Burime të Telegrafit kanë konfirmuar se në mesin e banorëve të zgjedhur këtë vit do të jetë edhe Saranda Hoda, e njohur gjerësisht si Sada Hoda – një personazh shumë i dashur dhe i komentuar në publik.

Sada, e cila vjen nga Gjakova, u bë e njohur për publikun përmes reality-show-t ikonë “Shpija e Kosovës”. Historia e saj jetësore, e cila kombinon sfidën dhe frymëzimin, bëri që ajo të fitonte menjëherë simpatinë e publikut, duke u shndërruar në një prej figurave më të pëlqyera të formatit.

 Foto: Sasa Hoda/Instagram

Përveç prezencës në ekran, Sada ka provuar veten edhe në fushën e aktrimit. Ajo ka luajtur në disa skeçe të humoristit të mirënjohur shqiptar Sevdai Radogoshi, duke treguar talentin e saj për skenën dhe aftësinë për t’u futur natyrshëm në role komike.

Karriera e saj nuk kufizohet vetëm në botën e argëtimit. Sada ka qenë aktive edhe në politikë, duke shërbyer për dy mandate radhazi si asambleiste e Komunës së Gjakovës nga radhët e LDK-së.

 Asambleistët e zgjedhur nga LDK në zgjedhjet lokale 2025 në Komunën e Gjakovës (Foto: KQZ)

Ajo garoi edhe për mandatin e tretë në zgjedhjet e tetorit, por këtë herë nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme, duke mbetur jashtë me vetëm 15 vota diferencë nga kandidatja tjetër e zgjedhur si asambleiste, Flona Hyseni.

 Rezultati i Sasa Hodës në zgjedhjet lokale 2025 (Foto: KQZ)

Tani, Sada është gati të rikthehet para publikut në një skenë krejt tjetër: Big Brother VIP Kosova. Pjesëmarrja e saj pritet të sjellë emocion, sinqeritet, humor e dinamika të reja brenda shtëpisë, duke qenë se ajo është një figurë natyrale, komunikative dhe shpeshherë e paparashikueshme. /Telegrafi/