Dasma e Teuta Rugovës, vajzës së ish-presidentit Ibrahim Rugova, dhe partnerit të saj Agron Gjeloshi, ka vazhduar të tërheqë vëmendjen e publikut përmes imazheve dhe videove që po shpërndahen në rrjete sociale dhe media.
Pas ceremonisë zyrtare të kurorëzimit që u mbajt në orën 17:00 nga Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në rezidencën historike në Velani, janë publikuar pamje të reja nga një aktivitet tjetër që shënoi këtë ditë të veçantë për çiftin.
Në njërin prej restoranteve të njohura të kryeqytetit është organizuar një darkë mes familjarëve të ngushtë, ku mbizotëronte një atmosferë e ngrohtë dhe festive.
Ajo që bie në sy në këto pamje është vallëzimi nën tingujt live të super hitit shqiptar “Xhamadani vija-vija”, që ka ngritur në këmbë të ftuarit dhe ka krijuar një ambient tradicional e solemn njëkohësisht.
Sipas raportimit të bërë nga emisioni “Prive” i Liberta Spahiut në rubrikën “E vërtetë, e pavërtetë”, kjo dasmë pritet të kulmojë me ceremoninë martesore në Katedralen e Prishtinës dhe më pas me një aheng madhështor në një prej hoteleve më prestigjioze të kryeqytetit.
Ndërkohë, interesimi për këtë ngjarje vazhdon të rritet, ndërsa pritet të publikohen edhe pamje të tjera nga ceremonia që po cilësohet si një ndër dasmat më të komentuara të këtij viti në vend.