Pas ngjarjeve të rënda që tronditën publikun mbrëmjen e kaluar në shtëpinë e Big Brother VIP, familja e Gjestit ka reaguar përmes një postimi në profilin e tij në Instagram.
Në këtë postim, ata shprehen të tronditur dhe të lënduar thellësisht nga episodi i dhunës fizike ndaj Gjestit, duke e cilësuar atë si të papranueshëm dhe të padrejtë.
“Pamjet e dhunës fizike ndaj Gjestit ishin të vështira për t’u parë, dhe akoma më të vështira për t’u përjetuar si njerëz që e njohim, e duam dhe e dimë sa zemërmirë dhe i pastër është,” thuhet në postim.
Familja thekson se askush nuk meriton të dhunohet, as brenda një loje e as jashtë saj, duke përmendur se Gjesti ka hyrë në këtë format me respekt, edukatë dhe një zemër plot mirësi.
Në reagimin e tyre, ata vlerësojnë qëndrimin e Gjestit në situatën e vështirë, duke e përshkruar atë si të fortë dhe të qetë, edhe kur u përball me një padrejtësi të hapur. “Krenarë që zgjodhi të mos reagojë me dhunë,” shprehen ata.
Postimi shërben jo vetëm si një reagim emocional, por edhe si një thirrje për reflektim dhe drejtësi. “Sepse dhuna nuk mund dhe nuk duhet të jetë kurrë pjesë e asnjë formati, asnjë loje, asnjë shoqërie që pretendon të jetë e shëndetshme,” përfundon reagimi, duke falënderuar të gjithë ata që kanë shprehur mbështetje për Gjestin në këto momente të vështira. /Prive By Liberta Spahiu