June 3, 2026
DardaniaNews
KulturëLajme

28 VJET NGA RËNIA HEROIKE E HEROIT TË KOMBIT NASER KRASNIQI-LEKA

Nesër bëhën 28 vjet nga rënia heroike e Heroit të Kombit, Naser Veli Krasniqi “Leka”, një figurë emblematike e rezistencës së armatosur dhe e sakrificës sublime për lirinë e Kosovës

Në historinë më të re të Kosovës, lufta çlirimtare përfaqëson kulmin e përpjekjeve shumëshekullore të popullit shqiptar për liri, dinjitet kombëtar dhe shtetësi. Brenda kësaj epopeje të lavdishme, figura të shumta u shquan për heroizëm, vendosmëri dhe sakrificë, duke u bërë gurthemelet mbi të cilat u ngrit liria e Kosovës. Ndër këto figura të ndritura zë vend të veçantë Heroi i Kombit Naser Veli Krasniqi-Leka, emri i të cilit është bërë sinonim i trimërisë, idealizmit kombëtar dhe përkushtimit absolut ndaj çështjes së lirisë. Naser Veli Krasniqi lindi më 24 tetor 1972, në fshatin Ratkoc të Rahovecit, në një familje me tradita të thella atdhetare dhe kombëtare. Ai ishte djali i tretë i prindërve Veli Krasniqi dhe Mihrije Xhyliqi Krasniqi, të cilët rritën shtatë fëmijë, katër djem dhe tri vajza në frymën e dashurisë për atdheun, dinjitetit njerëzor dhe përkushtimit ndaj vlerave kombëtare. Pikërisht kjo atmosferë familjare, e ushqyer me kujtesën historike të rezistencës shqiptare, ndikoi në formimin e hershëm të personalitetit të Naserit. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, në Ratkoc, ndërsa shkollimin e mesëm e vazhdoi në Rahovec dhe Prishtinë. Më pas nisi studimet universitare në Fakultetin e Kulturës Fizike në Universitetin e Prishtinës. Megjithatë, në kohën kur populli shqiptar po përballej me një represion gjithnjë e më brutal nga regjimi serbo-jugosllav, ai e ndërpreu rrugëtimin akademik për t’iu përkushtuar plotësisht organizimit dhe luftës për çlirimin kombëtar. Ky akt përbënte një zgjedhje të vetëdijshme historike; sakrifikimin e ambicieve personale në funksion të idealit kolektiv të lirisë. Që në moshë të re, Naseri dëshmoi ndjeshmëri të theksuar politike dhe vetëdije të lartë kombëtare. Një ndër episodet simbolike të rinisë së tij ishte thyerja e fotografisë së Josip Broz Titos, një akt i guximshëm proteste që ai e ndërmori si nxënës i klasës së gjashtë, i frymëzuar nga edukata familjare, mjedisi atdhetar dhe ndikimi i bashkëmoshatarëve më të vetëdijshëm politikisht. Ky veprim nuk ishte thjesht revoltë spontane fëmijërore, por shprehje e hershme e refuzimit ndaj simbolikës shtypëse të regjimit jugosllav. Gjatë viteve 1988-1989, kur Kosova po kalonte një nga periudhat më dramatike të historisë së saj moderne, me suprimimin e autonomisë dhe shtimin e represionit shtetëror serb, Naser Krasniqi u shqua si një nga të rinjtë më aktivë në protestat popullore. Edhe pse ende i ri në moshë, ai dëshmoi pjekuri politike, guxim qytetar dhe vendosmëri të jashtëzakonshme. Në këtë periudhë ai ra në kontakt me veprimtarin e çështjes kombëtare, profesorin Xhemajli Berisha, përmes të cilit u organizua në strukturat rinore të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK). Brenda këtyre strukturave politike ilegale, Naseri kreu detyra të rëndësishme organizative dhe propagandistike, si shpërndarja e trakteve ilegale, shkrimi dhe vendosja e parullave politike, organizimi i demonstratave dhe mobilizimi i të rinjve për rezistencë aktive. Në demonstratat e viteve 1989-1990, të zhvilluara në Ratkoc, Rahovec dhe në fshatrat përreth, ai ishte ndër figurat më të dallueshme. I mbështjellë me flamurin kombëtar shqiptar dhe me plis të bardhë në kokë, ai qëndronte gjithmonë në ballë të protestuesve, duke personifikuar vizualisht shpirtin e rezistencës shqiptare. Kjo e bëri objekt të ndjekjes së vazhdueshme nga aparati represiv serb, duke e detyruar të largohej përkohësisht në Gjermani. Edhe gjatë qëndrimit në mërgim, ai nuk u shkëput asnjëherë nga veprimtaria atdhetare. Në Gjermani vendosi kontakte me veprimtarë të çështjes kombëtare dhe e shfrytëzoi këtë periudhë për konsolidimin ideologjik e organizativ. Mërgimi për të nuk ishte arratisje, por një etapë përgatitore për rikthimin në atdhe. Pas kthimit në Kosovë, në shtator të vitit 1996, Naser Krasniqi e intensifikoi aktivitetin e tij patriotik në kuadër të organizatës ilegale Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK).

Ai u angazhua në shpërndarjen e organit propagandistik “Çlirimi”, në agjitimin për luftën çlirimtare, në vëzhgimin e lëvizjeve të forcave armike, në bartjen e armatimit, municionit dhe medikamenteve, si dhe në sistemimin e vullnetarëve të ardhur nga diaspora për t’iu bashkuar luftës. Veprimtaria e tij në Prishtinë gjatë viteve 1997-1998 mori dimension të veçantë. Si student i Universitetit të Prishtinës, ai përdori ambientet studentore si bazë për koordinimin e veprimtarisë ilegale. Në qarqet studentore ai njihej si një figurë diskrete, por jashtëzakonisht aktive, i cilësuar shpesh si “djaloshi misterioz i natës”, për shkak të veprimtarisë së tij të pandërprerë organizative. Pjesëmarrja e tij në protestat studentore të 1 tetorit 1997 dëshmoi edhe një herë gatishmërinë për veprim konkret. Në ato demonstrata, ai ndihmoi studentët e përndjekur nga policia serbe, duke organizuar strehimin e tyre dhe duke garantuar sigurinë e tyre. Kalimi i tij nga veprimtaria ilegale në luftën e hapur të armatosur ndodhi në mënyrë të natyrshme. Gjatë viteve 1997-1998 ai u angazhua në bartjen e armatimit përmes kufirit Kosovë-Shqipëri. Më 27 prill 1998, së bashku me një grup prej dymbëdhjetë luftëtarësh të armatosur, iu bashkua publikisht Shtabit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Drenoc.

Në radhët e UÇK-së, me nofkën luftarake “Leka”, ai shfaqi aftësi të larta organizative dhe trimëri të jashtëzakonshme. U vendos në pozicionet strategjike të majës së Zatriqit, ku mori pjesë në organizimin mbrojtës dhe në përballjet e para të armatosura kundër forcave serbe. Pikërisht aty, për herë të parë, ai hapi zjarr me automatikun e tij kallashnikov ndaj helikopterit të forcave serbe, i cili po përpiqej të vëzhgonte dhe fotografonte pozicionet e UÇK-së në bjeshkët e Zatriqit. Në betejën e 12 majit 1998 ai u dallua si luftëtar i guximshëm dhe i pakompromis, duke lëvizur nga një pozicion në tjetrin nën zjarrin armik, duke u bërë shembull frymëzimi për bashkëluftëtarët. Ai ishte ndër të parët në Anadrini që veshi me krenari uniformën e UÇK-së, të cilën e konsideronte jo vetëm simbol ushtarak, por edhe emblemë të legjitimitetit të luftës çlirimtare shqiptare. Kontributi i tij në formimin e Njësisë Speciale të UÇK-së në Ratkoc ishte vendimtar. Kjo njësi përbëhej nga luftëtarët më të përgatitur dhe më të vendosur të rajonit. Nën drejtimin dhe frymëzimin e tij, ajo u shndërrua në një forcë të rëndësishme operative në zonën e Anadrinit. Po ashtu, ai mori pjesë aktive në betejën e Gradishit, ku u shqua për guximin dhe aftësinë e tij strategjike në fushën e luftës. Kulmi i sakrificës së tij erdhi më 4 qershor 1998. Në një ofensivë të ashpër altilerike të forcave serbe kundër Ratkocit, në orën 21:26, Naser Krasniqi-Leka, duke qenë në krye të detyrës, ra heroikisht në vendlindjen e tij. Rënia e tij përfaqësonte sublimimin e idealit për të cilin kishte jetuar; lirinë e Kosovës.Fjalët e tij: “Në çdo kohë, të luftosh dhe të vdesësh për lirinë e atdheut, ia vlen dhe është modesti”, përbëjnë testamentin e tij moral dhe politik. U varros me nderime ushtarake më 5 qershor 1998 në varrezat e fshatit Ratkoc, ndërsa pas luftës u nderua me dekorata të shumta, ndër to diploma “Student Martir” nga Universiteti i Prishtinës dhe urdhri “Hero i Kosovës”, i ndarë nga Presidenca e Republikës së Kosovës.

LEAD Technologies Inc. V1.01

Figura e Heroit të Kombit Naser Veli Krasniqi-Leka mbetet pjesë e pandashme e kujtesës historike shqiptare. Ai mishëron tiparet më të larta të luftëtarit çlirimtar; vetëdijen kombëtare, sakrificën sublime, disiplinën revolucionare dhe besimin e palëkundur në triumfin e lirisë. Jeta dhe vepra e tij janë dëshmi se historia e lirisë së Kosovës është ndërtuar mbi idealizmin dhe gjakun e bijve më të mirë të saj.

Ky tekst është shkëputur nga libri “Yjet e Lirisë”, i autorit Sadik Krasniqi, botuar në vitin 2021 në Prishtinë

Me 04.06.2026, Prishtinë

Related posts

(Video) Krejt në flakë’, publikohen pamjet e para nga sulmi shkatërrues amerikan në Iran

dardanianews

Thaçi: Nëse Kurti e bën Zajednicën duhet me gjuajt me gaz lotsjellës

dardanianews

LAJM I FUNDIT – Moska bën paralajmërimin e fortë për Kosovën

dardanianews