8.5 C
New York
November 21, 2024
DardaniaNews
FeaturedLajme

I dyshuari nga Rahoveci për vrasjen dhe djegien e vëllait, e kishte vrarë edhe gruan para disa vitesh

Një vrasje e rëndë kishte ndodhur në fshatin Bërnjak të Komunës së Rahovecit gjatë muajit shkurt të këtij viti. Atje, pas një zënke verbale, vëllai kishte vrarë vëllain, e më pas e kishte djegur në oborrin e shtëpisë. Policinë e cila kishte shkuar në vendin e ngjarjes për shkak të zjarrit, i dyshuari e kishte gënjyer se po e pastronte oborrin dhe po digjte bërllok. Por, ky nuk është rasti i parë i tij,  i dyshuari G.K, sipas fjalëve të prokurorit, kishte vuajtur dënimin me burg prej 17 vjetësh, për vrasjen e gruas së tij. Gazeta Express sjell detaje të reja nga ky rast

Kishte vuajtur për 17 vjet dënimin me burgim, në Zvicër, për shkak të vrasjes së bashkëshortes.

Pasi ishte liruar nga burgu, G.K. u dëbua nga Zvicra në Kosovë.

Por, pas rreth 3 vjetësh qëndrim në atdhe, këtu ai dyshohet se kreu edhe një vrasje të re, sërish brenda familjes.

Pas një zënke verbale, 59-vjeçari G.K. kishte vrarë vëllain e tij B.K 64 vjeç.

Trupin e pajetë të vëllait e kishte djegur në oborrin e shtëpisë, ku pas hetimeve nga Policia dhe Prokuroria, ishin gjetur eshtrat në oborr.

E krejt kjo po dyshohet se ka ndodhur për një shumë të të hollave që kishte pasur viktima me vete kur kishte ardhur nga Zvicra në Kosovë.

35 mijë franga e 8 mijë euro të tjera që i ndjeri i kishte pasur me vete.

Ndaj të dyshuarit Prokuroria më 9 prill ka ndërmarrë masën e paraburgimit prej 30 ditësh, por për shkak të pandemisë, kjo masë i është vazhduar edhe për dy muaj të tjerë.

Këtë për Gazetën Express e ka konfirmuar prokurori i rastit, Ramiz Buzhala.

“Ndaj të pandehurit është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë, kjo për shkak të pandemisë. Gjatë kësaj kohe janë marrë vetëm vendime të natyrës urgjente. Ndërkaq lidhur me rastin nuk kanë mundur të ndërmerren veprimet hetimore siç është dëgjimi i familjarëve të viktimës dhe të pandehurit”, ka deklaruar prokurori.

Buzhala theksoi se të hollat që ishin gjetur janë sekuestruar dhe të tilla do të qëndrojnë derisa të vërtetohet prejardhja e tyre. me këtë rast ai ka treguar edhe për historinë kriminale të vrasjes së gruas naga G.K duke u bazuar në fjalët e të dyshuarit.

“Të hollat janë sekuestruar nga i pandehuri nen dyshimin se janë të viktimës. Ato janë janë dërguar në Agjencinë për Sekuestrim dhe Administrim të Pasurisë në Prishtinë, rreth një javë më parë Gjykatës i është bërë kërkesë për lëshimin e urdhëresës për verifikimin e mënyrës së ardhjes të së hollave, ndërkaq ende nuk ka ndonjë përgjigje nga bankat, edhe pse i pandehuri në deklaratën e tij në polici ka thënë se këtë shume të të hollave e ka si kompensim nga koha sa ka qëndruar në vuajtje të dënimit në Zvicër, për shkak të veprës penale të vrasjes së bashkëshortes së së tij, ku ka qenë i dënuar me burgim rreth 17 vite”, ka thënë Buzhala për Express.

Por, si ndodhi e tërë ngjarja

G.K., kishte ardhur nga Zvicra në Kosovë, por ishte lajmëruar i zhdukur që nga 14 shkurti i këtij viti.

Bashkëshortja e tij pasi nuk kishte pasur asnjë kontakt me viktimën, kishte marrë rrugën nga Zvicra drejt Kosovës, e kur kishte ardhur e kishte lajmëruar policinë se i është zhdukur burri.

Pas dy muajsh, ngjarjen e rëndë e ka zbuluar Policia e Kosovës, e cila përmes analizave të ADN-së arriti të gjejë pjesë të djegura kockore të cilat nga forenzika janë dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Këto kocka janë gjetur në oborrin e shtëpisë së të dyshuarit.

Por, pasi e kishte vrarë me armë zjarri vëllain, 59-vjeçari ishte kujdesur që t’i zhdukte gjurmët e krimit.

Ai kishte ndezur një zjarr të madh, i cili i kishte rënë në sy edhe policisë, të cilët kishin shkuar në vendin e ngjarjes.

Por, i dyshuari e kishte kamufluar krejt ngjarjen, duke djegur edhe mbeturina, e kështu e mashtroi edhe policinë, duke deklaruar se po e pastron oborrin dhe po i djeg mbeturinat.

Nga policia e Gjakovës kishin thënë për Express se dyshohet se vrasja është kryer me qëllim përfitimin.

“Dyshohet se vrasja është kryer për motive me qëllim përfitimin. Viktima ka pasur me vete një shumë të parave, dyshohet se i dyshuari ka qenë në dijeni për ato të holla dhe ky është motivi. Gjatë bastisjes, policia ka gjetur rreth 35 mijë franga dhe 8 mijë euro, që dyshohet se janë të viktimës. Trupi i pajetë pas vrasjes dyshohet se është djegur në oborrin e shtëpisë se të dyshuarit”, ka deklaruar drejtori i policisë rajonale të Gjakovës, Lumni Graishta.

Graishta ka treguar se të dyja familjet jetojnë jashtë vendit, ndërkaq në momentin kritik në Kosovë kishin qenë vetëm viktima dhe i dyshuari.

Ndërkaq, Graishta ka treguar se i dyshuari e ka pranuar fajin, kur është ballafaquar me provat.

“Gjatë intervistimit i dyshuari e ka pranuar fajin pasi është ballafaquar me provat, sepse është gjetur edhe arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra”, ka theksuar Graishta.

Edhe prokuroria kishte dhënë versionin e saj lidhur me këtë rast.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Prokuroria bën me dije se pas veprimeve hetimore nga ana e Prokurorisë dhe Policisë, dyshohet se personi G.K. e ka vrarë dhe më pastaj e ka djegur trupin e të ndjerit B.K., me ç’rast në vendin e ngjarjes janë evidentuar disa kocka njeriu.

“Po ashtu, pas një pune operative është gjetur edhe arma me të cilën dyshohet të jetë kryer vepra penale, si dhe një gëzhojë e cila pas ekzaminimit të forenzikës është vërtetuar së është shkrepur nga arma e të dyshuarit”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë./GazetaExpress/

 

Related posts

Bayerni po e shqyrton largimin e Nagelsmann, zbulohet kandidati për ta zëvendësuar

dardanianews

Nëse veç edhe 10 ditë vazhdon rezistenca në Kiev, Rusisë do t’i harxhohen gjitha paratë dhe armatimi”, thotë ish-komandanti i ushtrisë së Estonisë

dardanianews

Serbia nis tërheqjen e trupave ushtarake nga kufiri me Kosovën

dardanianews