3.5 C
New York
November 22, 2024
DardaniaNews
FeaturedLajme

“Provokim i hapur nga Vuçiq”/ Vjen paralajmërimi i rëndë: Nëse ndodhë kjo, shpërthen një konflikt i ri në Ballkan

Anëtar i Qendrës për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA) në Washington dhe eksperti i çështjeve politike, Janusz Bugajski në analizën e publikuar në mediumin amerikan, Washington Examiner, kërkon rol më aktiv të SHBA-së në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të mund të arrihet një marrëveshje finale, e që pa të cilën, ai sheh mundësinë që rajoni i Ballkanit të përfshihet në një konflikt të ri.

Bugajski beson se stabiliteti i Ballkanit ka nevojë për marrëveshjen përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por çfarë do të ndodhë me marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë, dhe a mund të arrihet ajo ashtu siç kërkon Bugajski? Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

“Sot në Kuvendin e Serbisë presidenti Vuçiq ka deklaruar se “është në interes të Serbisë që ta zgjasë për disa vite dialogun me Kosovën dhe të mos japë zgjidhje, derisa të largohet presidenti Biden nga Shtëpia e Bardhë“! E ndërkohë ka pranuar se ende ka si aleat të tij kundër Kosovës Shqipërinë e Edi Ramës. Ka thënë se “Shqipëria e ka refuzuar kërkesën e Kosovës për të bërë padi për krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë“! Zoti Bugajski foli pikërisht për këtë çështje pak ditë para se Vuçiq të shpaloste pikëpamjen e tij për dialogun dhe i dha të drejtë Bugajskit”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, e vërteta është se stabiliteti në rajon varet më së shumti nga rezultatet e dialogut Kosovë-Serbi.

Image

Enver Bytyçi

FOTO GALERI

“Sigurisht që pa një marrëveshje përfundimtare dhe pa njohjen e ndërsjelltë të të dy shteteve nuk ka e nuk mund të ketë stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Ne po shohim çdo ditë se çfarë po ndodh në samitet rajonale e ndërkombëtare, në të cilat përfaqësuesit e Serbisë po sillen njësoj si në kohën e Milosheviçit, duke bërë agresion të hapur kundër shtetësisë së Kosovës. E ndërkohë Edi Rama vazhdon ta proklamojë atë minishengenin e famshëm, me të cilin Kosova izolohet plotësisht”, shprehet profesor Bytyçi.

Më tej, ai thotë se Vuçiq kërkon që me anën e Listës Srpska të jetë prezent në qeverisjen e Kosovës.

“Kam qenë dhe jam i të njëjtit mendim se zgjatja e krizës në Ballkan krijon avantazhe që në një moment të përshtatshëm të kemi një përsëritje të konfliktit, të cilin bota e njeh dhe e kujton të freskët nga përvoja e viteve 1990. Prandaj një zgjidhje e këtij konflikti është i domosdoshëm. Por kjo nuk do të thotë që Serbia të bëhet ortak me Kosovën në pasuritë dhe në politikën e Kosovës. Ajo që ndodhi sot në parlamentin e Serbisë ishte një provokim i hapur. Në Kuvendin e Serbisë ishin të pranishëm deputetët e Listës Srpska. Ky veprim është mesazh për modelin e zgjidhjes së konfliktit. Vuçiq kërkon që me anën e Listës Srpska të jetë prezent në qeverisjen e Kosovës. Kjo do të thotë se formalisht Kosova të jetë e pavarur, përmbajtësisht të varet nga politikat e Beogradit”, deklaron Bytyçi.

Profesor, doktor Enver Bytyçi kërkon që administrata Biden ta marrë në dorë zgjidhjen dhe ta çojë deri në fund projektin e pavarësisë së Kosovës dhe largimit përfundimtar të Serbisë prej saj.

“Edhe Milosheviçi ishte i të njëjtit mendim. Mjaftonte që ta sundonte Kosovën politikisht dhe nuk do të bënte luftën kundër saj, nuk do të kishim dhjetëra mijë viktima. E nëse Milosheviçi u ndëshkua me bombardimet e NATO-s për sjelljen e tij, Vuçiq nuk duhet lejuar të përfitojë gjoja në emër të paqes. Ndaj mendoj se ka nevojë të ngutshme që administrata Biden ta marrë në dorë zgjidhjen, ta çojë deri në fund projektin e pavarësisë së Kosovës dhe largimit përfundimtar të Serbisë prej saj. Serbia nuk largohet prej Kosovës duke krijuar Asociacionin Serb. As me ekstra-territorialitetin e kishave dhe manastireve serbe. Këto dy zgjidhje që i kërkon Beogradi do të krijojnë një precedent të rrezikshëm për kombet e shtetet e tjera, përfshirë dhe ato të Evropës. Të gjitha minoritetet me mbi 30 mijë banorë, kudo që ato janë do të kërkonin statusin e serbëve të Kosovës me një Asociacion me kompetenca ekzekutive e të pavarur nga institucionet qendrore të shteteve përkatëse”, nënvizon Bytyçi.

Profesor Bytyçi ka një paralajmërim të rëndë për Kosovën dhe Ballkanin në rast së formohet Asociacioni i Komunave serbe.

“Pra, nëse statuskuoja është e dëmshme dhe mund të shkaktojë konflikt të ri në Ballkan, zgjidhja me Asociacione e ndryshim të kufijve do të çojë në destabilizimin e të gjitha shteteve me një minoritet të përcaktuar. Çfarë do të ndodhë nëse Borrel e pranon Asociacionin serb? Katalanasit dhe baskët do të kërkojnë të njëjtën gjë. Po nëse Lajcak e mbështet këtë? Minoriteti hungarez në Sllovaki do të bëjë të njëjtën gjë. Dhe e drejta e kombeve, sipas të drejtës ndërkombëtare, buron nga precedentët më shumë sesa nga ndonjë ligj I shkruar. Ajo që nuk është e shkruar, por që praktikohet diku, mbetet në praktikën ndërkombëtare. A mundet që evropianët t’i thonte minoriteteve se “nuk ua japin këtë të drejtë”, nëse këtë e aplikojnë me serbët e Kosovës?!”.

Për fund, profesor Bytyçi deklaron se kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka të drejtë kur thotë se nuk mund të ketë Asociacion njëetnik.

“Çdo zgjidhje duhet të jetë brenda standardeve të deri sotme. Nëse krijohet një standard i ri, atëherë do të destabilizohet e gjithë bota. Nuk e di sa i përdorin këto argumente politika dhe diplomacia e Kosovës, por është kurth i madh zgjidhje me precedent e konfliktit. Precedenti shkon gjithnjë në favor të Serbisë dhe shteteve autoritare. Shtetet demokratike nuk e kanë të lehtë të pengojnë pakicat në një të drejtë të palikuar për një pakicë të cakruar! Prandaj Albin Kurti ka të drejtë kur thotë se nuk mund të ketë Asociacion njëetnik. Por duhet ta shpjegojë këtë më tej. Ndërsa Isa Mustafa e të tjerë politikanë megalomanë e të kapur duhet të heqin dorë nga “këshillat” për qeverinë, që ajo të pranojë marrëveshjet e destabilizimit të nënshkruara prej tij dhe Hashim Thaçit!”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

Related posts

Ushtria ukrainase vret dy grekë, dy të tjerë plagosen rëndë

dardanianews

Xhelal Sveçla i jep leje speciale Jabllanoviqit, i cili kishte ofenduar nënat gjakovare

dardanianews

Heliumi në tullumbace i merr jetën një 5-vjeçari

dardanianews