Foto nga arkivi: Aleksandër Vuçiç dhe Donald TrumpSerbia po kërcënohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një tarifë prej të paktën 500 për qind për të gjitha mallrat që i eksporton në shtetin amerikan.
Kjo për shkak se senati amerikan është duke shqyrtuar një ligj që parashikon vendosjen e tarifave prej të paktën 500 për qind për të gjitha mallrat për vendet që vazhdojnë të blejnë gaz prej Federatës Ruse. Ligji mund që të votohet javën e ardhshme.
Kjo e prek drejtpërdrejtë Serbinë, e cila vazhdon të blejë gaz prej Rusisë. Në prag të festave të fundvitit, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, njoftoi se marrëveshja e gazit me Rusinë ishte zgjatur deri në mars të këtij viti.
Dokumenti, i titulluar “Ligji për Sanksionimin e Rusisë i vitit 2025”, që pritet të miratohet nga senati amerikan, synon të ndalojë plotësisht të ardhurat që financojnë politikën shtetërore dhe sektorin ushtarak rus, raporton revista javore serbe “Nedeljnik”.
Në propozimin e ligjit thuhet se qëllimi i SHBA-ve është të vendosen sanksione dhe masa të tjera ndaj Rusisë nëse qeveria e saj “refuzon të negociojë një marrëveshje paqësore me Ukrainën, shkel një marrëveshje të tillë, ose nis një pushtim të ri ushtarak”.
Aty theksohet gjithashtu se, për të parandaluar një pushtim tjetër, politika e SHBA duhet të “sigurojë nivele të qëndrueshme ndihme sigurie për Ukrainën për një kapacitet mbrojtës të besueshëm”.
Pjesa kryesore e dokumentit lidhet me pasojat ekonomike për vendet e treta.
Parashikohet që tarifa për të gjitha mallrat ose shërbimet e importuara në SHBA nga një vend që blen qëllimisht burimet që prodhojnë energji nga Rusia të rritet në nivel të paktën 500 për qind. Pra një mall që kushton 100 dollarë, me tarifën 500% do të kushtonte 600 dollarë.
Ligji specifikon se këto masa do të zbatohen për çdo vend që shet, furnizon, transferon ose blen naftë, uranium, gaz natyror ose produkte petrokimike me origjinë nga Rusia.
“Serbia është plotësisht e varur nga gazi rus dhe nuk ka bërë shumë për të diversifikuar burimet e furnizimit që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë”, shkruan revista serbe. Shteti serb importon rreth 3 miliardë metra kub gaz çdo vit.
Votimi i këtij ligji mund të ndodhë javën e ardhshme. Senatori amerikan, Lindsey Graham, njoftoi në plaftormën X se, pas një takimi produktiv me Presidentin Donald Trump mbi çështje të ndryshme, “ka marrë dritën jeshile” për këtë ligj dypartiak, mbi të cilin kishte punuar për muaj me radhë me senatorin Richard Blumenthal dhe të tjerë.
Graham theksoi se ligji do t’i lejojë presidentit Trump të ndëshkojë vendet që blejnë naftë ruse të lirë dhe kështu “ndihmojnë makinerinë e luftës së Putinit”.
Ai shtoi se ligji do t’i japë presidentit ndikim të madh mbi vendet si Kina, India dhe Brazili për t’i nxitur të ndalojnë blerjen e burimeve që prodhojnë energji që financojnë konfliktin. Senatori tha se shpreson në një votim të fuqishëm dypartiak [demokratë dhe republikanë] “që mund të ndodhë javën e ardhshme”.
Presidenti i SHBA-ve, sipas propozimit të ligjit, ka autoritetin të shtyjë përkohësisht zbatimin e këtyre masave. Ai mund ta shtyjë deri në 180 ditë nëse vendos se kjo është në interes të sigurisë kombëtare të SHBA.
Përveç doganave, ligji parashikon masa për çdo subjekt të huaj që furnizon qëllimisht mallra, shërbime, teknologji ose informacione që ndihmojnë prodhimin ose zgjerimin e naftës dhe gazit.
Masa financiare përfshin bllokimin dhe ndalimin e të gjitha transaksioneve mbi pasuritë e tyre, ndërsa sistemet ndërkombëtare të mesazheve financiare kërcënohen me masa nëse nuk ndërpresin bashkëpunimin me sektorin bankar rus.

