Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka njoftuar se javën e ardhshme do të zhvillojë një takim me homologun e tij amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë. Diskutimet pritet të fokusohen mbi marrëveshjen tregtare, por bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, raporton agjencia turke e lajmeve Anadolu.
“Në takimin tonë në Shtëpinë e Bardhë me homologun dhe mikun tim të nderuar, Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, do të diskutojmë një sërë çështjesh me aleatin tonë, SHBA-në, me të cilin kemi një marrëdhënie strategjike gjithëpërfshirëse, duke përfshirë tregtinë, investimet dhe industrinë e mbrojtjes”, tha Erdogan në një postim në platformën turke të medias sociale “NSosyal”.
Erdogan shtoi se pret që bisedimet të kenë një ndikim më të gjerë gjeopolitik.
“Unë besoj se takimi ynë me Presidentin Trump do të kontribuojë në përfundimin e luftërave dhe konflikteve në rajonin tonë brenda kornizës së vizionit tonë të përbashkët për paqen globale dhe do të forcojë më tej bashkëpunimin midis vendeve tona”, tha ai.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar se do ta presë homologun turk në Shtëpinë e Bardhë më 25 shtator.

