera zyrtare. Kjo gjë do t’i ndihmojë Bullgarisë të shmangë krizën me gaz që e ka krijuar Rusia”, ka thënë Martin Vladimirov, analist bullgar i energjisë, në një deklarim për Shërbimin e Azerbajxhanit të Radios Evropa e Lirë.

Cili do të jetë ndikimi nëse Evropa heq dorë nga nafta ruse?

Rrjeti për lidhje të gazsjellësve niset nga qyteti grek Komotini, në qytetin Stara Zagora në qendër të Bullgarisë.

Ky projekt, që besohet se ka vlerën e 240 milionë eurove, financohet nga shtetet pjesëmarrëse në BE.

Ky rrjet ndërlidhës do të ofrojë edhe mundësi tjera përveç bartjes së gazit azerbajxhanas.

Petkov ka thënë se Bullgaria mund të marrë gazin nga Rumania dhe ta dërgojë në Turqi dhe anasjelltas, me shpresën se Bukureshti dhe Sofja do të kenë më pak nevojë për gaz rus.

Forcimi i lidhjeve të energjisë mes BE-së dhe Bakusë

Në kohën e rritjes së tensioneve rajonale edhe para nisjes së pushtimit rus në Ukrainë më 24 shkurt, Brukseli dhe Bakuja kanë diskutuar për rritje të furnizimeve me gaz të Azerbajxhanit në BE.

“Ne duam që vëllimi i gazit që eksportohet nga Azerbajxhani në Evropë të arrijë në 10 miliardë metra kub”, ka thënë komisionarja e BE-së për Energji, Kadri Simson, në një konferencë për media të mbajtur në Baku më 4 shkurt me presidentin e këtij shteti, Ilham Aliyev.

Një rritje e tillë është e rëndësishme “për të shmangur mungesën dhe rritjen e çmimeve në tregun e energjisë”, ka thënë ajo.

Aliyev ka theksuar se Azerbajxhani ka eksportuar 19 miliardë metra kub gaz vitin e kaluar.

Aty përfshihen dërgesat në Turqi, Itali, Gjeorgji, Greqi dhe Bullgari.

Pamje nga punimet në gazsjellësin në Budapest.
Pamje nga punimet në gazsjellësin në Budapest.
Ministri i Energjisë në Azerbajxhan, Parviz Shahbazov, ka thënë në muajin mars se ky shtet ka rezerva të mjaftueshme të gazit natyror “për fqinjët dhe shtetet evropiane”.“Zgjerimi i projektit Korridori Jugor i Gazit do të nisë dhe në këtë drejtim ne kemi nisur të diskutojmë me shtetet evropiane, ato të Ballkanit Perëndimor dhe shtete tjera të Evropës Lindore”, ka thënë Shahbazov.

Azerbajxhani ka eksportuar 2.6 miliardë metra kub të gazit natyror në Evropë në çerekun e parë të vitit 2022 dhe pritet të rrisë furnizimet për 30 për qind deri më 2022.

Por, edhe kjo rritje nuk do t’i plotësojë nevojat e BE-së për gaz, dhe për më shumë, është e paqartë nëse Azerbajxhani mund të përmbushë synimet për eksport më të madh”, ka thënë de Carbonnel.

“Prodhimi i gazit natyror në Azerbajxhan ka pësuar rënie në vjetët e fundit dhe mund të marrë kohë derisa të fitojë ritmin, andaj kur zyrtarë të projektit TAP thonë se do të dyfishojnë kapacitetin në 20 miliardë metra kub në vit në një periudhë afatshkurtër, mbetet pikëpyetje se me çfarë gazi do të mbushet Korridori Jugor i Gazit”, ka thënë ajo.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Related posts

Sipas B92, presidentit serb iu dorëzua letra në tavolinë që ta pranojë Kosovën

dardanianews

Albin Kurti për testet nga Serbia: Kanë qenë një kurth për ta akuzuar Kosovën nëse s’do t’i kishte pranuar

dardanianews

“Vrasjet në Kosovë”, Maxharraj befason me detajet që përmend, ka një paralajmërim të frikshëm

dardanianews