Lidhje Demokratike e Kosovës po pret që ta marrë mandatin nga Presidenti i vendit, për të formuar Qeverinë e re të Kosovës.
Lideri i kësaj parti, Isa Mustafa, ka paralajmëruar se do të formojë Qeveri me AAK-në, Nismën dhe komunitetet.
Por, a duhet të formohet kjo qeveri?
Njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja, ka thënë për gazetën “Bota sot” se një koalicion i tillë është paralajmërim i një koalicioni të ardhshëm parazgjedhor dhe se Isa Mustafa tani është nën presion të forcave të fuqishme konservatore.
“Në LDK aktualisht pjesa reformatore, ajo e ndryshimeve, e kthimit në pikëpamjet burimore të LDK-së është në defanzivë dhe Isa Mustafa ndodhet nën presionin e forcave të fuqishme konservatore. Në fakt, paralajmërimi i formimit të këtij koalicioni, paralajmëron edhe koalicionin e ardhshëm parazgjedhor”, është shprehur ai.
Lepaja thotë se LDK nuk duhet të formojë qeveri më dikë tjetër tani, ndërsa për zgjedhje mund ta bëjë, duke shtuar se LDK duhet të angazhohet për zgjedhje të reja dhe aktualisht ta mbështesë Qeverinë, në të cilën ka disa ministra.
“Nuk mendoj se brenda këtij mandati parlamentar LDK-ja duhet të formojë qeveri me këdo tjetër, ndërkaq në zgjedhjet e ardhshme pse jo, është e drejtë e saj të formojë koalicione apo të bëhet pjesë e tyre. Personalisht mendoj se cilat do qofshin arsyet e daljes nga koalicioni, LDK-ja duhet të angazhohet për zgjedhje të reja në momentin e parë kur kjo të jetë e mundur, ndërkohë për bindjen time ajo duhet të mbështesë qeverinë në detyrë ku i ka edhe një pjesë të ministrave”, ka deklaruar Fadil Lepaja për “Bota sot”.
Ndryshe, Qeveria Kurti është rrëzuar me 25 mars, pas mocionit të mosbesimit nga LDK, parteri i këtij koalicioni, 50 ditë pas formimit të saj.