8.6 C
New York
November 21, 2024
DardaniaNews
FeaturedLajme

Vjosa Osmani kujton Dr. Ibrahim Rugovën në ditën e presidentit: Atë as bombat nuk e ndalën

Kryetarja e Kuvendit së bashku me kabinetin e saj, kanë bërë homazhe të varri i presidentit Rugova, në  prag të 24 Majit, Ditës së Presidentit.

Osmani thotë se Rugova na mësoi se këmbëngultësia në parime, sado e vështirë, është rruga e vetme për ta realizuar ëndrrën për shtet që i bën të dinjitetshëm qytetarët e vet.

Ajo ka folur edhe për veturën e presidentit Rugova në të cilën u bë një atentat, e që si kryetare e Kuvendit të Kosovës, do t’i propozoj institucioneve përgjegjëse që këtë veturë, e cila është pjesë e rëndësishme e historisë së Kosovës, ta marrin nën mbrojtje.

Në prag të 24 Majit, Ditës së Presidentit, e inicuar si ditë presidenti nga vetë dr. Ibrahim Rugova, e kujtuam arkitektin e pavarësisë së Kosovës, ideatorin e shtetësisë së saj, njeriun e butë por këmbëngulës në vizionin e tij për ta realizuar ëndrrën e brezave për të jetuar të lirë.
U përkulëm para varrit të Presidentit historik, me kujtesën e freskët për njeriun, i cili na mësoi se këmbëngultësia në parime, sado e vështirë, është rruga e vetme për ta realizuar ëndrrën për shtet që i bën të dinjitetshëm qytetarët e vet dhe ua garanton atyre liritë qytetare; se ëndrra për t’i shërbyer me dinjitet vendit është më e madhe se moskuptimi, sharjet e sulmet nga ata që s’mund ta kuptojnë vizionin tuaj, madje edhe kur sulmoheni me bomba, sikur i ndodhi presidentit tonë, 16 vjet më parë.

Sot, vetura në të cilën ndodhej presidenti Rugova atë ditë, së bashku me veturat e tjera të eskortës së tij, gjinden në oborrin e Kuvendit të Kosovës, në mëshirë të fatit. Si kryetare e Kuvendit të Kosovës, do t’u propozoj institucioneve përgjegjëse që këtë veturë, e cila është pjesë e rëndësishme e historisë së Kosovës, ta marrin nën mbrojtje. Atë veturë nuk guxon ta mbulojë pluhuri i harresës. Ajo është dëshmi se duhet ta ruajmë kujtesën kolektive e jo të bëhemi pjesë e amnezisë kolektive. Është dëshmi se Presidenti nuk thyente parimet as kur përballej me bombat. Prandaj, ajo veturë duhet të jetë në muze, qoftë në Muzeun Kombëtar, qoftë në atë të Pavarësisë, sepse, sikur e gjithë veprimtaria e dr. Rugovës, ajo është dëshmi se vizioni për shtetin e pavarur, i prirë nga dashuria për vendin, është i pathyeshëm; se këmbëngulja për ta ndërtuar vendin është më e madhe se cilado pengesë dhe se kujtesa për lëvizjen për pavarësi është kujtesë për qenien tonë.

Ne do ta kujtojmë përherë presidentin Rugova si njeri stoik e si model të papërsëritshëm të politikanit, i cili ia dha politikës dimensionin më të çmuar të saj: atë human; e kujtojmë unifikuesin e jashtëzakonshëm të popullit të tij e përafruesin po kaq të madh të pikëpamjeve të ndryshme politike rreth vizionit për lirinë. Ai u ndihmoi shqiptarëve që ta krijonin lirinë e brendshme, si premisë mbi të cilën do ta realizonin lirinë fizike dhe kjo qe e arritur e jashtëzakonshme e tij dhe e lëvizjes që ai e udhëhoqi; e kujtojmë udhëheqësin shpirtëror të shqiptarëve, i cili vizionin e tij për Kosovën dhe çështjen shqiptare e shpalosi aq bindshëm nëpër kancelaritë botërore, sa krijoi ura miqësie gjithandej globit dhe e vulosi përfundimisht aleancën e qëndrueshme e të përhershme të shqiptarëve me qytetërimin e vendet e përëndimit. Këto, sikur dihet, ia mundësuan Kosovës që përfundimisht ta prekte ëndrrën për të jetuar e lirë, ëndërr që u bë realitet më 1999.

Ëndrra e presidentit vazhdon!

Image

Image

 

Related posts

Reformat e deritashme në LDK lënë për të dëshiruar

dardanianews

Avokati i njohur: Sapo më kërcënoi Sami Lushtaku, ai është nisur për te shtëpija ime

dardanianews

“Njerëzit kanë derdhë gjak…”, Gazmend Halilaj zbulon të fshehur në arkivë të Prokurorisë një rast të vrasjes së rëndë

dardanianews