Rasim Thaçi – Cima kishte një lidhje shpirtërore me veturën e tij të tipit të “Renault 5”.
Ikona e humorit, sa ishte gjallë, kishte dërguar makinën në servis për të bërë një transformim të saj.
Përfaqësuesi i Ranault në Kosovë, Auto Mita, kishte marrë përsipër transformimin e kësaj veture përkundër gjendjes së saj.
Jam shumë i emocionuar që po e dërgojë këtë veturë për transformim. Derisa të rregullohet kjo veturë do të jem me shumë emocione”, kishte deklaruar homoristi kur ka dorëzuar veturën në servis.
Përfaqësuesit e “Auto Mita” tregojnë se vetura 30 vjeçare ishte shumë e dëmtuar.
“Vetura është shumë e dëmtuar por ne si “Auto Mita” kemi marrë përsipër dhe do të bëjmë maksimumin”, deklaroi një serviser në Auto Mita.
Mirëpo pas një periudhe disa mujore, vetura mbeti pa pronarin e saj, Rasim Thaçin.
Pas një sëmundje ikona e humorit ndërroi jetë me 26 mars të vitit 2021.
Përkundër kësaj “Auto Mita” vazhdoi punën në mënyrë që veturën ta përfundoj në mënyrën më të mirë të mundshme.
Por kësaj radhe çelësat e veturës së dorëzuar nga Cima i pranoi Artani, djali i tashmë të ndjerit.
“Ju falënderoj shumë. Jam pa fjalë për renovimin e veturës. Do të ishte më mirë që babi të pranonte vet veturën, por kështu deshi fati. Me këtë veturë në një farë forme po më duket sikur po më kthehet babi”, deklaroi djali i Cimës.
Përfaqësuesi i “Auto Mitës” thotë se kjo veturë do të jetë dhuratë për familjen në mënyrë që të njëjtit të jetojnë me kujtimet e Cimës edhe për shumë vite.
Falë punës së “Auto Mitës” vetura e Cimës tashmë është transformuar totalisht.
I biri premton se do ta ruaj atë siç e kishte ruajtur Cima./Telegrafi/