Nga Milazim Krasniqi:
Një kujtim për polemikat e kroatëve dhe serbëve për Ivan Gundulliqin
IBRAHIM RUGOVA ISHTE SPECIALIST PËR POLEMIKA ME SHKRIMTARËT SERBË
Ishim me Ibrahim Rugovën në Zagreb (1989) ku ndër të tjera ishte edhe një aktivitet në 400 vjetorin e lindjes së Ivan Gundulliqit. Shkrimtarët kroatë ishin të tmerruar nga pretendimi serb për ta paraqitur Gundulliqin si serb. Iu ankuan Ibrahimit. Ibrahimi u tha se ai do t’ua luante një rreng serbëve. Në fjalën që mbajti, Rugova foli për “bregdetin kroato-shqiptar” dhe për trashëgiminë letrare e artistike të kësaj pjese të Adriatikut, si vetëm shqiptare e kroate. Ishte kategorik se në këtë pjesë të Adriatikut vetëm shqiptarët dhe kroatët janë hisedarë. I pati tmerruar shkrimtarët serbë. Mbaj mend si sot se si u tërbua akademiku Matija Beçkoviq. Por, e humbën debatin tërësisht. Mbaj mend se po atë natë, pas një darke në restorantin e Shoqatës Kroate të Shkrimtarëve, Ante Stamaqi, na çoi në vendin ku mungonte shtatorja e ban Jellaqiqit dhe ndër të tjera tha: “Zotëri Rugova, ju jeni mysafiri më i dashur dhe më i nderuar sonte në Zagreb!” Tash kroatët janë shumë të fortë dhe jam i bindur që e fitojnë çdo kontest me serbët edhe në këtë problematikë. Por në vitin 1989, në aktivitetin për Gundulliqin, ndihma e Rugovës për ta denoncuar mashtrimin serb, ishte domethënëse. Vërtet në atë aktivitet të tensionuar, i pati trimëruar shkrimtarët kroatë me mençurinë dhe me guximin e tij.

