Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit amerikan ka votuar për ta çuar përpara një projektligj, sipas të cilit i kërkohet Sekretarit të Shtetit ta përgatisë një raport gjithëpërfshirës mbi trajtimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës nga autoritetet serbe.
Projektligji u sponsorizua nga kongresisti republikan Keith Self, i cili ka thënë se shqiptarët në Luginë vazhdojnë të diskriminohen, derisa ka përmendur pasivizimin e adresave të shqiptarëve.
“Një raport i vitit 2021 i publikuar nga Komiteti i Helsinkit për të drejta të njeriut tha se Serbia mund të jetë duke kryer një formë të spastrimit etnik përmes mjeteve administrative ndaj shqiptarëve”, ka thënë ai, sipas videos nga mbledhja e komitetit e publikuar në rrjetin X.
E, nënkryetari i Komitetit, Gregory Meeks, ka thënë se mungesa e marrjes së përgjegjësisë nga ana e Qeverisë së Serbisë për krimet e kryera ndaj pakicave etnike në rajon, përfshirë shqiptarët etnikë, mbetet një pengesë në paqe të qëndrueshme sot.
“Ky komitet është jashtëzakonisht i shqetësuar që Qeveria e Serbisë vazhdon të diskriminojë dhe persekutojë pakicat etnike në Serbi, përfshirë shqiptarët etnikë”, ka deklaruar ai para anëtarëve.
Ndërkohë, për vendimin e Komitetit amerikan ka reaguar deputeti shqiptar në Kuvendin serb, Shaip Kamberi, i cili ka theksuar se beteja e gjatë u kurorëzua me sukses tani.
“Si qëndrim zyrtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit të SHBA-së miratoi rezolutën H.R. 6411, mbi të drejtat etnike dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Mirënjohje e veçantë për Kongresistin Keith Self, Kryetar i Nënkomitetit për Evropë, për iniciativën dhe lidershipin e tij parimor, si dhe për përkrahjen dypartiake të Kryetarit Brian Mast dhe Nënkryetarit Gregory Meeks. Kjo rezolutë tashmë pritet të aprovohet nga vetë Kongresi i SHBA”, ka shkruar ai në Facebook.
E, kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, e cilësoi vendimin e Komitetit si mesazh të qartë për Beogradin.
“Kjo është ditë e rëndësishme për shqiptarët e Luginës. Dhe sinjal se padrejtësia nuk është e përjetshme. Një betejë e gjatë. Me durim, këmbëngulje dhe besim”, shkroi në Facebook.
Pas shqyrtimit të plotë në komision, projektligji do të raportohet nga Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit dhe do t’i dërgohet Dhomës së Plotë të Përfaqësuesve për votim. Më pas ai miratohet nga Senati dhe nënshkruhet nga presidenti.
Projektligji kërkon të vlerësohen çështje më rëndësi, përfshirë pasivizimin e adresave; kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike; diskriminimin në arsim, përfshirë mosnjohjen e diplomave të Kosovës dhe mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Rasti i pasivizimit të adresave është një çështje për të cilën shqiptarët në Serbi janë ankuar vazhdimisht dhe kanë dalë në rrugë për të protestuar.
Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar. Ky hap rezulton me humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile – përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension dhe për t’u punësuar.

