Gazetari kryesor i formatit televiziv, Big Brother VIP Kosova, Labinot Nimani në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin “Info Magazine” ka zbuluar pak nga skaleta e sotme e spektaklit ‘Prime’.
Nimani, ka konfirmuar se sonte do të realizohet eliminimi i konkurrentit të parë të edicionit të dytë të BBVK-së, derisa ka zbuluar po ashtu se do të ketë një hyrje surprizë.
“Sonte, pritet të jetë një natë spektakolare në ‘Prime’, dhe surprizat e “Vëllait të Madh” do të jenë të mëdha në numër. Do të kemi të eliminuarin e parë për këtë edicion të dytë të Big Brother VIP Kosova si dhe një hyrje surprizë”, ka thënë Nimani.
Vëmendje, pritet t’i kushtohet edhe darkës së banorëve të nominuar, gjatë të cilës, konkurrentët në fjalë, Shqipja, Brikenda, Blerando, Ledi, Meti dhe Buci – janë përballur me pyetje pikante e të sikletshme.
“Temë diskutimi do të jetë edhe darka e mbrëmshme e banorëve të nominuar, e cila ka prodhuar një sërë situatash interesante e voluminoze që përfshinin debate të ashpra si dhe pikante kundër njëri-tjetrit. Banorët kanë shkuar deri në atë pikë sa kanë thënë emrat e konkurrentëve që duhet të eliminohen sonte – Buci për Ledin, dhe Brikenda për Blerandon”, ka shtuar Nimani pos tjerash.
Spektakli ‘Prime’ nis sonte duke filluar nga ora 21:00 nën moderimin e Alaudin Hamitit dhe Jonida Vokshit – i njëjti do të transmetohet ekskluzivisht në ekranet e KlanKosova dhe ArtMotion.