Një filozof ultranacionalist, i mbiquajtur “truri i Putinit” për ndikimin e madh që ka tek lideri rus, deklaroi se tërheqja e vendit nga kryeqyteti ukrainas Kiev është vetëm një “situatë e përkohshme”.
Ideologu Alexander Dugin, i njohur për ndikimin e tij në Kremlin, i bëri këto komente në një intervistë për mediat turke. Komentet u shpërndanë më vonë nga shërbimi rus i televizionit RIA Novosti, i cili ka promovuar kryesisht retorikën anti-ukrainase. Në fillim të këtij muaji, forcat ruse u tërhoqën nga zona e Kievit pasi tentuan por pa sukses të mërrnin nën kontroll kryeqytetin ukrainas.
Ushtria ruse u ripozicionua me qëllimin të fokusohej në rajonin lindor të Donbasit. Por në intervistën e tij, Dugin iu referua tërheqjes ruse thjesht si një “lëvizje taktike” që do t`i lejonte ushtrisë të rigrupohej dhe të rishikonte situatën e saj, tashmë nën drejtimin e gjeneralit të porsaemëruar Alexander Dvornikov, një figurë kyçe në fushatën ruse të 2015 në Siri.“Ushtria ruse aktualisht po lufton fuqitë sovrane që imponojnë një botë unipolare”, tha Dugin, duke iu referuar vendeve aleate me Ukrainën, përfshirë SHBA-në. “Ne nuk mund ta humbasim këtë luftë. Përndryshe, e gjithë bota do të kthehet në një zjarr të madh,” u shpreh në një pohim që në fakt, tingëllonte si kërcënim i pastër. Daniel Treisman, profesor i shkencave politike në Universitetin e Kalifornisë dhe njohës i mirë i politikës ruse, nuk e përjashton mundësinë që presidenti rus Vladimir Putin t`i drejtojë forcat ruse që të përpiqen edhe një herë të marrin Kievin.
Është sigurisht e mundur – që Putini të tentonte një goditje tjetër ndaj Kievit nëse mendon në një moment të ardhshëm se ushtria e tij ka një shans më të mirë për të pasur sukses. Megjithatë, unë nuk do t`i besoja shumë komenteve të bëra në një gazetë turke nga një ‘filozof’ nacionalist, dhe më pas të marra nga gazetarët shtetërorë rusë,” shprehet ai, duke shtuar “Nëse Dugin është burimi më i mirë që RIA Novosti mund të gjejë për të komentuar planet ushtarake të Rusisë, keq e paskan punën”. Pavarësisht ripozicionimit të trupave ruse në lindje, edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka paralajmëruar se Putin ende mund të kërkojë të marrë të gjithë vendin, ndërsa Dugin e përforcoi këtë ide me pohimet e tij “fushata e saj brutale në Ukrainën lindore “nuk është një fitore” për Rusinë.