Një e re turke, e arrestuar për ushtrim prostitucioni në Shqipëri, do të qëndrojë në burg me vendim të Gjykatës së Apelit në Tiranë. Sipas dosjes hetimore të siguruar nga mediat, e reja kishte mbërritur në vendin tonë me ftesën e një mikeje, e cila e kishte bindur se në Tiranë mund të fitonte shumë para duke punuar si eskortë.
Në momentin e mbërritjes në Tiranë, ajo u prit nga Sinan Borat, një ish-parukier në zonën e Astirit, që tashmë punonte si taksist për të shoqëruar vajza që ofronin shërbime seksuale. Ai kishte kaluar në këtë profesion pasi të ardhurat nga puna e mëparshme ishin shumë të ulëta. “Në Tiranë, e priti Sinan Borat, që punonte si taksist dhe që ishte i gatshëm ta ndihmonte për të gjetur apartamentin dhe për gjithçka tjetër i nevojitej”, thuhet në dosje.
Në dëshminë e saj, vajza pohon: “Më tha pse nuk shkon atje të punosh si eskortë, sepse ka shumë para, klientët paguajnë shumë. Më tha do të të presë atje një miku im turk”.
Rrjeti në të cilin punonte ishte i organizuar përmes një grupi WhatsApp me emrin “Isil”, ku ndodheshin tre anëtarë: vetë ajo si punëtore, një vajzë tjetër me pseudonimin “Cansu” që shërbente si operatore, dhe “Hakan”, i cili ishte menaxheri që siguronte klientët.
Pagesat për shërbimet ishin të paracaktuara dhe parapaguheshin: nga 150 deri në 200 euro për 30 minuta. Fitimet ndaheshin përgjysmë mes saj dhe Hakanit, i cili vepronte nga Turqia. Po ashtu, të dy ndanin edhe shpenzimet për qiranë e apartamentit ku ajo qëndronte. Klientët silleshin në adresë nga Hakan përmes komunikimeve në WhatsApp.
Sipas përgjimeve, e reja njoftonte menaxherin sa herë grumbullonte një shumë të madhe, dhe ai dërgonte një person për të tërhequr të hollat. Në një prej bisedave, vajza ankohet për mungesë klientësh gjatë muajit të Ramazanit, kur kërkesat ishin më të ulëta se zakonisht.
Autoritetet po hetojnë më tej mbi aktivitetin e rrjetit dhe bashkëpunëtorët e përfshirë në këtë skemë të organizuar.