Ylli i Hollywoodit, Richard Gere do të dëshmojë në gjyqin kundër politikanit italian, Matteo Salvini. Prokurori fillimisht kundërshtoi praninë e Gere, por avokati i “Open Arms”, i cili citoi aktorin amerikan, përsëriti: “Gere ishte në bordin e anijes më 9 gusht 2019 dhe mund të na tregojë se cilat ishin situatat e përgjithshme në bord” raporton versioni italian i mediumit amerikan, The Huffington Post, transmeton Gazeta Express.
Thirrja e aktorit mes dëshmitarëve nuk është vlerësuar nga Salvini, i cili është tallur me atë.
Dëshmia e Gere në gjyqin e “Open Arms” është dëshmi e angazhimit dhjetëvjeçar të aktorit amerikan për të mbështetur çështjet civile. Një angazhim që ka zgjatur që nga vitet 1970 dhe është fokusuar në çështje nga më të ndryshmet: nga socio-mjedisore te shëndetësia, nga kulturore tek ato politike.
Përkushtimi ndaj Kosovës
Në vitin 1999, me rastin e vizitës së tij në një kamp refugjatësh në Kosovë, Gere ngriti çështjen e refugjatëve kosovarë. Ai bëri thirrje për një ndërhyrje nga komuniteti ndërkombëtar në mbështetje të tyre.
“Duke marrë parasysh që bombardimet udhëhiqen nga Shtetet e Bashkuara dhe britanikët, angazhimi i tyre për marrjen e refugjatëve duhet të jetë shumë, shumë më i madh. Sigurisht që i takon vendeve të zhvilluara të botës, veçanërisht vendeve të NATO-s, të marrin përsipër shumë më tepër përgjegjësi sesa kanë”, shprehej aktori kritik.
Vite më vonë, aktori e ka trajtuar sërish këtë temë në filmin “The Hunting Party”, të publikuar në vitin 2007, bazuar në një histori të vërtetë. Në film ai luajti rolin e Simon Hunt, një gazetar në gjurmët e kriminelit më të kërkuar të luftës në Bosnjë me nofkën “dhelpra”, bazuar në historinë e të kriminelit serb, Radovan Karaxhiq, i arrestuar më pas në vitin 2008.
Në vitin 2012 Gere mori nga presidenti i atëhershëm i Shqipërisë, Bamir Topi medalje nderi për mbajtjen lart të vëmendjes mbi Kosovën dhe për kontributin e tij për t’ia bërë të njohur botës tragjedinë e kosovarëve.
Aktori i njohur ishte angazhuar edhe në çështje të tjera humanitare, si ndaj migrantëve e të pastrehëve, në luftën kundër SIDA-s, fushatën për pavarësinë e Tibetit, angazhimin ndaj popujve indigjenë, angazhimin në ndërtimin e shkollave dhe spitaleve, etj.

