December 22, 2025
DardaniaNews
KulturëLajme

Në Luzern u mbajt ceremonia kulturore-letrare kushtuar trashëgimisë shqiptare

Ngjarja përfshiu ligjëratën mbi librin „Çeta e Profetëve“, në 400-vjetorin e lindjes së Pjetër Bogdanit, përurimin e librit: „Sali Çekaj – Luftëtar i orëve të para të Lirisë së Kosovës“, orë letrare, si dhe ceremoninë tradicionale të Buzmit Bujar.

Luzern, 14 dhjetor 2025

Më 14 dhjetor 2025, në Luzern u zhvillua një aktivitet letrar e kulturor me pjesëmarrjen e krijuesve, ligjëruesve dhe anëtarëve të komunitetit shqiptar në diasporë. Ngjarja, e moderuar nga Mentor Thaqi, u shndërrua në një hapësirë të gjallë reflektimi mbi identitetin, kujtesën dhe vazhdimësinë kulturore shqiptare larg atdheut.

Në hapje të aktivitetit, fjalë rasti mbajtën Dr. Don Anton Uka -Drejtues i Misionit Katolik në Luzern, z. Vigan Berisha- Përfaqësues i Misionit Diplomatik në Zyrih dhe z. Nue Zalli- Kryetar i Shoqatës Humanitare „ Nënë Tereza” në Luzern të cilët theksuan rëndësinë e angazhimit kulturor në diasporë si një formë e vetëdijshme ruajtjeje e trashëgimisë kombëtare. U nënvizua se komuniteti shqiptar në mërgim nuk është vetëm ruajtës i traditës, por edhe një hapësirë krijuese ku kultura merr forma të reja dhe bashkëkohore.

Mentor Thaqi prezantoi programin e Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në mërgatë , ndërsa z. Musa Jupolli-kryetar i kësaj shoqate, solli një ligjëratë të veçantë kushtuar 400-vjetorit të lindjes së Pjetër Bogdanit, duke ndriçuar rolin e tij themelor në ndërtimin e vetëdijes kulturore dhe shpirtërore shqiptare. Programi vijoi me orën letrare, lexim poezish dhe ndarjen e çmimeve vjetore të LKSHM-së, duke dëshmuar gjallërinë e krijimtarisë letrare në diasporë.

Shoqata “Sali Çekaj” prezantoi një ligjëratë mbi jetën dhe veprën e heroit, mbajtur nga z. Abaz Fejzullahu, si dhe një interpretim muzikor me këngën „Zemra e Dugagjinit“, me tekst dhe muzikë të z. Fatmir Muja, të kënduar nga Vëllezërit Alimusaj në nder të dëshmorit të lirisë. Pas diskutimeve mbi librin për figurën e tij, u ndanë reflektime të thella mbi sakrificën, lirinë dhe trashëgiminë e vlerave kombëtare, të cilat diaspora përpiqet t’i ruajë dhe t’i transmetojë brezave të rinj.

Një nga momentet më domethënëse të mbrëmjes ishte fjala e Bardhec Berishës mbi traditën e Buzmit Bujar dhe ceremonia simbolike e një numri skenik , e luajtur me patos nga Mentor Thaqi, Martin Musaj etj.

Ky rit i lashtë u përjetua si një lidhje e gjallë me rrënjët, një kujtesë se tradita nuk është vetëm e kaluar, por një akt i vetëdijshëm i jetuar në të tashmen si element integrues të një cikli shpirtëror dhe festiv në disa treva, si ajo e Dugagjinit, Shkodrës , Pukës dhe më gjërë.

Në mërgim, larg tokës amë, diaspora shqiptare është shndërruar në një vatër të gjallë kujtese dhe dashurie për rrënjët. Përmes fjalës shqipe, këngës, librit dhe ritualeve të trashëguara, ajo mban ndezur një dritë që lidh brezat me historinë dhe shpirtin kombëtar. Çdo aktivitet kulturor bëhet një akt përkushtimi, një përpjekje për të mos e lënë kujtesën të zbehet, duke i dhënë brezave të rinj një identitet që jeton brenda tyre. Diaspora, kështu, shfaqet jo vetëm si ruajtëse e së shkuarës, por si bartëse e gjallë e vlerave kombëtare, që i përcjell ato nga brezi në brez si një amanet shpirtëror.

Mbrëmja u përmbyll me biseda të lira dhe një koktej me ushqime tradicionale shqiptare, të përgatitura nga nënat dhe motrat arbërore të komunitetit tonë. Ky moment bashkëndarjeje vulosi ndjesinë e komunitetit dhe konfirmoi edhe një herë se kultura shqiptare në diasporë mbetet një forcë e gjallë, që ushqehet nga kujtesa, bashkimi dhe dashuria për rrënjët.

Në këta muaj festash, kur drita kërkon vend në çdo vatër dhe familja mblidhet rreth ngrohtësisë së saj, urojmë që fryma e gëzimit dhe paqes të jetë e pranishme në çdo shtëpi shqiptare. Le të forcojmë lidhjet mes brezave, të ruajmë gjallë rrënjët tona dhe të kujtojmë se identiteti ushqehet me dashuri, kujtesë dhe bashkim. Paçi paqe, shëndet dhe begati të gjithë shqiptarët, në mbarë shqiptarinë, kudo që jetoni!

Aktiviteti u përcoll përmes këtij artikulli nga:

Liljana Doda Gojani

 

Related posts

59-vjeçari nga Prishtina merr peng 6 pushuesit italianë në Sarandë: Më dëmtuan apartamentin

dardanianews

Pagesa për angazhimin e saj ishte bërë nga Milan Radojiçiq!

dardanianews

Ndarja nga jeta e Shpat Kasapit, flet vëllai i tij: Ishte në Itali me familjen për një kontroll mjekësor për të birin, dyshojmë se…

dardanianews