Sot gjatë ditës kryeministri i Kosovës Albin Kurti pati një bisedë të gjatë telefonike më kancelaren Angela Merkel, ku gjatë bisedës ata shkëmbyen mendime për marrëdhëniet e ngushta bilaterale, përafrimin e reformave të Kosovës me Bashkimin Evropian, si dhe për situatën në rajon.
Në njoftimin e bërë nga Qeveria e Kosovës thuhet se Kancelarja Merkel i ofroi kryeministrit Kurti mbështetje në luftën kundër korrupsionit dhe programit të gjerë e ambicioz për reforma në vend. Në këtë kontekst, Republika Federale ofroi këshilla specifike nga ekspertë gjermanë.
Kancelarja përshëndeti propozim-vendimin e kryeministrit kosovar për heqjen e plotë të tarifës pas datës 1 prill, kjo pas heqjes së tarifës për lëndën e parë në javën që shkoi. Ajo gjithashtu mbështeti një dialog, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, i cili duhet të synojë heqjen e të gjitha pengesave tregtare jo-tarifore midis Serbisë dhe Kosovës.
Deklarata e plotë e Qeverisë se Kosovës:
Deklaratë e përbashkët e zëdhënësit të Qeverisë Federale, z. Steffen Seibert dhe atij të Qeverisë së Kosovës, z. Përparim Kryeziut:
Sot, gjatë ditës Kancelarja Angela Merkel dhe Kryeministri Albin Kurti patën një bisedë telefonike.
Gjatë bisedës ata shkëmbyen mendime për marrëdhëniet e ngushta bilaterale, përafrimin e reformave të Kosovës me Bashkimin Evropian, si dhe për situatën në rajon. Kancelarja Merkel i ofroi kryeministrit Kurti mbështetje në luftën kundër korrupsionit dhe programit të gjerë e ambicioz për reforma në vend. Në këtë kontekst, Republika Federale ofroi këshilla specifike nga ekspertë gjermanë.
U diskutua edhe për luftën ndaj virusit Korona. Kancelarja premtoi se do ta shqyrtojë mbështetjen ndaj Kosovës për trajtimin e kësaj krize.Gjithashtu, u diskutua edhe mbi dialogun e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e po ashtu edhe për tarifën ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina të vendosur në vitin 2018, nga qeveria e atëhershme. Kancelarja përshëndeti propozim-vendimin e kryeministrit kosovar për heqjen e plotë të tarifës pas datës 1 prill, kjo pas heqjes së tarifës për lëndën e parë në javën që shkoi. Ajo gjithashtu mbështeti një dialog, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, i cili duhet të synojë heqjen e të gjitha pengesave tregtare jo-tarifore midis Serbisë dhe Kosovës. Të dy besojnë se nuk duhet të ketë pengesa në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kancelarja dhe Kryeministri i Kosovës mbështesin rifillimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Qëllimi i këtij procesi mbetet arritja e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese që siguron normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe e cila i shërben popujve të të dy shteteve.