Ethet e “Big Brother VIP Albania” kanë filluar të ndihen zyrtarisht. Top Channel ka publikuar pak më parë promon e dytë të edicionit të pestë, duke e cilësuar atë si “programin e emocioneve të mëdha dhe rekordeve të pathyeshme”.
Në videon e postuar në rrjetet sociale, produksioni premton se ky edicion do të hapë dyert për aventura të reja, duke bashkuar sërish shqiptarët para ekranit. Por, ajo që ra në sy të të gjithëve ishte sërish mungesa e një date fikse.
Promoja mjaftohet vetëm me paralajmërimin “Nga Dhjetori në ekranin e Top Channel”, duke e mbajtur ende mister ditën e startit për publikun e gjerë.
Megjithatë, misteret nuk zgjasin shumë për Prive By Liberta Spahiu.
Burime të sigurta pranë Prive by Liberta Spahiu bëjnë të ditur ekskluzivisht se data e përcaktuar për ndezjen e dritave të shtëpisë më të famshme është 20 Dhjetori. Kjo e premte pritet të shënojë fillimin e maratonës televizive që do të na mbërthejë për muaj me radhë.
Por, ky prag sezoni vjen i shoqëruar edhe me një notë të thellë trishtimi. Siç raportuam të shtunën, i ndjeri Shpat Kasapi ishte paraparë të ishte pjesë e kastit të këtij edicionit.
Këngëtari i dashur për publikun ishte në planet e produksionit për t’u bërë banor i shtëpisë, por ndarja e tij e parakohshme dhe tragjike nga jeta e bëri këtë rrugëtim të pamundur, duke lënë pas një dhimbje të madhe.
Me datën 20 Dhjetor tashmë të zbuluar nga Prive By Liberta Spahiu, mbetet të shohim se cilët personazhe do sfidojnë veten në këtë aventurë.
/Prive By Liberta Spahiu

