26-vjeçarja ka vdekur në vendin e ngjarjes, pas rënies tragjike nga kati i shtatë i një banese. Një person ka përfunduar në prangat e Policisë në lidhje me këtë rast, pasi dyshohet se e ka shtyrë dhe ndihmuar vikimën për vetëvrasje.
Sinjali mëson ekskluzivisht se personi që është arrestuar në lidhje me këtë rast është 30-vjeçari, Valmir Sheqiri, i cili ishte në lidhje dashurie me viktimën.
Ai dyshohet se e ka shtyrë të dashurën e tij të kryejë vetëvrasje në rrethana tragjike në banesën ku jetonte në Lakrishtë të Prishtinës.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima kishte jetuar me qira në atë banesë dhe dyshohet se është hedhur nga kati i shtatë, pas një periudhe të gjatë presioni psikologjik të ushtruar nga i dyshuari.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit rajonalë për krime të rënda, krimteknikë si dhe prokurori kujdestar, i cili pas ekzaminimeve fillestare ka urdhëruar arrestimin e të dyshuarit dhe nisjen e procedurës penale.
Me vendim të Prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48-orë, pasi dyshohet për veprën penale “Shtytje në vetëvrasje”.
Ndërkaq, trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Hetimet lidhur me këtë rast janë duke u zhvilluar intensivisht, për të ndriçuar plotësisht rrethanat që çuan në këtë vetëvrasje tragjike.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.