Zyrtarët e lartë të sigurisë ruse mendojnë se lufta në Ukrainë është “e humbur”, duke sugjeruar se regjimit të Vladimir Putinit mund t’i vijë fundi, sipas një eksperti për kërcënimet e sigurisë të lidhura me Rusinë.
“Elita e informuar” brenda forcave të sigurisë “e kupton se lufta është e humbur”, citohet të ketë thënë hetuesi kryesor i Bellingcat për Rusinë, Christo Grozev në një intervistë për Radio Liberty, për Metro, përcjell Telegrafi.
Për të pasur një shans për të fituar luftën, tha Grozev, presidenti rus do të kishte nevojë për mobilizim të plotë, por kjo do të shkaktonte probleme për të brenda vendit.
Mobilizimi masiv do të çonte në një “shpërthim social” në Rusi, shtoi Grozev, sipas shkrimit të Metro, të cilit i është referuar edhe Business Insider.
Në këtë drejtim, ka nga ata në rrethin e ngushtë të Putinit që mund t’i bëjnë presion atij të përdorë armë bërthamore ose kimike, vazhdoi Grozev, por të tjerët do të thonë “mjaft është mjaft”.
Këta njerëz do të thoshin “është më mirë të mos humbim edhe 10,000 jetë të ushtarëve dhe oficerëve tanë”, citohet të ketë thënë më tej Grozev.
Megjithëse shifrat e sakta nuk janë të disponueshme, vlerësohet se mijëra ushtarakë rusë kanë vdekur në ofensivën brutale të vendit në Ukrainë.
Madje, sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, Rusia ka humbur një të tretën e forcave të saj.
Zyrtarët perëndimorë thonë se Rusia, duke u përballur me pengesa ushtarake, po humbet vrullin ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon.
Dhe Grozev ka thënë se zyrtarët e sigurisë në FSB, të cilët e dinë se sa ushtarë rusë kanë vdekur, mendojnë se Putini po humbet kontrollin e tij në pushtet.
“Këto janë ato pjesë të forcave të sigurisë që i dinë rreziqet për regjimin dhe ata vetë tani po përgatite për të ardhmen e tyre”, ka thënë më tej ai, për Metro.
Ndryshe, ditë më parë, shefi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës kishte thënë për Sky News se një grusht shteti për të rrëzuar Putinin tashmë është duke u zhvilluar.
“Është e pamundur ta ndalosh atë”, ka pretenduar gjeneralmajor Kyrylo Budanov. /Telegrafi/