Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz i ka thënë mediumit serb,”Kurir” se Serbia duhet të jetë e vetëdijshme se nuk do të pranohet në Bashkimin Evropian pa normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën, transmeton Gazeta Express.
Kurz kujtoi se ai e kishte vizituar Beogradin dy vjet më parë, duke iu përgjigjur pyetjes nëse njohja e Kosovës mund të vendoset si kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE. Ai vuri në dukje se të dy palët duhet të bien dakord mbi një normalizim të përhershëm dhe gjithëpërfshirës të marrëdhënieve dhe se marrëveshja midis Prishtinës dhe Beogradit do të kontribuonte në stabilitetin në rajon.
Sipas tij, Bashkimi Evropian ka pasur rezultate të mira kur bëhet fjalë për ndërmjetësimin në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.
“Pa ndërmjetësimin e BE-së, marrëveshjet e Brukselit ndoshta nuk do të ishin arritur. Pra, ne kemi rezultate të mira këtu. BE-ja ka ende një rol të rëndësishëm negociues në dialog. BE-ja ia ka besuar këtë detyrë Miroslav Lajçakut, një diplomat me përvojë i cili gëzon mbështetjen e plotë të BE-së dhe Austrisë. Megjithatë, ka nevojë për vullnet politik dhe guximin e Beogradit dhe Prishtinës, pa të cilat nuk do të ketë sukses. Ai gjithashtu ka nevojë për mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht bashkëpunimin e ngushtë me të Bashkuara Shtetet”, tha Kurz.
Kurz tha se të dy palët duhet t’i zbatojnë detyrimet e tyre nga marrëveshja e Brukselit “në një mënyrë të përshtatshme”.
“Atje ku ka pika të hapura, ne kërkojmë zbatimin e tyre në një mënyrë të përshtatshme. Kryesorja është të vazhdojmë seriozisht dialogun, të ndërtojmë besim të ndërsjellë, të përqendrohemi në një të ardhme të përbashkët evropiane. Të gjitha palët do të përfitojnë nga kjo”, tha Kurz.
I pyetur për të komentuar se si duket Kosova sot, 13 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kurz tha se Kosova, sikur vendet tjera, po përballet me sfida në lidhje me pandeminë dhe pasojat ekonomike.
“Austria ka marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale me Kosovën. Me kontigjentin tonë të trupave në KFOR, numerikisht vendosjen më të madhe të forcave të armatosura austriake jashtë vendit, ne japim një kontribut të rëndësishëm në sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës dhe të gjithë rajonit. Ekonomia austriake është një nga investitorët më të mëdhenj. Kosova po përballet me sfida veçanërisht të mëdha duke pasur parasysh pandeminë globale dhe pasojat ekonomike. Prandaj, është e rëndësishme që stabiliteti politik të vendoset shpejt pas zgjedhjeve të ardhshme. Kjo do të jetë gjithashtu e rëndësishme për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës”, tha Kurz. /Express/