Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit ka postuar në llogarinë e saj zyrtare në “X” një video nga aeroplani që u rrëzua të mërkurën në Kazakistan, në të cilën dëgjohet zëri i stjuardesës Hokuma Aliyeva (33).
Në përshkrimin e videos thuhet se regjistrimi u publikua në mënyrë që “zëri i Hokuma-s, e cila shërbeu profesionalisht, të mos harrohet kurrë”.
“Zëri i Hokuma Aliyeva-s, e cila shërbeu profesionalisht deri në minutën e fundit të rrëzimit tragjik të avionit, duke siguruar pasagjerët se ‘gjithçka do të jetë në rregull’ nuk do të harrohet”, thuhet në përshkrim, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ndërkohë nëna e saj ka treguar se Hokuma punonte për AZAL që nga viti 2016.
Hokuma ishte një person i lumtur. Ajo kishte vizituar shumë vende dhe gjithmonë na thoshte të jemi krenarë për të. Një herë, pasi u kthye nga një udhëtim, ajo tha se aeroplani i tyre për pak sa nuk u rrëzua… Këtë herë, përplasja ndodhi dhe vajza ime nuk mundi të mbijetonte”.
Kujtojmë se më shumë se 30 persona humbën jetën, kur një aeroplan azerbajxhanas u rrëzua në Kazakistan.
Ndërkohë 29 persona mbijetuan.
Shkaku i aksidentit mbetet i panjohur por shoqëria e fluturimit, Azerbajxhani Airlines dhe Autoriteti Rus i Aviacionit Civil thanë se informacionet paraprake sugjeronin se piloti vendosi të bënte një ulje emergjente pasi aeroplani u godit nga një zog.
Nga ana tjetër, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev tha se sipas informacioneve të tij, avioni ka ndërruar itinerar për shkak të motit të keq.
Aeroplani u ngrit nga kryeqyteti i Azerbajxhanit Baku në mëngjes dhe ishte planifikuar të fluturonte rreth një orë për në Grozny në republikën ruse të Çeçenisë. /Telegrafi/