Aktori i njohur, Ermal Mamaqi, ka reaguar së fundmi pas deklaratës së tij të dhënë vetëm disa ditë më parë, ku u shpreh se “njerëzit që janë të varfër e meritojnë të jenë të tillë”. Fjali e cila nuk u prit mirë nga publiku duke ngjallur debat mbi mesazhin që artisti kishte dashur të përcillte.

I pyetur në një intervistë për këtë deklaratë, Ermali nuk shprehu pendesë, por sqaroi se fjalët e tij janë keqkuptuar dhe se ai i është referuar një kategorie të caktuar njerëzish që, sipas tij, nuk bëjnë përpjekje për të ndryshuar jetën e tyre.
“Kush punon 12 orë nuk është i varfër. Unë i referohem disa formave të ndryshme të dembelizmit. Ka shumë dembelë, madje edhe të lindur të tillë. Nëse je 40 vjeç dhe akoma pret që dikush tjetër të kujdeset për ty, atëherë e meriton atë status që ke,” u shpreh aktori.
Sipas tij, varfëria nuk lidhet vetëm me aspektin financiar, por me mënyrën se si një njeri e menaxhon jetën dhe zgjedhjet e tij.
“Për mua, varfëria më e madhe nuk është pjesë e financave. I varfër quhesh kur nuk mbyll dot shpenzimet minimale. Fjala ‘e meriton’ ka dy kuptime: e para, askush nuk e meriton të jetë i varfër nga pikëpamja njerëzore; por nga ana tjetër, ne marrim atë që tolerojmë. Nëse ke zgjedhur një profesion apo mënyrë jetese që nuk të çon drejt përmirësimit, atëherë kjo është ajo që të është rezervuar. Zgjedhjet definojnë jetën tonë. Ti merr atë që ke programuar dhe planifikuar,” tha Ermal Mamaqi në “Goca dhe Gra.

