Këtë të mërkurë, ka vdekur këngëtari i njohur shqiptar, Shpat Kasapi.
Kështu kanë konfirmuar për Klankosova.tv, burime të afërta me artistin.
Shpat Kasapi ishte vetëm 40 vjeç, derisa sipas raportimeve të mediave në Maqedoni të Veriut, ai vdiq pasi pësoi arrest kardiak.
Mediat në Maqedoni të Veriut po raportojnë se, pas një sulmi në zemër, sot herët në mëngjes ka ndërruar jetë këngëtari i pop-muzikës, Shpat Kasapi.
Ai nuk i ka mbijetur atakut kardiak, ndërkohë që nuk ka vuajtur nga ndonjë sëmundje tjetër.
Shpat Kasapi ka qenë një nga emrat më të njohur dhe më të dashur të skenës muzikore shqiptare. I lindur më 1 maj 1985 në Tetovë, ai u rrit në një familje me traditë muzikore, që i dha shtysën e parë drejt skenës.
Karriera e tij nisi në fillim të viteve 2000, ku shumë shpejt u bë një prej idhujve të rinisë me stilin e tij modern, meloditë e lehta dhe performancat energjike, transmeton Periskopi.
Shpati u afirmua përmes tregut muzikor kosovar dhe atij shqiptar, duke sjellë këngë që u shndërruan në hite si “A më do?”, “Valle Kosovare”, “Dashni pa limit”, “Aroma e saj”, e shumë të tjera.
Ka marrë pjesë në festivale të rëndësishme dhe ka bashkëpunuar me emra të njohur të industrisë muzikore.
Prej vitesh ka qenë një figurë e pandashme e muzikës pop shqiptare, duke ruajtur popullaritetin falë stilit të tij karakteristik dhe këngëve që vazhdojnë të dëgjohen gjerësisht.
I ndjeri ka qenë i martuar dhe ka lënë pas një fëmijë.

