Në përgjimin e dytë që sjell “The Geopost”, kosovari, Bedri Shabani, i arrestuari nën dyshimet për spiunazh, flet me oficerin e BIA-s, Srdjan Rosiq, bisedë që konfirmon se ata janë takuar edhe fizikisht pak ditë më parë.
Sipas bisedës, siç raporton “Geopost”, takimi fizik i përbashkët në mes të Shabanit dhe oficerit të BIA-s është realizuar në qytetin e Nishit, Serbi, më 17.05.2023.
Sipas telefonatës, e realizuar më 23.05.2023, mësohet se Rosiq, ka lidhje profesionale me “mikun tjetër”, Bogoljub Janicijevic-in, i cili ka qenë shefi i të ashtuquajturit “Sekretariatit të Punëve të Brendshme” për Ferizaj në vitin 1999.
Gjatë bisedës, merret vesh, se ditën e takimit me BIA-n në Nish, Shabani ia kishte dhënë tri tekste.
Audio është e censuruar dhe nuk dihet se çfarë tekstesh janë ato.
Për këtë, Shabani e kishte pyetur “nëse kishte pasur rastin t’i shihte më parë?”, kurse Rosiq i përgjigjet me “jo”.
Ndryshe, më 6 qershor, Geopost e ka publikuar një audio-incizim, ku dëgjohen duke biseduar Srdjan Rosiq dhe Bedri Shabani, i arrestuar si bashkëpunëtor i BIA-s serbe.
Megjithëse, audio në disa pjesë është e censuruar, aty kuptohet qartë se Bedri Shabani, i dyshuar për bashkëpunëtor të shërbimit serb të inteligjencës se, kërkon që BIA t’i ndihmojë atij dhe njerëzve të tij që ta kryejnë një punë.
“Çka mendon? Do t’i pyesësh ata tuajt, ta shtyejnë këtë apo do të flenë?”, i ka thënë Shabani oficerit të BIA-s.
Ndërsa, Rosiq i thotë se “do ta shtyejnë, porse paksa janë … presin të zgjohen…”
Më tej, Shabani thotë se duhet evpruar asisoj, që dikush tjetër ta ngacmojë tërthorazi, e më pas ne t’ia vëmë benzinën dhe të marrë flakë edhe më shumë”.
Kush është Srdjan Rosiq?
Srdjan Rosiq gjatë viteve ’90-ta ka jetuar në Ferizaj derisa ishte i angazhuar si oficer në shërbimin sekret serb.
Emri i tij është përmendur edhe në rastin e gjykimit ndaj kryekriminelit serb Slobodan Millosheviq në Tribunalin Ndërkombëtar të krimeve të luftës në Hagë.
Në transkriptin e njërës prej seancave gjyqësore të datës 22 shtator 2005, një dëshmitar i cili ishte polic i SUP-it serb (Sekretariati i Punëve të Brendshme), pyetet nëse e njeh Srdjan Rosiqin.
Ai përgjigjet se Srdjan Rosiq në atë kohë ( sq. vitet e ’80-ta dhe ’90-ta) ishte punonjës operativ në Shërbimin shtetëror të sigurisë për rajonin e Ferizaj.
Linku i seancës gjyqësore në rastin kundër Millosheviqit ku përmendet edhe Srdjan Rosiq.